Vrasja e 14 burrave në Shkodër/ Gratë komuniste: “Hajdeni, se mishi asht lirue”

0
73

Kujtimet e një fëmije 6-vjeçar për 25 marsin 1945 kur në Shkodër u ezkekutuan 14 burra. Komunistët grumbulluan popullin, përfshirë gratë dhe fëmijët, që të shihnin “armiqtë” e vrarë nga dora e pushtetit. Mes popullit ishte dhe nëna e një të vrari

 

 

Më 25 mars 1945, pas murit të varrezave të Rrëmajit në Shkodër u ekzekutuan 14 burra, mes të cilëve luftëtari i njohur i Veriut, Prekë Cali; kleriku e shkrimtari, Dom Ndre Zadeja dhe dy djem 20 e ca vjeçarë që akuzoheshin se "kishin ndihmuar dhe strehuar reaksionarët". Pas ekzekutimit të viktimave, komunistët thirrën banorët e zonës për t’u dëshmuar triumfin mbi “armiqtë”. Një skenë e tillë do të kthehej në traumë për gjithë popullsinë dhe edhe më shumë, në dhimbje të pashlyeshme, për një nënë që dalloi të birin mes të vrarëve.

Kolec Mirash Traboini, në atë kohë vetëm 6 vjeç, ka përshkruar në librin e tij “Saga e familjes Traboini nën terrorin komunist”, botim i ISKK, kujtimet e 25 marsit 1945.

Mbas meshës, tue u kthye nga bekimi i larit, që bahej nji javë para pashkëve, të gjithë, gra e fëmijë, grumbull sa ishim në rrugë, na dalin para dy gra të lagjes, agjitatore komuniste. E na thonë:- Hajdeni me ne, se mishi asht lirue: as nji gjysë lekut kg dhe ka me bollëk. E kishin pasë fjalën për mish njeriut. Dhe bajshin me dorë se janë vra shumë vetë. Don s'don, duhej ndjekë ajo ngjarje makabre. Kur shkojmë, shofim 14 vetë të pushkatuem grumbull. Njeni mbi tjetrin, la në gjak fytyrat e tyne. Në krye të këtij grumbulli ishte Prekë Cali. I kishin vu cigaren në gojë dhe pshtetë për këtë grumbull, se ishte edhe ma i gjati, 2 metër burrë. Në këtë grumbull njerëzish, që nuk u njifshin asnji, të tanë ishin të lamë në gjak; fytyrat e tyne të tana të llangosuna në gjak. Nji nanë që ishte me ne në Kishë, po shikjon nji të vramë me përqendrim të madh, e për siguri, e shqetësueme, e shikjon, tue i prekë me dorë çorapet e leshit që ia kishte thurë vetë me dorë ato ditë... E përnjiherë mandej, ajo e njohu djalin e saj. Pa ia nisi me vikatë e me piskatë: «Luigj Gjeto Kastrati, po ty kush të ka pru këtu!?» E lëshohet me pikëllim. Ndër ato fjalë, partizani që rrinte me pushkë, në roje të këtyne të vramve, i thotë: «Pse po ban kështu? Për këtë armik të popullit? Për bashkëpunëtorin e Prekë Calit?» Nana Prendë i përgjigjet: «Për çfarë armiku je tue folë? Asht djali jem, 23 vjeç, djalë dishirit, se edhe babën ia kanë vra». Tregon nana e tij: «Në nade herët kam ndi se dikush më ka thirrë 'natën e mirë nanë! E kam shpinë buzë rruget...' paska kalue andej djali për pushkatim... Unë jam çue e kam dalë në derë, por nuk kam ndigjue ma asgja. Mendova se më kanë ba veshët dhe rashë prapë e pushova, mbasi ishte herët për në Kishë. Paska pa kenë zani i djalit tem, e zeza unë».

Luigj Gjeto Kastrati ishte më i riu mes 14 viktimave. Viktimat ishin nga 20 e ca vjeç deri në 70-vjeç. Sipas studiuesit Kastriot Dervishi, të ekzekutuarit ishin dënuar në procese të ndryshme. Dënimet i kishte dhënë Gjykata Ushtarake e Korparmatës III komuniste, ndërsa ekzekutimi u krye nga forcat e brigadës së 2-të të Mbrojtjes së Popullit me Petro Bullatin, komandant dhe Lako Polenën, komisar.

Emrat e viktimave dalin nga një korrespondencë e Shefqet Peçit (komandant i Korparmatës së 3-të) dhe Enver Hoxhës (komandant i përgjithshëm).

Ata ishin:

1 Prekë Cali

2 Dedë Lulash Smajli (Lukshi)

3-Dom Ndre Zadeja

4-Arif Selim Hyseni

5-Ndrec Lekë Loka

6-Nok Nik Bardhoku

7-Luigj Gjeto Kastrati

8-Gjok Nik Luli

9-Dul Bajram Muça

10-Tomë Lekë Daka

11-Mark Luc Gjoni

12-Maliq Bajram Muça

13-Pjetër Ded Gjedoshi (Maloci)

14-Gjokë Nikollë Vata

Ishte një periudhë e mbushur me vrajse politike, veçanërisht në Shkodër, të cilat nuk sosën kurrë gjatë regjimit komunist. Zakonisht kryheshin natën dhe banorët lajmëroheshin për to nga zhurma e krismave, por kishte edhe ekzekutime si ai i 25 marsit 1945 ku ata detyroheshin të merrnin pjesë e të shihnin me sytë e tyre skenën e tmerrshme të krimit. Bashkë me gjakftohtësinë patologjike të autorëve.

S'KA KOMENTE