Pasi Sigurimi vendos që të shkohej drejt goditjes së Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës, ata arrestohen, por partia vendoste. Ngjitas me çështjen e tyre shtohen edhe disa të tjerë për të dhënë përfytyrimin e një grupi të organizuar, pavarësisht se dhe vetë e pranojnë se nuk kishim të bënim me persona të organizuar. Në vjeshtën e vitit 1977 zhvillohet një mbledhje e sekretariatit të Komitetit të PPSH-së së Librazhdit nën kryesinë e sekretarit të parë Sotir Koçollari, person i cili pak vjet më vonë u bë dhe presidenti i fundit i organizatës së Bashkimeve Profesionale të Shqipërisë. Komiteti vendor i PPSH-së, dha verdiktin e tij në të gjitha ato që do të ngriheshin në pretencën e prokurorisë dhe vendin e gjykatës. Mjafton të shihet procesverbali nr.23 datë 28.4.1977 i sekretariatit të Komitetit të Partisë së Rrethit Librazhd
***
Sekretariati i Komitetit të Partisë Librazhd, në mbledhjen e tij, datë 28.04.1977, mori në shqyrtim këto çështje:
1-Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
-Marrin pjesë në mbledhjen e Sekretariatit shokët: Sotir Koçollari (sekretar i parë), Alush Çekrezi, Faik Hoxha, sekretarë të Komitetit të Partisë së Rrethit, Hekuran Rezhda, Merdar Hasa, sekretar i byrosë së Partisë Degës së Brendshme dhe kryetar i Degës.
-Marrin pjesë në pikën e parë shokët: Hysen Faqolli - kryetar i Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit, Qani Lavdari - prokuror i rrethit, Sybi Sulçe - gjyqtar, Nevrije Fistaj - kryetare e Gjykatës së Rrethit.
Mbledhjen e drejton sekretari i parë i Komitetit të Partisë së Rrethit, shoku Sotir Koçollari. Informim me gojë nga shokët e Gjykatës së Rrethit për procesin e grupit armiqësor të Bërzeshtës.
Shoku Sotir Koçollari: Na informoni mbi çështjen penale të sabotatorëve dhe përvetësuesve të Bërzeshtës.
Sybi Sulçe: Në këtë çështje bëjnë pjesë 8 persona, të cilët i janë dërguar gjykatës për gjykim.
I pandehuri Genci Leka, i biri i Bardho Lekës, në moshën 36 vjeçe, me arsim të mesëm pedagogjik, i akuzuar për krimin e sabotimit në bashkëpunim me atë të agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor, të parashikuar nga nenet 72 e 12 dhe 73/1 i Kodit Penal.
Veprimtarinë armiqësore në formën e agjitacionit e propagandës kundër pushtetit popullor e ka filluar qysh në vitin 1968, ndërsa në formën e sabotimit në ekonomi për dobësimin e pushtetit popullor e ka filluar në qershor të vitit 1973, dhe ka vazhduar deri në momentin që u arrestua më 31.8.1976
Agjitacionin e propagandën e ka filluar në formën e bisedave të ndryshme që ka bërë kundër pushtetit popullor, në krijimet letrare, poezitë me përmbajtje armiqësore, ka mbajtur dhe mjaft libra në shtëpi, të ndaluar. Bisedat armiqësore i ka bërë me Vilson Blloshmin e me një person me banim në Lushnje që quhet Bilbil Cani e një person tjetër nga Cërriku, Nazmi Seitin me banim në Cërrik, si dhe me dëshmitarët Dilo Omeri dhe Emine Duka. Në bisedat armiqësore që ka zhvilluar është shprehur për trajtimin e keq që i bëhej atij e pjesëtarëve të tjerë të familjes nga Partia dhe pushteti popullor. I është kundërvënë masave për revolucionarizimin e shkollave, si dhe e ka folur kundër ideologjisë së partisë….
I pandehuri Vilson Blloshmi, person me përbërje të keqe politike, kulak. Të pandehurin Bedri Blloshmi që akuzohet për krimin e sabotimit, e ka vëlla. Siç del nga material i dosjes, është person tepër i rrezikshëm. Ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim i parashikuar nga neni 73/1 i Kodit Penal. Veprimtarinë armiqësore e ka filluar që në bankat e shkollës së mesme pedagogjike në vitin 1965, kur ishte nxënës dhe e vazhdoi derisa e arrestuan në vitin 1976. Veprimtarinë armiqësore e ka zhvilluar në këto forma: Ka bërë biseda me përmbajtje armiqësore me dëshmitarët Sami Hyka, Haki Bardhoshi, Fetah Blloshmi, Emine Diko dhe Afërdita Lepenica, si dhe me të pandehurit Genc Leka e Demir Blloshmi.
Shoku Alush Çekrezi: Si do të quhej grupi?
Sybi Sulçe: Nga të dhënat, del se nuk janë të organizuar, sepse disa prej tyre kanë bërë edhe propagandë.
Shoku Sotir Koçollari: Forma e tyre e organizuar del plotësisht, pasi secili prej tyre, në mënyrë të vetëdijshme kanë dashur të rrëzojnë pushtetin popullor dhe të sabotojnë ekonominë e kooperativës bujqësore.
Shoku Sybi Sulçe: Atëherë të 8 të pandehurit do të futen në një nen?
Merdar Hasa: Pse thua që Vilson Blloshmi nuk hyn në këtë grup. Ai hyn, dhe kjo vërtetohet nga thëniet e të tjerëve që ky ka përvetësuar.
Shoku Sotir Koçollari: Kush konsiderohet më kryesori?
Shoku Sybi Sulçe: Genc Leka. Nga të dhënat e dosjes del se Vilson Blloshmi është për agjitacion e propagandë, me sa ka dosja. Prova nuk kemi për përvetësim, nuk ja vërtetojmë dot.
Shoku Sotir Koçollari: Unë kam mendimin se këta janë grup i organizuar, bile edhe në bazë të një platforme në bindjen e tyre. Zbulimi i këtij grupi është meritë e punës së organeve të punëve të brendshme, rritja e vigjilencës së tyre etj. Ky grup ka vepruar në mënyrë të tillë deri tani për mungesë të vigjilencës së kuadrove në kooperativë, në organizatën bazë të Partisë. Këta e kanë bërë këtë për prishjen e pushtetit popullor. Imagjinoni se do të hidhej në erë Ura e Bushtricës ishte një dëshirë e të pandehurit Vilson Blloshmi dhe ky e dëshiron të ketë, dhe nuk e realizoi vetë, por kurdisi këtë plan imagjinar. Kreu i këtij grupi them se janë Genci Leka dhe Vilson Blloshmi, pjellë e armikut të klasës të cilët e kanë kurdisur të gjithë grupin. Këto jo vetëm i kanë mbajtur këto libra, por i kanë lexuar dhe frymëzuar prej tyre. Kanë pasur dhe shkrime të tyre për përmbysjen e pushtetit popullor dhe jo vepra e poezi. Vilsoni është më i zgjuar nga të tjerët dhe aktin nuk e pranon se e di që e pret pushkatimi. Ndërsa për Rexhep Sulën mund të bëhet shkallëzimi; këta pas një burgu, do të kthehen për ndërtimin e socializmit.
Ky grup të konsiderohet si grup sabotatorësh. Në krye të grupit Genci e Vilsoni, sepse këta kanë nxitur këta të tjerët, i kanë frymëzuar. Argumente për këtë ka dhe përmbajtja e problemit është e qartë se ky është nxitës, si dhe i sjell dëm diktaturës së proletariatit. Për shkallën e dënimit ju gjykojeni vetë dhe mos u nisni se aprovohet apo jo lart, por nga krimi që kanë kryer secili.
Jam dakord që gjyqi të bëhet këtu, të përgatitet mirë, të ngrihet me forcë lufta e klasave, të jetë një pretencë e fortë politike ideologjike dhe e përgatitur mirë. Gjykatat të ruajnë plotësisht ngjyrën e katit e qëllimit që kishin për minimin e pushtetit popullor. Megjithëse do e zhvillojmë këtu, masat e sigurimit nuk duhen nënvleftësuar.
Problemi i implikimit të mos dalë kaq apo aq veta. Edhe ata që do demaskohen, duhet kujdes të ngrihen të bëjnë autokritikë dhe të pranojnë gabimin. Në gjyq të vijnë njerëz që i shërbejnë gjyqit dhe jo kush të mundë.