“Sorrat” mbi kokën e Bilal Xhaferrit

0
488

“Bredhi i bukur në oborrin e lidhjes së shkrimtarëve ishte mbushur me sorra. Ato krokëllinin në mes të ditës, me të thirrura si ca ustallarë që s’ndërtojnë asgjë, ngriheshin e uleshin nëpër degë, fluturonin duke zëvendësuar njëra-tjetrën, largoheshin dhe ktheheshin përsëri”, kështu nis tregimi i shkrimtarit Bilal Xhaferri, kushtuar lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, gjatë regjimit komunist. Janë disa krijime të tij të pabotuara që ishin sekuestruar nga Sigurimi i Shtetit, gjatë kohës kur po i përgatitej dosja për ta arrestuar. Në dosjen e survejimit të tij nga Sigurimi, vërtetohet se njëri nga bashkëpunëtorët e Sigurimit dhe njëkohësisht pjesë e të njohurve të Bilalit, ishte caktuar të merrte fletoren me dorëshkrime, të cilën ia kishte dorëzuar më pas operativit.  Dorëshkrimet u cilësuan si me përmbajtje të dyshimtë ndaj u fotokopjuan nga Sigurimi i Shtetit. Një prej tyre është edhe tregimi për “Lidhjen e Shkrimtarëve”

Është një ndër materialet ku duket më qartë përçmimi dhe neveria për Lidhjen e Shkrimtarëve bashkë me ndjenjën e persekutimit që kishte ndier e po ndiente nga institucionet e diktaturës, ku ishte pjesë edhe Lidhja.

Bredhi i bukur në oborrin e lidhjes së shkrimtareve ishte mbushur me sorra. Ato krokëllinin në mes të ditës, me të thirrura si ca ustallarë që s’ndërtojnë asgjë, ngriheshin e uleshin nëpër degë, fluturonin duke zëvëndësuar njëra-tjetrën, largoheshin dhe ktheheshin përsëri.

Oborri ishte me avlli të lartë dhe me derë të hekurt, si në mesjetë. Avllija ishte ngarkuar me lule thinjoshe bimësh kacavjerrëse që lulëzonin tani në vjeshtë dhe kundërmonin një erë si ajo e shtogut.

Kalova në oborr, ngjita shkallët e rrumbullakëta, hyra në koridor dhe në të majtë, e dimë, atje ishte financa.

Po financier s’qe atje.

Dolla përsëri. Në xhep lëmova me gishtërinj pesë lekëshin e fundit që më kish mbetur. Një pesë lekësh bën pesëdhjetë qindarka dhe me pesëdhjetë qindarka s'bën dot asgjë.

Isha edhe i parruar, kjo sipas meje s’kish rëndësi.

Në rruginën e oborrit shtruar me bojak të kuq, nxorën turirin dy këpucë llustrafine, të verdha si hundët e nuselalës. Ngrita vështrimin.

Ai që rrinte ishte një i njohur, por unë nuk ia dinja emrin. Qe veshur me kostum kaf me xhamadan, mbante syza dielli dhe sapo do ishte rruar se faqet i shkëlqenin nga kremi. Me një fjalë në rregull.

Tungjatjeta

Tungjatjeta

Si je, si shkon?

Të faleminderit, ti si ia shpie?

Ai hoqi gjyslyket, sytë i kish të gjelbër,

-Solle ndonjë gjë për “Dritën”-tha

-Jo erdha të marr ndonjë gjë…

Më vajtën sytë tek këpucët e mija të plasaritura, të shqepura… dukej sikur i ngërdhesheshin këpucëve të tij llustrafine. Ka të ngjarë që edhe fytyra ime e parruar dhe e dobësuar, të dukej sikur i ngërdheshej fytyrës së tij të pastër..

-E lexove “Dasmën” ?-tha ai.

Nuk e di pse iu kish hypur në kokë njerëzve dhe një më dy e më pyesnin në e kisha lexuar apo jo “Dasmën”.

  • Jo nuk e kam lexuar- iu përgjigja-po nuk më pëlqen…
  • Sytë e tij të gjelbër shprehën habi,… nuk e kisha lexuar dhe megjithatë nuk më pëlqente…?
  • Kështu në përgjithësi me sa kam dëgjuar nuk është kushedi çfarë- thashë.
  • Ai ishte i ngeshëm dhe qëndruam akoma atje te “Dasma”
  • Dukej ca i fantaksur- tha ai dhe buzëqeshi me dashamirësi- me siguri je duke shkruar ndonjë gjë… more se harrova, ç'bëre me romanin? Përfundove?
  • Ku e di ky se unë po shkruaj nje roman- mendova me besdi...-e dorëzova- iu përgjigja.
  • Ai më shtrëngoi dorën dhe më uroi.

Kur dolla nga porta e hekurt, rruga binte erë shtog. Sipër avllisë sorrat bënin gjithnjë shamatë rrotull bredhit. Thonë se kur krrakitin sorrat kaqë shumë, prishet koha. Ato parandjejnë shiun, ç’shpendë interesantë. Duhet të jenë shumë të zgjuar që e gjejnë këtë gjë para kohe, pa asnjë aparat sinoptik.

Nga pesëlekëshi dora më vajti te mjekra e parruar. Pastaj sytë më vajtën te këpucët dhe gjunjët e pantallonave.

I fantaksuri, mendova....

 

S'KA KOMENTE