Më 18-19 prill 1978 u krye kontrolli vjetor i të burgosurve që vuanin dënimin në Repartin nr.303 Spaç. Kontrollin e kryente Dega e Shëndetësisë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Nevzat Vigani. Pasi këqyri këtë gjendje, u përpilua një procesverbal nga një komision i përbërë nga Nevzat Vigari (kryetar), Bujar Shkaba, Selman Dura dhe Ali Mara (shefi i ushqimit të Komandës së Repartit nr.303).
Gjendja e higjieno-sanitare “paraqitej në përgjithësi e mirë”, por nevojiteshin të merreshin masa pastrimi, dezinfektim për periudhën pranverore.
Gjendja shëndetësore e të dënuarve sipas relacionit “paraqitej e mirë”, megjithëse nga shifrat nuk dukej e tillë, sepse mbi gjysma kishin dalë me probleme, pavarësisht se edhe konkluzionet mund të ishin sipas interesave të regjimit. Sëmundëshmëria duhej të ishte edhe më e madhe. Në komision kaluan 196 të burgosur.
Komisioni nxori përfundimet:
-23 të dënuar, të paaftë për punë
-29 të dënuar, të aftë për punë të lehtë
-84 të paaftë për nëntokë
-12 të paaftë nga ana shëndetësore
-3 kërkonin ushqim suplementar
-1 kërkonte ushqim dietetik
-24 duheshin shtruar në spital
-5 duheshin vizituar në sanatorium
-11 duheshin vizituar te specialisti i rrethit
Lista e sëmundjeve ishte e larmishme.