Aleksandër Dako, djali i Sevasti Qiriazit 45 vjet në ferrin komunist

0
2762

Përballja e inxhinier Dakos me çiftin Bozo, që i kishin rrëmbyer vilën dhe e kishin nxjerrë në rrugë në moshën 70-vjeçare

Ky dokument gjyqësor i vitit 1978, i siguruar nga Kujto.al, zbulon përpjekjet e dëshpëruara të një inxhinieri të burgosur nga regjimi komunist, për t'u kthyer në shtëpinë e tij. Ai është në të vërtetë, vetëm epilogu i dhimbshëm i jetës së këtij intelektuali, që shpesh i ishte dashur të ecte "këmbëzbathur në ferr".
Duke u nisur nga ky dokument, zbulojmë fatin e tragjik të këtij intelektuali, që diktatura komuniste e burgosi që në ditët e para të regjimit, si "pro-amerikan". Ai përjetoi, ndërsa ishte edhe vetë i burgosur, vdekjen e të vëllait, mjek kirurg, nën tortura në hetuesinë e Tiranës, zhdukjen e trupit të tij pas vdekjes, dëshpërimin e madh të nënës së tij, një zonjë e madhe e këtij vendi, e cila prej dhimbjes, me njërin djalë në burg e tjetrin të vrarë e të zhdukur, nuk mundi të duronte më tej dhe mbylli sytë përgjithmonë, në vitin 1949.
Kjo është historia e Aleksandër Dakos, djalit të madh, të çiftit Sevasti Qiriazi e Kristo Dako, të dy me kontribute të mëdha kombëtare. Çifti Dako kishte rritur e shkolluar në perëndim dy djem, Aleksandrin inxhinier dhe Gjergjin mjek kirurg.
***
Vitet e Luftës i gjejnë në Itali vëllezërit Dako. Shkollat fillore dhe të mesme i kishin bërë në Amerikë dhe kur Sevastia ishte kthye në Shqipëri në vitin 1922, djemtë i kishin dërguar për studime në Kolegjin Robert të Stambollit dhe pastaj për mastera në Itali. Viti 1941 shënon ndarjen nga jeta e të atit, Kristo Dako. Kjo ishte edhe plaga e parë e hapur në familje.
Pas kapitullimit të Italisë, në vitin 1943, dy motrat Qiriazi, Sevastia dhe Parashqevia jetonin në Kamzë, pa ndonjë veprimtari publike të veçantë. Ishte kohë lufte. Aleksandri shërbente si atashe me legatën e Kilit në Romë, kurse Gjergji punonte në spitalin civil në Tiranë si pjesë e ekipit të kirurgjisë.
Meqenëse qëndrimi në Itali u bë i rrezikshëm, mbasi Italia kapitulloi dhe u pushtua nga gjermanët, të cilët filluan të hakmerreshin kundër popullsisë civile, Aleksandri kthehet në Shqipëri. U kthye edhe e shoqja e tij, Rozi, dhe vajza e vogël 2- vjeçare, Viktoria. Gjergji banonte ndërkohë në Kamzë bashkë me të shoqen e tij Maria (që ishte motra e Rozit) dhe nuk kishin fëmijë.
Me pushtimin gjerman, jeta e motrave Qiriazi kthehet përmbys. Një betejë në Kamëz, pranë pronës së tyre (Instituti Kyrias), ku kishte mbetur i vrarë një ushtar gjerman, ishte bërë shkas që e gjithë familja e motrave Qiriazi të internoheshin në kampin nazist në Beograd. Vajza e Aleksandrit, Viktori Dako (Ruli) në kujtimet e saj për këtë ngjarje shkruan:
"Pas kësaj filluan të na hipnin në një kamion dhe, kur i erdhi radha Rozit (nënës) me mua në krah, shoferi i tha: "Po të kesh ku ta lësh vajzën, lëre. Se atje ku po ju çojnë, nuk do të dilni të gjallë". Nëna nuk kishte ku të më linte, mbasi Sevastia, Parashqevia, Aleksandri, Gjergji, Rozi, Maria edhe unë, madje dhe kuzhinierja besnike e shkollës "Rukie Tafaj", ishim të gjithē në kamion dhe u drejtuam nga Rruga e Elbasanit. Afër fshatit Ibē me një kundërurdhër, kamioni u kthye dhe ne shpresuam se do të na kthenin në shtëpi, por kamioni vazhdoi rrugën e Shkodrës për në Veri, kapërcyem kufirin dhe u gjendëm në kampin e përqendrimit "Banjica në Beograd".
Në atë kamp të tmerrshëm nazist, motrat Qiarizi, dy djemtë e Sevastisë me bashkëshortet dhe fëmijët e Aleksandrit qëndruan deri në nëntor të 1944, kur bombardimet e aleatëve bënë që dyert e kampit të hapeshin, e ata të ktheheshin në atdhe.
Kthimi në Kamëz do i trishtonte pa masë, pasi e gjithë prona e tyre ishte shkatërruar e vjedhur. Gjithë vitit 1945, kaloi me përpjekje titanike të dy motrave Qiriazi për t'u rimëkëmbur, por në janar të vitit 1946 erdhi një urdhër nga qeveria që do të merrte godinën e shkollës me qira. Ai ishte akti i parë në valën e goditjeve që do t'ju jepte më pas regjimi komunist dy motrave Qiriazi.
Në kujtimet e saj Viktoria shkruan: "Mbas dy muajve erdhi urdhri i sekuestrimit të të gjithë pronës dhe dëbimi i familjes nga Kamza. Sevastia dhe Parashqevia u ankuan dhe ato u lejuan të jetonin përkohësisht aty. Rukia (punonjësja besnike) i ndihmoi të përshtatnin një kotec pulash për të jetuar. Por pas tre muajsh, edhe prej aty u dëbuan me urdhër të qeverisë. Sevastisë iu desh të kapërcente dhe një moment të hidhur dhe tragjik të jetës së saj. Shkolla ishte kthyer në shkollë partie, ku mësonin ish-partizanë dhe fshatarë injorantë, të cilët e shkatërruan varrin e Kristo Dakos. Kockat i nxorën nga varri dhe i shpërndanë andej-këndej dhe sot nuk dihet se ku janë.
Në Tiranë nuk dinim se ku të strehoheshim, prandaj kuzhinierja besnike, Rukije Tafaj, na ofroi të banonim në njërën nga shtëpitë e djalit të saj. Ajo ishte një shtëpi përdhese dhe muret dhe dyshemenë prej balte pa tavan, pa ujë brenda dhe me një nevojtore jashtë në oborr. Në këto kushte të vështira Sevastia merrej me gatimin e ushqimit, Parashqevia me punët e shtëpisë, mbasi Rozi me Marien punonin që të siguronin triskat e bukës. Në fund të vitit 1946, Sigurimi i Shtetit filloi të merrte në pyetje çdo natë Aleksandrin dhe Gjergjin, me shpresë që ti fusnin në ndonjë grup armiqësor...", -shkruan në kujtimet e saj Viktoria.
Të dy vëllezërit Dako, arrestohen me akuzën si spiunë të amerikanëve. Për Sevastinë, kjo qe një goditje shumë e rëndë. Të dy djemtë ishin në burg pa asnjë faj. Ajo nuk mund t’i takonte, pasi të dy ishin në hetuesi dhe asnjeri nuk i kishte pranuar akuzat. Kësisoj për gati tre vjet ajo nuk i pa djemtë me sy.


***
"Në shkurt të vitit 1949 na njoftuan se Gjergji kishte vdekur, që kishte vrarë veten, mbasi nuk po i duronte më torturat", tregon Viktoria në kujtimet e saj, ndërsa shton: "Sevastia shkoi për të marrë trupin e të birit. Të paktën do ta shikonte të vdekur, por atë nuk ia dhanë. Sevastia mundi të zbulonte se ata që vdisnin në burg hidheshin në lumin e Tiranës. Kështu, natën ajo u nis bashkë me Marien në Bregun e Lumit për të gjetur trupin e Gjergjit dhe trupin e gjetën të mbështjellë me një hasër. Ndërkohë po gdhinte mëngjesi dhe kishin frikë se mos dikush i diktonte, kështu që ato e fshehën trupin në anë të tokës dhe u kthyen në shtëpi, me qëllim që të ktheheshin në mbrëmje dhe të merrnin trupin e tij. Por kur u kthyen, e gjetën tokën të punuar nga traktori dhe trupi ishte zhdukur për të mos u gjetur më kurrë. Sevastia, megjithëse në jetë kishte kaluar shumë telashe e peripeci, e karakterizuar nga një fortësi dhe kurajë, kësaj here dhimbja qe mbi forcat e saj dhe ajo ra në një depresion të thellë. U end plot pesë muaj nëpër zyrat e qeverisë me qëllim që të mund të rimerrte trupin e djalit të saj të dashur 36- vjeçar, por asnjë nuk iu përgjigj. Kudo që vajti, i gjeti dyert mbyllur"- shkruan në kujtimet e saj Viktori Dako.
Pas shumë muajsh, e zhytur në dëshpërim, në gusht 1949 Sevasti Qiriazi, mbyll sytë me zemër të plagosur. Trupin e Gjergjit nuk e gjeti kurrë, ndërsa djalin e madh, Aleksandrin, i cili dergjej në burg me njërën këmbë të paralizuar nga torturat shtazarake, nuk e pa më kurrë. Iku nga kjo botë e ndarë dhunisht prej djemve të saj.
***
Pas vdekjes së të jëmës, Aleksandri i mbajtur 3 vite i izoluar në hetuesi, pa pranuar asnjë akuzë, dënohet me shtatë vjet burg. Lirohet në vitin 1953. Do të riniste jetën me bashkëshorten e tij Rozin dhe tre fëmijët. Do të jetonin për shumë vite bashkë me tezen, Parashqevinë, e cila kishte vuajtur po ashtu vite të vështira e të dhimbshme pas humbjes së motrës së saj. Deri në vitin 1962, të tërhequr, e me "njollën", si armiq të regjimit Aleksandri me familjen e tij do të përpiqeshin të rimëkëmbeshin. Vetëm në vitin 1962, do të ndodhte një kthesë zbutjeje në historinë e tyre të persekutimit.
Vajza e Aleksandrit, Viktoria shkruan: "Me rastin e 50-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë për konjunktura politike të regjimit komunist, u tregua interes për veprimtarinë patriotike të familjes Qiriazi. Kështu, aty në Vlorë, ku 50 vjet më parë u shpall Pavarësia e Shqipërisë, katër pjesëtarë të familjes Qiriazi, Gjerasimi, Gjergji, Sevastia dhe Parashqevia, u dekoruan me "Urdhrin e Lirisë" dhe urdhrin për "Veprimtari patriotike". Më vonë, Sevastisë dhe Parashqevisë iu dha titulli "Mësuese e Popullit", titulli më i lartë për arsimin. Fatkeqësisht, të gjitha këto nderime Sevastia, edhe po të ishte gjallë, jam e sigurt se nuk do t’i shijonte, duke mos e pasur pranë djalin e saj të dashur 36- vjeçar, që vdiq i pafajshëm dhe në lulen e rinisë së tij".
Parashqevi Qiriazi, jetoi deri në fund të jetës së saj me familjen e Aleksandrit, në një shtëpi të blerë prej saj në rrugën Halim Xhelo në Tiranë. Vila e saj mbante numrin 28. Edhe sot banorët e moshuar të asaj lagjeje e kujtojnë mirë, motrën e vetmuar të Sevastisë, e cila jetonte aty bashkë me nipin inxhinier. Parashqevi Qiriazi, u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare në vitin 1970.

***
Drama e Aleksandrit vazhdon...

Pas shumë viteve martesë me bashkëshorten e tij Rozin, Aleksandri do të përjetonte edhe humbjen e saj. Fëmijët mbeten ngushëllimi i tij i vetëm dhe shkollimi i tyre një sfidë, që duhej ta përballonte. Pak vite më vonë Aleksandri nis një martesë të re, e cila do të përfundonte shpejt në divorc. Ajo do të bëhej shkak për goditjen e fundit që ai do të merrte në jetën e tij. Pas divorcit, Aleksandri do të internohej dhe shtëpia e tij ku kishte mbyllur sytë edhe tezja Parashqevi Qiriazi, do t’i rrëmbehej me të padrejtë, pas shumë intrigave e prapaskenave.
Publicisti Kolec Traboini ka zbuluar në shkrimin e tij "Kujtimet e Skënder Luarasit", gjithë këto prapaskena të luajtura në kurriz të inxhinier Dakos dhe për përpjekjet e tij për t'u kthyer në shtëpinë e rrëmbyer. Traboini citon këto kujtime të Skënder Luarasit:
”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. (Aleksandër Dako, i biri i Kristos dhe i Sevastisë, i lindur në Manastir më 30 maj 1911, ishte pronar i banesës në rrugën Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë. Ajo dikur qe në pronësi të Parashqevisë. Në një banesë tjetër në krah jetonte dhe vajza e tij e vogël, Diana Qiriazi-Hoxha, studente në degën e anglishtes.) “Kisha vite pa e parë. Dukej shumë i vrarë. Më tha se kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, e kishin internuar me pa të drejtë dhe shtëpinë ia kishte zënë një zyrtar me rëndësi.” Pas vdekjes së gruas së parë, Aleksandër Dako qe martua me N.L. me të cilën nuk shkonin mirë, kinse ajo kërkonte që ai të mos kishte të bënte me fëmijët e gruas së parë dhe arsye të tjera. Por më vonë rezultoi se shkak i prishjes së çiftit Dako qe shantazhi mbi N.L. dhe nënshtrimi i saj nën presionin e Todi Bozos, motrës së tij dhe shoqes së saj V. L., Sekretare e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. e cila më pas u shkarkua për abuzime me detyrën shtetërore. Më 15 tetor 1975, me akuzat e sajuara të ish-gruas së tij të dytë N.L. Aleksandër Dakon e internuan në Tale të Lezhës. Në janar 1976, në shtëpinë e tij u fut familja e Todi Bozos, e cila pa dijeni të Aleksandrit kishte bërë shtesa banese".
Në këtë kohë, Todi Bozo, ishte me influencë në rangjet drejtuese të Partisë. Ai ishte sekretari i Partisë në Kinostudio dhe njëkohësisht nëndrejtor i saj. Po ashtu edhe bashkëshortja Luljeta Bozo, vijonte jetën akademike.
Ndërkohë inxhinier Dako, vuante internimin e tij në Tale të Lezhës, pa ditur asgjë për prapaskenat, që ishin bërë, për t'i rrëmbyer shtëpinë.
Pasi kthehet në Tiranë, më 14 korrik 1977, Aleksandër Dako, e gjen veten në rrugë. Në shtëpinë e tij tashmë jetonin çifti Todi dhe Luljeta Bozo. Skënder Luarasi në kujtimet e tij shkruan, se çifti Bozo e kishte marrë pronën e inxhinier Dakos, me një marrëveshje private me ish-bashkëshorten e Aleksandrit (edhe pse ata ishin të divorcuar), duke i dhënë asaj nje apartamehnt 1+1 dhe duke i marrë vilën, që dikur kishte banuar derisa mbylli sytë, Parashqevi Qiriazi.
I gjendur para faktit të kryer dhe pa asnjë mundësi për të marrë shtëpinë e tij, Aleksandër Dako i drejtohet gjykatës.
E gjithë skema e zaptimit të kësaj prone, zbardhet edhe në vendimin gjyqësor që mori një vit më vonë, me 15 shkurt 1978, Gjykata Popullore e Tiranës. Ky është vendimi nr.249, i kësaj gjykate, që Kujto.al, e zbardh si më poshtë:


"Në bazë të vërtetimit datë 21.1.1978 të lëshuar nga zyra e ipotekave, paditësi Aleksandër Dako ëhstë pronar i një shtëpie banimi të ndodhur në Tiranë, rruga Halim Xhelo, nr.28, të përbërë prej dy dhomave, një kuzhinë e anekse të tjera, në të cilat banon i padituri Todi Bozo rezultoi e provuar se paditësi efektivisht është pa banesë, pasi provizorisht banon tek djali i tij, me të cilin është i ndarë. Para internimit, në këtë pronë ka banuar vetë paditësi.

në të tilla rrethana, vetkuptohet se paditësi Aleksandër ka të drejtë të shkojë në pronën e tij, duke ju lënë në përdorim, një dhomë e një kuzhinë, ndërsa dhoma tjetër (ajo me oxhak) do ti mbetet në dispozicion Komitetit ekzekutiv K.P.Të rrethit. Komunikimi me dhomën mund të bëhet duke hapur një derë në kushinën e sotme.

padia gjen mbështetje në nenin 242 dhe rezultoi e vërtetuar në spjegimet e ndërgjyqësave, përmbajtjen e vërtetimit të pronës dt.28.1.1978, të çertefikatës së gjendjes civile me të njëjtën datë dhe me kqyrjen në vend të banesave.
Për këtë arsye:
Trupi gjykues
Vendosi
Mos përsëritjen e këntratës së qeradhënies së banesave dhe detyrimin e të paditurit Todi bozo të lirojë dhe dorëzoje banesën që ka në përdorim, pasi ti sigurohet një tjetër sipërfaqe banimi.
Nga banesa e sipërme, paditësit i jepet nëj dhomë e një kuzhinë ndërsa dhoma tjetër mbetet në dispozicion të Kom.Ekz.të K.P.Lagjes.

shpenzimet gjyqësore i ngarkohen paditësit.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim ose protestë në këshillin gjyqësor të gjykatës rrethit Tiranë brenda 10 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.
Tiranë 15.2.1978"

***
Edhe pse ky vendim gjyqësor, urdhëronte kthimin e banesës pronarit të ligjshëm Aleksandër Dakos, inxhineri i përndjekur nga regjimi që prej viteve të para të diktaturës, nuk do të mund të kthehej në banesë. Kalvari i tij i vuajtjeve do të vijonte. Çifti Todi dhe Luljeta Bozo nuk e lëshuan vilën e tij.
Publicisti Kolec Traboini ka publikuar në shkrimin e tij me kujtimet e Skënder Luarasit edhe disa letra drejtuar Hysni kapos, Vito Kapos dhe drejtpërdrejt Todi Bozos, ku kërkon të ndihmojë inxhinier Dakon që ai të kthehej në banesën e tij, të drejtë që ligjërisht edhe gjykata ia kishte dhënë. Letërkëmbimet vërtetojnë sesi në vjeshtën e '79, pra afro dy vite të tjera pas vendimit gjyqësor, inxhinier Dako, tashmë i moshuar afër të 70-ve, vijonte përpjekjet e dëshpëruara, për t'u kthyer në shtëpinë e tij.

Kjo është një pjesë nga letra që Skënder Luarasi i shkruan Todi Bozos (marrë nga publikimi i Kolec Traboinit): "...Me manipulacione të pahishme keni bërë që biri i Sevasti Qiriazi-Dakos të nxirej nga shtëpia dhe fare pa të keq u shtrove vetë në atë vatër. Gjyqi që e kuptoi sjelljen e pahijshme tuajën i dha të drejtën familjes Dako të kthehet në banesën e vet. Porse ju nuk i bindeni vendimit, nuk doni të shkoni në apartamentin shtetëror që kishit më parë. Në vilën Qiriazi-Dako vija shpesh të përshëndetja mësuesen e lavdishme Parashqevi Qiriazi për t’ iu falë nderjes për arsimin që bashkë me Sevastinë u dha motrave tona në kohën e tiranisë otomane, kur jo në shkollë por edhe në letërkëmbim ishte rreptësisht e ndaluar të përdoreshin shkronjat shqipe. Mora guximin t’ju shkruaj këtë letër sepse duhet ta mbrojmë të drejtën e të vërtetën edhe sikur të ndeshemi me personalitete të plotfuqishëm..." -i shkruan Luarasi Bozos, duke i kërkuar në fund të letrës që: "...t’ia ktheni të zotit shtëpinë dhe unë mendoj se ajo ndërtesë të caktohet shkollë ose muze për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave..."
Siç dëshmojnë dokumentet arkivore, përpjekjet e inxhinier Dakos për të marrë pronën e tij, vijuan për shumë kohë. Fqinjët e tij, që e kujtojnë edhe sot me respekt, tregojnë se ai u strehua për shumë kohë tek i biri, pa mundur ta nxirrte nga prona e tij familjen Bozo.
Fakti i përpjekjeve të gjata të Aleksandër Dakos, për të marrë shtëpinë e tij, dëshmohet edhe në fund të vendimit gjyqësor, ku me shkrim dore gjejmë këtë shënim të vitit 1986:
"Kundër këtij vendimi është ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë nga kryetari i Gjykatës së Lartë dhe këshilli gjyqësor me vendim nr. 58 dt.7.4.1986, ka vendosur prishjen e vendimeve të mësipërme dhe kthimin e çështjes për gjykim. Tiranë, 15-4-1986".
Siç duket nga ky shënim, beteja ligjore e inxhier Dakos do të vijonte edhe më tej. Por prej këtij momenti nuk gjejmë të dhëna të tjera arkivore, për fatin e mëvonshëm të përpjekjeve ligjore të inxhinier Dakos, për t'u rikthyer në pronën e tij. Edhe pse në moshë të thyer, me një histori të gjatë plagësh e persekutimi të padrejtë prej regjimti komunist, prej vitit 1946, inxhinier Dako duroi nëpërkëmbjen, padrejtësinë dhe persekutimin deri në fund të këtij regjimi gjakatar.

Në liri, pas rënies së diktaturës, Aleksandër Dako jetoi vetëm pak vite, duke u marrë kryesisht me përkthime.
Ai u nda nga jeta në vitin 1995 në moshën 84 vjeç./Kujto.al

 

S'KA KOMENTE