1990/Tentativë e dështuar për kalimin e kufirit

0
3238

Një tentativë arratisjeje e parealizuar dhe e dënuar me burg në vitin 1990. Historia e tre burrave, njëri prej të cilëve mori me vete dhe gruan dhe fëmijën, por u kapën dhe u burgosën, për t'i kaluar ditët e fundit të diktaturës në qeli

Pas ngjarjeve të ambasadave, u intensifikuan përpjekjet për t’u larguar nga Shqipëria. Nga kufijtë tokësorë, detarë, liqenorë dhe lumorë u vërejtjen përpjekje të shumta për arratisje. Një histori ndër këto ishte edhe kjo që tregohet më poshtë, teksa në një mjet primitiv ishte edhe një fëmijë i vogël.

Më 14.8.1990 Hektor Lato, bashkëshortja e tij me djalin e vogël, Ardian Diamanti dhe Albano Saliu tentuan të arratisen jashtë shtetit. Për këtë kanë menduar ndërtimin e një mjeti primitiv lundrimi. Në pjesën e parë të vendimin, kjo pjesë jepet kështu:

“I pandehuri Hektor Lato është martuar me Mbarimen dhe kanë një fëmijë 1 vjeç e gjysmë. Nisur nga ngjarjet që kanë ndodhur në Tiranë në muajin korrik, këtij të pandehuri i ka lindur mendimi për t’u larguar jashtë vendit e të shkojë në Greqi pasi i ati tij është çam dhe ka jetuar atje. Pasi këta kanë blerë 5 kamerdare zetori nga persona të ndryshëm dhe ka përgatitur një trap dërrase për t’i montuar ato. Në muajin korrik, mendimin për t’u larguar ua ka shfaqur dhe dy të pandehurve të tjerë të cilët kanë rënë dakord. Në veprën e tij kriminale i pandehuri Hektor ka futur edhe gruan e tij, Mbarime, e cila ka rënë dakord që t’i shoqërojë ata jashtë shtetit”.

Pasi i kanë çuar materialet në bregun e detit afër Nartës kanë fjetur aty deri të nesërmen, kur kanë bërë montimin. Rreth orës 21.00. të datës 15.8.1990 të pandehurit, Mbarimja dhe fëmija i vogël janë nisur me trap. Kur kanë mbërritur në pikën midis Sazanit dhe Karaburunit, Mbarimen e zuri deti dhe nga kjo arsye, janë drejtuar drejt Karaburunit. Të pyetur nga marinarët u kanë thënë se donin të çonin djalin në kishë. Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 127, 11, 13 të Kodit Penal.

Gjykata Popullore e Rrethit Vlorë, e përbërë nga një kryetar dhe 4 ndihmësgjyqtarë me vendimin nr.151, datë 20.9.1990, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:

1-Hektor Safet Lato, lindur në vitin 1960 në Panaja, banues në Vlorë, kooperativist, me 1 vit heqje lirie.

2-Ardian Andrea Diamanti, lindur në vitin 1971 në Nartë, banues po aty, punëtor në NBSH “Vlora”, me 3 muaj heqje lirie.

3-Albano Nexhmi Saliu, lindur në vitin 1971 në Vlorë, banues po aty, punëtor në ndërmarrjen pyjore Vlorë, me 3 muaj heqje lirie.

S'KA KOMENTE