Xhemal Bali i revoltës së Spaçit, njeriu që shkroi parullën për ndërhyrjen e OKB-së

0
163

Më 3.10.2023 u shua në Sarandë në moshën 87 vjeçare, njëri nga të ridënuarit e revoltës së Spaçit, Xhemal Madan Bali, i cili u dënua tri herë dhe vuajti një dënim të pandërprerë prej 26 vjetësh. Hyri në burg në moshën 25 vjeçare dhe doli prej andej kur ishte 51 vjeç. Xhemali u lind më 26.3.1936 në Vërvë të Sarandës. Ishte kooperativist në kooperativën bujqësore të vendlindjes. Në vitin 1961 kishte mbaruar arsimin 2-vjeçar për veterinari në Tiranë.

Dënimi i parë

U arrestua më 15.3.1961. U akuzua në bazë te nenit 64 në kombinim me nenet 10 e 13 të Kodit Penal. U dënua së bashku me bashkëfshatarin e tij Alush Tahiri. Bëhej fajtor për shprehjet e tij për gjendjen e vështirë ekonomike në Shqipëri, kundër kooperativizmit, duke bërë biseda për arratisje nga viti 1957. Gjykata Ushtarake e Sarandës, me vendimin nr.41, datë 8.7.1961 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 17 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. U la në fuqi me vendimin nr.88, datë 13.9.1961 të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë.

Dënimi i dytë, ridënimi në Elbasan

U arrestua më 21.8.1967 kur kryente dënimin në Repartin nr.303 në ndërtimin e fabrikës së çimentos Elbasan. U akuzua në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal. Referuar hetuesisë së dënimit të tretë, dënimin e vuajti në repartet nr.307, 309, 303, për shkak të një letre anonime, akuzat e së cilës nuk i kish pranuar. Gjykata e Rrethit Elbasan, me vendimin nr.18, datë 27.10.1967, e deklaroi fajtor e dënoi me 10 vjet heqje lirie.

Dënimi i tretë, dënimi në revoltën e Spaçit

U arrestua më 23.5.1973. U akuzua në bazë të neneve 72, 73/2 dhe 76 të Kodit Penal, për pjesëmarrjen në revoltën e 21-23 majit 1973 në Repartin nr.303 Spaç. U pyet nga hetuesi Irfan Shaqiri në Tiranë, por nuk pranoi akuzën. Kundër tij formuloheshin këto fjali: “Ka marrë pjesë në revoltën e organizuar në kampin e Spaçit. Ka qenë ndër njerëzit kryesorë që u ka bërë thirrje të dënuarve të tjerë që të bashkoheshin me revoltën, ta vazhdonin atë dhe ka hedhur parulla nga më armiqësoret kundër pushtetit si: ‘Poshtë qeveria e Tiranës’, ‘Ja vdekje-ja liri’, ‘Poshtë komunizmi’. Ka marrë pjesë në shkatërrimin e stendave të emulacionit socialist. Së bashku me të dënuar të tjerë ka shkuar në zyrat teknike dhe ka kërcënuar personelin e këtyre zyrave se po të komunikonin me komandën gjatë revoltës do të vriteshin si spiunë të qeverisë. Ka shkruar vetë një parullë që i drejtohej OBK-së, me anën e së cilës kërkonte që të vinin përfaqësues nga fuqitë e mëdha dhe të shikonin gjendjen në kamp. Iu është kundërvënë thirrjeve të komandës për stabilizimin e gjendjes në kamp dhe u ka bërë thirrje të dënuarve të tjerë që të mos dilnin në punë, por të vazhdonin revoltën, etj.”.

Gjykata e Rrethit Mirditë, e drejtuar nga Filip Lako, me pjesëmarrjen e prokurorit Zef Deda, me vendimin nr.39, datë 25.7.1973, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 16 vjet heqje lirie, konfiskim të pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 4 vjet. Vendimi nuk u ankimua. U lirua më 6.4.1987 nga Reparti nr.303 Spaç.

S'KA KOMENTE