U shpëtoi disa ekzekutimeve, kujtimet e të mbijetuarit të “Bristol”-it

0
420

Sezai Hysenbegasi rrëfen kujtimet e të gjyshit, Ihsan Hysenbegasi i cili u arrestua natën e masakrës së hotel Bristol-it

 

“Më 13 nëntor të vitit 1944, gjyshi dhe familja jonë me babanë, Ivzi Hysenbegasi dhe gjyshen, Hatmije Sulstarova Hysenbegasi jetonin në Tiranë. Atë ditë, më 13 nëntor, ishte lista se kush do të arrestohej, pa u çliruar akoma Tirana. U arrestua gjyshi në shtëpinë e tij, ku ishin komshi, në një shtëpi që kishin marrë me qira bashkë me gazetarin Nebil Çika. I kanë arrestuar të dy, në të njëjtën kohë. Duke i çuar në bodrumet e Hotel Bristolit, rrugës vranë Nebil Çikën. Gjyshi thoshte se ata që e goditën ishin partizanë me dialekt nga jugu”.

Sezai Hysenbegasi tregon rrëfimet e të gjyshit, Ihsan Hysenbegasi për torturat dhe përndjekjen e nisur që para se regjimi komunist të instalohej zyrtarisht në vend. Ihsan Hysenbegasi, në vitin 1943, punonte në prefekturën e Korçës. Vëllai i tij, Ziver Hysenbegasi, atë vit, u plagos në përpjekje me forcat komuniste dhe më pas, u bëri rezistencë në fshatin Starovë për pesë ditë, pas të cilave, partizanët hynë në fshat duke djegur të parën shtëpinë e Hysenbegasve. Ata po hakmerreshin që fshati mbështeste Ballin Kombëtar, ndërsa me vëllezërit Hysenbegasi ndjenjën e hakmarrjes e kishin më të fortë, edhe për faktin që kryetari i Ballit Kombëtar për Korçën, Xhevat Starova ishte djali i tyre i dajës. Kështu që Ihsani, që në nëntorin e 1944-ës, banonte familjarisht në Tiranë, u përfshi në listat e arrestimeve që komunistët kryen në kryeqytet para se ta merrnin atë zyrtarisht.

Pasi e mbajtën ca kohë në bodrumet e hotel “Bristol”-it, siç tregon i nipi për “Zërat e kujtesës IX”, Ihsan Hysenbegasin e çuan në një bodrum tjetër në Rrugën e Dibrës dhe më pas në burgun e Korçës, ku të arrestuarit i mbajtën 6-7 muaj para se t’i nxirrnin në gjyq. Si në Tiranë, edhe këtu, ai arriti t’i shpëtonte ekzekutimit.

“Edhe në Korçë, thoshte gjyshi, na morën pa bërë gjyq dhe na çuan në një pllajë andej nga Drenova dhe na thanë hapni varret. Na i mblodhën të gjitha çfarë kishim: ora, unaza dhe na vunë përpara gropave. Në kohën që do na vrisnin, erdhi një partizan që lart dhe bërtiste: “mos i vrisni se ka dhënë urdhër Mehmet Shehu se do dalin në gjyq”. Aty shpëtuam, tha gjyshi, pa na vrarë se ishim gati 100 burra që na kishin lidhur dorë për dore, të gjithë”. Bëhej fjalë për eksponentë të Ballit Kombëtar për zonën e juglindjes. Gjatë muajve të hetuesisë ai u rrah barbarisht. “Na rrihnin, tregonte gjyshi, dhe na torturonin. Na pyesnin…kë kishim vrarë. Ne, thoshte, as kishim vrarë, as kishim prerë njeri, kishim qenë në punën tonë”. Ihsan Hysenbegasi tregonte se Pilo Peristeri dhe Hysni Kapo i kishin propozuar, gjatë luftës, që të përhapnin fjalën në popull se ai kishte dalë partizan, duke qenë që Ihsani kishte reputacion të mirë në krahinën e tij dhe kjo do ndikonte që kjo qendër e Ballit, të shihte me sy të mirë Lëvizjen. Mirëpo ai kishte refuzuar pasi djali i vetë i dajës ishte drejtues i Ballit dhe familja ishte pranë këtij grupimi. Ai tregonte se më e keqja ishte se disa nga ata që e torturonin kishin qenë dikur me Ballin dhe ata i kishin ndihmuar.

“Kur dolën në gjyq, gjyshi u dënua me vdekje dhe, më pas, iu fal jeta. Ishte një gjyq i hapur, ka treguar gjyshi, ku u dënua me vdekje Xhevat Starova i cili qe komandant i Ballit, ashtu u dënuan me vdekje dhe dy persona të tjerë,të përfshirë me Ballin…Akuza e dënimit me vdekje ishte se ishin bashkëpunëtorë me nazizmin dhe fashizmin, si eksponentë të Ballit Kombëtar. Aty u kërkua që të dënohej me vdekje, por, për fat të mirë, në gjyq i doli dëshmitare Flora Dishnica që ishte gruaja e doktor Ymer Dishnicës. Në atë kohë, Ymeri ishte anëtar i byrosë politike dhe akoma nuk i ishte dhënë dënimi. Flora në dëshminë e saj tha se ky më ka shpëtuar jetën, kur e kishin arrestuar italianët, ndaj kërkoi lirimin e gjyshit nga burgu. Mbasi kërkoi lirimin, një prokuror nga Pogradeci, me emrin Met Minarolli, i tha gjyshit se ishte plagosur, edhe njëherë tjetër, në rrugën e Korçës nga partizanët. Ai e bëri këtë që të ngatërronte vëllanë e gjyshit, Ziverin që ta arrestonin edhe atë. Gjyshi, në atë moment, ngrihet dhe thotë se ishte plagosur, për të shpëtuar vëllanë. U kërkua 10 vjet burg për gjyshin. Shpëtoi nga dënimi me vdekje prej Florës. Metja e dinte se nuk ishte ky, por ishte i vëllai, sepse në atë kohë gjyshi ka qenë në Korçë dhe jo në Pogradec, kur u plagos xhaxhai.

Ihsan Hysenbegasi e kreu dënimin në kampin e Maliqit, në Beden dhe Tërbuf. “Nga vuajtjet që kaloi në procesin e tharjes së kënetës së Maliqit, gjyshi u prek nga tuberkulozi. Në Maliq, ishte i dënuar edhe djali i xhaxhait të tij, doktor Isuf Hysenbegasi. Aty gjeti edhe një kushëri tjetër, i cili ka qenë prefekt i Korçës, Zenel Hysenbegasi. Doktor Isufi e shpëtoi nga vdekja. Në fillim, tregonte gjyshi, na jepnin vetëm çaj pa bukë, në darkë 2 gështenja, ose një kokërr arre për të ngrënë. Më pas, filluan të jepnin 100g bukë, por edhe racionin e bukës, ata që pinin duhan, e ndërronin me cigare. Ndihmat nga shtëpia nuk i lejonin edhe pse nga familja nuk mund të kishin asgjë sepse ua kishin marrë të gjitha.

Më e keqja ishte se, në 1946, arrestuan xhaxhanë Ziverin edhe xhaxhanë tjetër, Muharremin. Ziveri nuk ishte tamam me Ballin, thjesht ai bashkohej me eksponentët e Ballit. Pasi u plagos njëherë, u bashkua me Xhem Gostivarin. U nis të arratisej me forcat e Mehmet Alemit, në Shkodër, por u kthye për hir të familjës sepse mori vesh se i kishin arrestuar vëllanë në Tiranë. Kur mori lajmin e vëllait ishte në Lezhë, Milot dhe u kthye. Xhaxhai tjetër, Muharremi u arrestua në kohën e provokacioneve të grekut dhe u dënua 7 vjet burg. E mbajtën vetëm 1 vit në burg. Në familje, mbeti vetëm babai Ivziu, i cili në atë kohë ishte12 vjeç. Ngaqë iu sekuestrua çdo gjë toka, bereqeti, nuk kishin asgjë për t'u ushqyer.

Në këtë periudhë, xhaxha Muharremit dhe xhaxha Ziverit, prej urisë iu vdiqën nga një vajzë secilit. Babai tregonte se vajzat qanin gjithë natën për bukë. Vajzat ishin 2 dhe 3 vjeçe dhe në mëngjes i gjetën të vdekura, të dyja”.

Edhe në Beden, ushqimi dhe kushtet ishin të mjerueshme. Gjyshja e Sezaiut, shiti çfarë i kishte mbetur nga paja që të siguronte ushqime, për t'i dërguar në burg. Shkonte bashkë me të birin, babanë e Sezaiut për të takuar të shoqin pas hekurave, të paktën deri në vitin 1954.

Mbasi dënimit të Ihsanit, ajo dhe i biri u kthyen në Starovë dhe më pas shkuan përsëri në Tiranë, sepse babai i Sezaiut shkoi në shkollën bujqësore të Kamzës. Atje përfundoi studimet për agronomi, por vetëm 6 muaj punoi në profesion në Pukë dhe më pas e pushuan nga puna.

“Mbasi u kthye, atë e morën ushtar. Kur u lirua nga ushtria, doli nga burgu edhe gjyshi.

Gjyshi nuk u kthye më në Starovë, por filloi punë në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë. Në vitin 1956, e thirri Eleni Pashko, e cila qe gruaja e Josif Pashkos. Eleni ishte deputete e Pogradecit, në atë kohë. I kishin shkuar të dhënat se, armiku i popullit Ihsan Hysenbegasi, jeton në Tiranë. Në atë kohë, familja jetonte tek Selvia, në Rrugën e Dibrës. Ata i gjetën adresën e saktë. Në mars të vitit 1956, u mblodh Kuvendi Popullor, i cili mori vendimin për t’i dëbuar nga Tirana. Vendimi shkoi në Komitetin Ekzekutiv të Tiranës dhe më pas i trokitën në shtëpi duke i thënë se duhej të largohej nga Tirana. I vunë disa pika, ku nuk mund të jetonte…”

Në mars 1956, një makinë Skoda ndaloi para shtëpisë së tyre për t’i çuar përsëri në Starovë. Atje shtëpinë ua kishin djegur. “Ziveri dhe Muharremi kishin dalë më parpara nga burgu dhe ishin munduar duke rregulluar hauret e lopëve për të jetuar. Edhe gjyshi mori një dhomë me babanë dhe gjyshen”, tregon Sezaiu. Tre vëllezërit Hysenbegasi jetuan thuajse të izoluar duke iu shmangur çdo mbledhjeje, bisede, madje edhe kafenesë së vetme të fshatit, sepse e dinin që ishin gjithë kohës në survejim dhe çdo fjalë e tyre mund të përdorej për t’i dënuar. Kështu e ngrysi  jetën Ihsan Hysenbegasi, ndërsa dënimet me burg, torturat, internimet dhe privimi i të drejtave preku gjithë fisin e tij dhe pasardhësit deri në brezin e tretë.

Mbështetur në librin “Zërat e kujtesës” vëllimi IX, me intervistuese Juliana Uznova Kurti, botim i ISKK. Në foton kryesore, Sezai Hysenbegasi, marrë po nga libri.

S'KA KOMENTE