
Shifrat e të dënuarve që punonin në sektorët e ndryshëm të ekonomisë në vitin 1970
Sipas një informacioni të datës 4.1.1970 të drejtorit të Drejtorisë së Policisë Popullore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, e cila mbulonte kampet dhe burgjet, deri këtë kohë, punonin me detyrim në sektorët bujqësi, ndërtim dhe miniera 3444 të dënuar, prej të cilëve 1282 të dënuar politikë. Regjimi i quante nëpër letra “punëtorë të detyruar”. Ndonëse prej vitit 1952, me miratimin e Kodit Penal, në asnjë vendim gjykate nuk shënohej vuajtja e dënimit me punë të detyruar, kjo ishte bërë fakt dhe puna e tyre shfrytëzohej nëpërmjet forcës. Madje në raste revoltash apo kundërshtimesh (siç ndodhi më vonë në vitin 1973 në Spaç), gjykata i ridënonte ata që nuk donin të punonin për “sabotim ekonomik”.
Në vitin 1970 ishte rritur shfrytëzimi i punës së detyruar në miniera. Këtë kohë, nga ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ishte hedhur ideja që kampet të përqendroheshin në perspektivë më shumë pranë minierave, në mënyrë që kostoja e lëvizjes së tyre të mos llogaritej më. Në miniera, vlerësoheshin të ardhura gjithnjë e në rritje të nxjerrjes së mineralit.
Ndarja e të dënuarve në vitin 1970 ishte si më poshtë:
1-Në sektorin e bujqësisë në hapjen e tokave të reja, kanalizime, tarraca, punonin 1317 të dënuar:
a-Në Rrethin e Vlorës, Reparti nr.309, 310 të dënuar politikë
b-Në Rrethin e Sarandës, Reparti nr.305, 368 të dënuar ordinerë
c-Në Rrethin e Elbasanit, Reparti nr.315,354 të dënuar ordinerë
ç-Në Rrethin e Lezhës, Reparti nr.325, 285 të dënuar ordinerë
Puna vlerësohej me rendiment të ulët.
2-Në sektorin e ndërtimit punonin 706 të dënuar:
a-Në sektorin e Bulqizës, Reparti nr.301, 372 të dënuar ordinerë
b-Në sektorin e Repsit, Reparti nr.303, 334 të dënuar politikë
këta realizonin dhe e tejkalonin normën.
3-Në sektorin e minierës punonin 1421 të dënuar:
a-Në minierën e Bulqizës, Reparti nr.301, 883 të burgosur ordinerë
b-Në minierën e Spaçit, Reparti nr.303, 538 të dënuar politikë
Në foton kryesore: Spaçi, ku punonin të burgosurit