Vështirësitë që përballonin familjarët për të takuar të afërmit në burg, ishin një dënim më vete për këto familje. Ngaqë makinat nuk i merrnin, iu duhej të përshkonin kilometra të tërë në këmbë, të përballonin vapën apo acarin dhe jo rrallë, kur nata i zinte në rrugë, ta gdhinin nën qiell të hapur. Ndodhte dhe që e vetmja gjë që do ia zbuste këto mundime, takimi me të afërmin dhe lënia në duart e tij të ushqimeve të mbledhura me sakrifica, të mos ndodhte sepse për një arsye ose një tjetër, policët i urdhëronin të ktheheshin mbrapsht pa u takuar me të afërmin. Vështirësitë e një nëne të re që ndoqi bashkëshortin e saj, në Skrofotinë, Ballsh e për 9 vjet në Burrel i tregon Sofika Cara, në kujtimet e saj
Nga Sofika Cara
Skrofotina
Nga Tirana, Bardhin e transferuan në Skrofotinë. Kampi i burgut këtu ishte i futur prapa një kodre me ullinj, e cila kishte pamje nga ana e detit e, nga rruga kryesore që ne zbrisnim, nuk dukej fare. Aty të burgosurit punonin si skllevër e nxirrnin kripë…Nuk ka kalem që t’i shkruaj tmerret e burgut! Sepse rastet e ngjarjet e hidhura ishin të shumta në ato 3-4 vjet që Bardhi qëndroi aty. Po ju tregoj vetëm një rast: Për të shkuar në burg, ishte më kollaj sepse kishte dy autobusë, por edhe ndonjë makinë të rastit, biletat priteshin në agjenci një ditë para, për linjën Fier-Vlorë. Më e keqja ishte kthimi, se autobusët mbusheshin në Vlorë, jashtë vendeve nuk merrnin më, sepse kontrollet e policisë rrugore ishin të rrepta. Makinat e rastit, edhe ato vinin të zëna, por më e keqja ishte se edhe ato makina tek-tuk, që mund të kishin ndonjë vend, nuk ndalonin, kishin frikë, sepse pak më tutje rrinin ata të kontrollit rrugor. Shumë herë na binte radha të ktheheshim deri tek ura e Mifolit në këmbë, deri në Levan, por shumë rrallë në Fier vinim në këmbë. Ja, qëlloi dhe ky rast, që erdhëm nga Panajaja e Vlorës në Fier, në këmbë. Ditën e takimit, një herë në muaj, do t’I çonim ato pak ushqime që ua hiqnim nga goja fëmijëve. Në atë kohë ushqimet ishin me listë, me racion (!) Shumë herë na shkonte rruga huq, sepse policët na thoshin:
-Sot nuk keni takim me Bardhin, se është i dënuar për kokëfortësi,-as ushqimet nuk i pranonin. Për një nga këto ditë dimri do t’ju tregoj, që ishte dita e takimit. U nisëm me kunatin dhe fëmijët, meqë kishim dy muaj rresht që s’i merrnim ata e Bardhi na i kishte kërkuar. Koha ishte pak e ftohtë, por pa shi, veç me disa re të murrme. Kur mbërritëm në kamp, për fat të keq, nuk na lanë në takim, as ushqimet nuk i pranuan, me gjithë lutjet tona. Bardhi ishte dënuar përsëri. Nga ora dymbëdhjetë e drekës ikëm nga kampi, për t’u kthyer në shtëpi. Koha u nxi, retë filluan të shtoheshin; pas pak nisën bubullimat, vetëtimat dhe pas tyre nisi një shi i lehtë. Ishim afër detit! Në atë pozicion që ishim, si në fushë të mejdanit, nuk kishte vend ku të fusje kokën. Ishte shumë ters! Disa makina që kaluan, u nxorrëm dorën, por nuk na morën. Shiu sa vinte dhe dendësohej, vetëtimat të prishnin sytë, fëmijët kishin frikë shumë, bubullimat të shurdhonin daullet e veshëve, ndërsa shiu shoqërohej nga një erë e ftohtë. Sikur të mos mjaftonin këto, s’e la mangut as breshëri (kjo zonë shquhet për këtë kohë të keqe). Jo vetëm të vegjëlit që kishim me vete, por edhe ne të mëdhenjtë kishim frikë. Ishte një nga më të këqijat ditë të dimrit ndoshta ajo që po përjetonim ne. Kur ishim nisur, kishte qenë ditë e mirë, s’na e mori mendja se do të kalonim këtë të keqe. Djali ishte 5 vjeç, vajza ishte 9-muajshe, e lidhur kopanec. Të dy të vegjëlit filluan të qanin; djali ishte shumë i shëndetshëm, kunati e kapi prej dore, e ngjeshi pas vetes e pas pak ai pushoi së qari. Kunati kishte në krahë edhe çantat me ushqime, që nuk na i pranuan. Bashkë me ne ishin dhe dy hallexhinj të tjerë, vëlla e motër nga Elbasani. Edhe ata kishin një vëlla në burg, të cilin e takuan, por edhe neve na ndihmuan shumë atë ditë. Ata ishin katër, dy vëllezër dhe dy motra të pamartuara nga gangrena “lufta e klasave”… Njerëzit kishin frikë të martoheshin me këta fatkeqë. Në ato kohë ecnim e ecnim dhe nuk vinim re ku i hidhnim këmbët, duke llapashitur nëpër gropat e rrugës, të mbushura me ujë…Avash, avash arritëm tek ura e Mifolit e djali filloi të ecte përpara, por kur arriti tek ura, ai ndaloi. Vjosa ishte fryrë nga shirat e shumtë që kishin rënë e uji i turbullt kishte nisur ta mbulonte urën dy-tri pëllëmbë. Ishte pas dreke vonë! Uji i shiut na kishte hyrë nëpër trup, deri në palcë; rrobat na rëndonin, aq sa mezi i hidhnim këmbët. Të ftohtët e asaj dite dimri na kishte hyrë edhe në zemër, mjekra na dridhej, fjalët që donim t’i flisnim njëri-tjetrit, na dilnin copa-copa, se na kishin ngrirë në buzë si akulli. Fëmijët ishin zbehur nga të ftohtët, mishi e qimet u ishin ngritur përpjetë si gjembat e iriqit. Duart e mia të ngrira mezi po e mbanin vajzën kopanec, që qe rënduar nga uji i shiut. Me gjithë këto halle që kishim, na duhej të nxitonim sepse Vjosa kishte dalë mbi urë dhe, sa vinte, uji e ngrinte nivelin. Dielli kishte shumë që kishte perënduar, po errej. Të mos kalonim, s’kishim ku të rrinim! Atëherë i vumë detyrë vetes ta kalonim urën e të shkonim drejt Levanit për ndonjë makinë…Djali qe i vogël, i shkurtër e, kur hyri në urë, uji i vinte deri te barku! Kunati e kapi shpejt, e mori në krahë, kurse çantat i morën miqtë nga Elbasani. O Zot! Vetëm ti më dhe forcë e kurajo…
Në shtëpi arritëm në të gdhirë, në këmbë. Miqtë e Elbasanit erdhën me ne në shtëpi për dy orë, u thanë, u ngrohën e u dhamë rrobat tona që u ndërruan. Në mëngjes i përcollëm ata tek stacioni i trenit, që ishte 5 minuta larg nga shtëpia jonë...
Nuk fjetëm fare atë natë! Në mëngjes, në orën 7 pa një çerek, u nisa për punë, sepse, po të bëja mungesë (dhe unë isha gotë e krisur) nuk të pranonin pa pasur raport! Por para se të nisesha në punë, edhe pse isha e rraskapitur, hapa çantat e ushqimeve, që i kishim përgatitur për Bardhin në burg. Çfarë mendje kisha pasur! Kishim mbajtur kot peshën e ujit, sepse disa ushqimeve, si sheqerit, miellit e niseshtesë u kishin mbetur vetëm letrat e ambalazhit…Makoranat ishin bërë brumë, i mora, i ngjesha e bëra kuleçë; orizi ishte zbutur krejt, si pilaf dhe e hodha në tepsi, që të thahej për supë…
(Pas Skrofotinës, Bardhin e transferuan në Ballsh dhe pas Ballshit, në Burrel- shënim i kujto)
…Pas gati dy vjetësh, Bardhin e transferuan në Burrel. U hidhëruam e u mërzitëm, që na e çuan shumë më larg, por se mos kishim gjë në dorë!
Burgu i Burrelit
…Bardhi aty qëndroi gati 9 vjet, pra, si “armik” i betuar, aty e kishte vendin (?!) Kur shkuam për herë të parë në atë burg famëkeq, na u duk sikur kishim shkuar nga Fieri në fund të botës! Kujtimet e asaj rruge të keqe për ne ishin shumë të hidhura. Ato pamje të zymta më kanë lënë mbresa të trishtuara, të frikshme, të pashlyeshme… Në dimër ngrica e bora i bënin rrugët shumë të vështira për t’u kaluar. Në atë kohë rrugët ishin shumë të ngushta vende-vende, të shtrurara keq e keq e në shumë raste të prishura…Rruga vinte dredha-dredh, makina arrinte në majë të malit e zbriste pastaj në qytetin e Burrelit…Rrugët në qytet ishin me trotuar, mes tyre ishin mbjellë mollë dhe, kur ato piqeshin, nuk i prekte njeri me dorë. Shtëpitë ishin me bahçe dhe poshtë tyre kishin mbjellë luleshtrydhe, kurse para portave lule shumëngjyrëshe. Por velloja e frikës kishte hyrë edhe aty. Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në brg, banorët mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët. I vetmi hotel që ishte atëherë në Burrel, gjithmonë nuk kishte vende. Na shikonin me çanta në dorë e fytyrat e tyre sikur na thonin: “Ah, në burg paskeni qenë?! Mirë jua bënë!”
…Meqë Fieri ishte larg Burrelit, lëvizjet e makinave ishin të pakta, na duhej që një natë ta kalonim në Tiranë ose në Burrel. Kur mbaronim punë vonë nga takimi me burrin, sidomos në dimër, nata na zinte aty. Në këto raste, “hoteli” ynë ishte tek kumbullat e zeza, në hyrje të Burrelit, karshi repartit ushtarak. Aty ndaheshin rrugët Burrel-Batër-Laç…Kishte shumë raste që flinim aty. Po kujtoj një rast: Burgu ishte në periferi të qytetit, takimin me burrin e mbaruam vonë, se kishte njerëz shumë atë ditë. Nuk kishte ditë të caktuara takimi, si në kampet e tjera. Sa erdhëm tek tri rrugët, u errësua, makina nuk gjetëm. Atë ditë kishte rënë afërsisht gati dy pëllëmbë borë. Shkuam tek kumbullat, se aty afër ishin, vumë poshtë kumbullave çantat, u ulëm mbi to dhe u mbështetëm tek trungjet e tyre. Nga lodhja dremisnim dhe nuk e ndienim që bora po shkrihej nga ngrohtësia e trupit tonë…Kur ngriheshim, nga mesi, poshtë e mbrapa, ishim njomur deri në mish, pa e kuptuar fare! Të ftohtit na hynte deri në zemër. Ishte dimër! Kur bënte ngricë, rrobat tona ngrinin si mushama. Para se të zbardhte mirë dita, niseshim rrugës në këmbë, na vinte zor të na shikonin të njomur mbrapa, se kush e di çfarë do mendonin…Rruga e Burrelit, siç shkruajta dhe më lart, ishte shumë e vështirë për t'u kthyer. Sa herë na ka ndodhur të zbrisnim në Batër, që kishte një ulje nga Burreli, e të ngjiteshim prapë lart në atë të përpjetë, për të gjetur ndonjë makinë nga ato që ngarkoheshin me mineral në Batër! Kur nuk gjenim, niseshim në këmbë, sepse i kishin zënë vendet më parë të tjerët. Edhe një autobus që ishte, biletat priteshin një ditë përpara, niseshim me këmbë me shpresë të gjenim ndonjë vend nga njerëzit që zbrisnin fshatrave të Burrelit, që të hipnim ne. Kemi ecur në këmbë deri te hidrocentrali i Ulzës. Ndodhte edhe kështu: Kur niseshim vonë, errësira na gjente rrugës, mendonim gjithmonë për të gjetur makinë për në Tiranë, të shkonim të flinim tek hallë Detja. Nata ishte shumë e frikshme! Rruga që kalonim ishte poshtë një kodre, anash maleve me pyje, me dru ahu e dushku, ulërimat e ujqërve në brendësi të pyllit dëgjoheshin deri poshtë në rrugë. Të trembur, të heshtur, ecnim duke u dridhur, pa i kuptuar metrat e kilometrat e rrugës që përshkonim. I lutesha me lot në sy Zotit: O Zot, na ndihmo!
…Nga udhëtimet nëpër dimrin e egër e të ftohtë, disa herë jam ftohur e më ka ikur zëri dhe vetëm me ilaçe e duke bërë gjilpëra, më vinte zëri….Pavarësisht nga mosha e re që kisha, detyra ime ishte më e madhe se mosha që kisha, për të rritur e për të mbajtur dy fëmijë të pambrojtur, vjehrrën, që vuajtjet e kishin lodhur e plakur para kohe shumë, kunatin beqar e të sëmurë, që i ranë në kurriz një mal me halle të pambaruara.
Shënim: Marrë me shkurtime nga libri Të falësh Fisi i vjetër kavajas Cara, i autores Sofika Cara, botim i ISKK, Tiranë 2014
Para këtij shkrimi, kujto.al ka botuar historinë e dënimit të Bardhi Carës dhe fillimin e vuajtjeve për Sofikën.