Ndërsa dokumentet e internimeve të periudhës 1945-1953 janë tejet të rralla, sjellim një të tillë të datës 28.9.1946. Siç edhe shihet, vendimin e internimit nuk e ka marrë Ministria e Punëve të Brendshme, por Komanda e Qarkut e Divizionit të Mbrojtjes së Popullit Elbasanit.
Janë internuar në Kampin e Beratit gjithë familja Lleshanaku, përfshi fëmijët 3 dhe 7 vjeç. Familja u lirua nga kampi në fjalë më 4.9.1949, fare pak ditë nga zhvendosja e të internuarve në Tepelenë.
Siç dihet, në vitet e para të regjimit komunist, kategoria e kundërshtarëve të regjimit që internoheshin i takonte familjarëve të të arratisurve brenda dhe jashtë vendit. Në shumicë ata ishin fëmijë, pleq dhe gra.
Alush Lleshanaku ishte kundërshtar i regjimit komunist, i desantuar disa herë, i ndihmuar nga shtetet kapitaliste. Ai u vra me pabesi në Elbasan gjatë misionit të fundit në vitin 1950.
Alush Lleshanaku është një ndër figurat më të spikatura të qëndresës antikomuniste. Ishte një ndër 3 desantët e famshëm krahas Hamit Matjanit dhe Gjon Gjinajt. Alush Lleshanaku u lind në një familje të mesme në fshatin Bradashesh të Elbasanit në vitin 1913. Kur mbushi 7 vjeç, familja e tij u vendos në qytetin e Elbasanit. Në këtë qytet ai mori arsimin fillor si dhe kreu shkollën Normale. Më pas mbaroi arsimin e lartë në Romë në degën e edukimit fizik.
Pas kthimit në atdhe, u emërua mësues i edukimit fizik në shkollat e nivelit të mesëm në Vlorë, Normalen e Elbasanit dhe në gjimnazin e Shkodrës. Me vendosjen e regjimit komunist, u largua nga Shkodra në drejtim të kundërt të rrjedhës së Drinit të Bardhë dhe i plagosur kaloi kufirin duke u strehuar deri në shërimin e plagës në familjen e një miku në Gjakovë. Ai u rikthye disa herë në Shqipëri dhe konsiderohej i pakapshëm.
Në vitet 1945 – 1946 organizoi çetat antikomuniste në qarkun e Elbasanit. Më 28 korrik 1946 ai organizoi në Allajbeg të Belshit një mbledhje ku mori pjesë edhe Hamit Matjani me rreth 200 persona të strehuar në male që përndiqeshin politikisht nga regjimi. Pas këtyre përpjekjeve, i ndjekur vazhdimisht nga forcat komuniste, Lleshanaku kaloi kufirin në Greqi. Më të mbërritur në Romë anëtarësohet në Bllokun Kombëtar Indipendent (formuar më 1946) dhe pas pak kohe shihet në kampin e “Santa Foro”-s në Bari të Italisë. Vjen sërish në Shqipëri në dhjetor 1947. Për herë të fundit vjen në verën e vitit 1950. Lleshanaku u vra në një shtëpi në Elbasan në 24 dhjetorin e vitit 1950. Për të mos u kuptuar personi që e shiti (fatkeqësisht një mik i vjetër), u legjendua një betejë me forcat e Sigurimit të Shtetit në Papër të Elbasanit.
Familja e tij vuajti pasojat e internimeve dhe konfiskimeve të pasurisë duke bërë një jetë të vështirë e të mundimshme. Pasojë e parë e saj ishte internimi. Alush Lleshanaku ishte një person shumë i përgatitur që nuk binte lehtë në kurthe. Mjeshtër i maskimit. Regjimi i internoi familjen edhe me shpresën se Alushi do kontaktonte me të në Berat. Fatmirësisht, dokumentet e internimit të familjes së tij janë gjendur.
Familja u lirua nga kampi në fjalë më 4.9.1949, fare pak ditë nga zhvendosja e të internuarve në Tepelenë. Lirimi nuk ishte për ndonjë arsye humanitare, porse shpresohej se Alushi në kthimet e mundshme të tij mund të lidhej me familjen./kujto.al
Lexoni edhe:
Alush Lleshanaku, historia e një qëndrestari që u vra nga komunistët