Zenel Peposhi dhe arratisja e tij spektakolare

0
477

Këtë viti, Zenel Peposhi do festojë 90-vjetorin e lindjes. Ka lindur më 20.3.1935 në Lusën të Kukësit. Me arsim të mesëm, me profesion gjeometër. Ky dy histori arratisjesh.

Së pari, u kthye në Shqipëri pas amnistisë së vitit 1956. E dërguan të punojë në ndërmarrjen komunale të Elbasanit. Ishte vetëm 24 vjeç kur e arrestuan më 8.9.1959. U akuzua në bazë të nenit 64 të Kodit Penal për tradhti ndaj atdheut. Siç deklaron edhe vetë, nuk njihte asnjë prej dëshmitarëve që iu paraqitën. Gjykata e bënte fajtor se nga viti 1954 ishte arratisur në Jugosllavi, pavarësisht se për këtë vepër ishte amnistuar. U akuzua edhe për letrat që iu gjetën në shtëpi. Gjykata Ushtarake Tiranë me veprim në Elbasan, me vendimin nr.4, datë 30.1.1960 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 25 vjet heqje lirie (prej të cilave 10 vjet duhet t’i vuante në regjim burgu), konfiskim të shtëpisë në Lusën, të një ore dore, heqjen e së drejtës zgjedhore për 5 vjet, pagimin 1104 lekëve për avokatin të caktuar nga gjykata dhe 2000 lekë shpenzime gjyqësore. U la në fuqi me vendimin nr.5, datë 24.2.1960 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë. U lirua më 17.12.1978 nga Reparti nr.309 Ballsh kur ishte 43 vjeç.

Vuajti dënimet në këto kampe e burgje: Reparti nr.321 Burrel, Reparti nr.307 Rubik, Reparti nr.323 Fushë Krujë, Reparti nr.303 Elbasan, Reparti nr.309 Skrofotinë, Vlorë, Reparti nr.309 Ballsh.

Pas daljes nga burgu, më 30.5.1979 u internua në Vashanj të Peqinit. Duke përfituar se një makinë shkonte për një gjenerator në Kukës, udhëtoi bashkë me të. Pastaj e kishte të lehtë të arratisej nga Shqipëria. U integrua lehtë në jetën e re sepse njihte mirë anglishten, frëngjishten, serbokroatishten. Punoi dy vjet në një bankë në Paris. Më 1981 shkoi në Suedi dhe u vendos atje. Me aq sa i lejon mosha, është aktiv edhe në rrjetet sociale.

Fotoja realizuar rreth vitit 1965 në Repartin nr.307 Rubik

S'KA KOMENTE