1988/Kur nga Suedia kërkohej lirimi i At Zef Pllumit dhe Dom Anton Nikës

0
261

Në vitin 1987 shtetasi suedez Edvin Sixteunstam i dërgonte një letër ministrit të Punëve të Brendshme, Simon Stefani, në të cilën kërkonte lirimin nga burgu të tre klerikëve katolikë. Sipas tij, këta ishin të quajturit Ndoc Luli dhe dy të tjerë me mbiemrat Troshani dhe Pllumi. Në fakt nga krahasimi i të dhënave dilte se fjala ishte për dy klerikë që ishin ende në burg, Anton Lul Nikën dhe Zef Pllumin dhe Dom Anton Lul Nikajn.

Nga verifikimet e kryera nga Drejtoria Zbatim Vendime Penale, sipas informacionit të datës 15.1.1988 për ministrin, rezultonte se fjala duhej të ishte për klerikët:

1-Me mbiemrin Trashani ishin dy priftërinj: Nikoll Mark Troshani, liruar me amnistinë e vitit 1986 dhe Ernest Simon Troshani që është liruar me plotësim kohe më 27.12.1980, të dy nga Shkodra.

2-Për Ndoc Lulin, aludohej që fjala ishte për Anton Lul Nikën, i vitlindjes 1910, nga Lohe e Shkodrës, banues në Ranzë Bushat, me arsim të lartë teologjik, i dënuar në vitin 1947 me 7 vjet heqje lirie për krime kundër shtetit. Ishte arrestuar në vitin 1979 dhe dënuar me 25 vjet heqje lirie për sabotim e agjitacion e propagandë. I mbeteshin për të vuajtur edhe 11 vjet, 8 muaj e 18 ditë. Vuante dënimin në Repartin nr.305 Përparim.

3-Zef Gjeto Pllumi, i vitlindjes 1924, nga Mali i Rencit Shkodër, me arsim të lartë teologjik, i dënuar për krime kundër shtetit në vitin 1947 me 3 vjet dhe në vitin 1967 me 25 vjet për tradhti ndaj atdheut (tentativë arratisjeje). I mbeteshin për të vuajtur 3 vjet e 9 ditë. Me punë kish fituar vetëm 6 ditë. Vuante dënimin në Repartin nr.305 Përparim.

Megjithëse letra vinte nga jashtë vendit, për dy klerikët që vuanin dënimin në Repartin nr.305 Përparim, Sarandë, nuk pati ndonjë ndërprerje vuajtje dënimi.

Dy klerikët e mundshëm 

 

Nga verifikimi i të dhënave del se interesimi ishte për klerikët At Zef Pllumi dhe Dom Anton Nika. At Zef Pllumi për herë të fundit u dënua në një proces publik së bashku me një koleg të tij sepse tentoi të arratisej. Në pretencën e kohës, kur u dënua në vitin 1968, prokurori ndër të tjera deklaronte: “Ne po zhvillojmë sot këtë gjyq, pikërisht në këtë lokal të “shenjtë” që dikur përfaqësonte obskurantizmin fetar, injorancën, shtypjen dhe shfrytëzimin, por që sot është kthyer në një qendër të rëndësishme kulturale ku brezi ynë i ri riedukohet me botëkuptimin materialist dhe po kalitet me virtytet e larta të moralit komunist”. Gjykata e Qarkut Shkodër, e drejtuar nga Nuri Resmja me pjesëmarrjen e prokurorit Faik Minarolli, me vendimin nr.11, datë 13.3.1968 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë.

Dom Anton Lul Nikën, për herë të fundit, Gjykata e Rrethit Shkodër, e kryesuar nga Jorgo Dhroso, me pjesëmarrjen e prokurorit Remzi Kruja, me vendimin nr.298, datë 5.11.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie dhe konfiskim të pasurisë.

Të dy klerikët u liruan nga burgu më 11.4.1989 me dekretin nr.7296, datë 8.4.1989 të Presidiumit të Kuvendit Popullor.

S'KA KOMENTE