Polici xhelat i Qafë-Barit që u arrestua si përdhunues pedofil në vitin 2012

0
192

I mbijetuari i kampit burg të Qafë-Barit, rrëfen krimet e policit të egër që shtypi revoltën. Polici i shpëtoi ndëshkimit për krimet që kishte kryer në diktaturë, por vite më vonë do të arrestohej nga policia pasi u kap në flagrancë duke kryer vepra të turpshme me të mitur nën kërcënimin e armëve të ftohta. Polici pukjan i diktatures do te zgjidhej kryeplak nga Rilindja e më pas do të denoncohej nga opozita si pjesë e grupit për shitblerjen e votave në zgjedhjet e 14 majit.

Ndue Loka ishte një polic i egër, shumë i egër në shtypjen e revoltës së Qafë-Barit në maj të vitit 1984. Ai ishte nga Gjegjani i Pukës dhe u shqua ndër të tjerë për dhunën e ushtruar në tri ditët e revoltës së Qafë-Barit ku u pushkatuan dy të burgosur politikë. Shumë të tjerë u gjymtuan dhe në këtë makabritet ishin autorë policët e burgut ndër të cilët edhe Ndue Loka, por edhe Nikollë Uka. Të dy ishin nga fshatrat e Pukës dhe shërbenin në kampin  burg të Qafë-Barit.

E kanë rrëfyer egërsinë e tyre ish-të burgosur politikë në Qafë-Bari. Në rrëfimin e tij për librin “Zërat e Kujtësës”, Lekë Frroku, i dënuar politik në Qafë-Bari ka rrëfyer dy policët e egër që gjymtuan të burgosurit e ngritur në revoltë.

“Njëri prej tyre ishte Ndue Luka. Ka disa muaj, që emri i tij doli në gazetë e media si përdhunues i një djali njëmbëdhjetëvjeçar. Dmth edhe në liri, ai e provoi se ç’njeri i keq ishte.

Një tjetër ishte Nikollë Uka, që e këputi në shpinë Sandër Sokolin. Plus që rrahu edhe të tjerët”,- rrëfen Lekë Frroku, i mbijetuar i kampit burg të Qafë-Barit.

Leka e ka njohur Ndue Lukën kur ky i fundit u shfaq në media i arrestuar për vepra të turpshme për përdhunim të një fëmije. Ndue Luka i shpëtoi ndëshkimit për krimet që kishte kryer në diktaturë, por vite më vonë do të arrestohej nga policia pasi e kapën në flagrancë duke kryer vepra të turpshme me të mitur nën kërcënimin e armëve të ftohta. Ndue Luka vinte nga Gjegjani me qëllim për të ngacmuar fëmijë në rrugët e Tiranës derisa policia e kapi në flagrancë dhe e arrestoi. “Një 65-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohet se ka kryer veprime të turpshme me një djalë të mitur. Ngjarja ka nisur në qendër të Tiranës, te rruga “Ibrahim Rugova” dhe ka përfunduar te kodrat e Liqenit Artificial me arrestimin në flagrancë të të moshuarit Ndue Luka. Mësohet se Luka ka tentuar të abuzojë seksualisht me djalin e mitur, por më pas është mjaftuar me disa veprime të turpshme, duke e detyruar të heqë rrobat që kishte veshur, pasi ishte zhveshur edhe vetë në pjesët intime. Burime nga Policia thanë se i dëmtuar është një djalë 13 vjeç, me iniciale G. F., i cili kishte dalë në rrugë për të lypur bashkë me disa bashkëmoshatarë të tij. I mituri është mashtruar nga Luka, i cili i ka premtuar se do ta qeraste në rast se do të shkonte më të, më pas e ka rrëmbyer jashtë dëshirës së tij, duke e kërcënuar me një biçak që mbante në xhep”, shkruan Panorama më 31 korrik 2012.

Ndue Luka ishte aktivist i Partisë Socialiste. Në vitin 2013, kur socialistët erdhën në pushtet, Ndue Luka u rehabilitua si figurë dhe shpejt do të bëhej një ndër drejtuesit e Rilindjes në Pukë sepse do të zgjidhej nga kjo parti si kryeplak i fshatit Gjegjan. Emri i Ndue Lukës do të shfaqej në fushatën e zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit 2023 si një ndër personat që do tentonte të ndërhynte në procesin e zgjedhjeve duke kërcënuar me armë.

Denoncimi i PD-së

1-Fiqiri Dani, shefi i komisariatit të Policisë Pukë, thërret në zyrë qytetarët dhe vartësit e tij duke u bërë presion mos të dalin të votojnë në të kundërt do kenë pasoja. 2-Imer Rexha, punonjës i policisë së Rendit, shpërndan para për blerje votash në Pukë. 3-Ndue Jaku punonjës i policisë Rrugore, shpërndan para për blerje votash në Gjegjan. 4-Sokol Frroku, shoferi i kryetarit të bashkisë Pukë, i sapodalë nga burgu me precedent penal lëviz i armatosur në qytet. 5-Besmir Selmani, me precedentë penal, i sapodalë nga burgu, lëviz i armatosur 6-Ed Ndoja, kontigjent policie, lëviz i armatosur. 6-Zef Luka, me precedentë penal, i dënuar, lëviz në zonën e Gjegjanit i armatosur. 7-Lek Luka me precedentë penal, i dënuar, lëviz në Gjegjan i armatosur. 8-Ndue Luka, kryeplak i fshatit Gjegjan, me precedent kriminal, lëviz në Gjegjan i armatosur. 9-Gjin Gega, përgjegjës i OSHEE-së Fushë-Arrëz, kërcënon njerëz. 10- Lul Mema, admistrator i Njësisë Rrape, shpërndan para për blerje votash. Këta persona në bashkëpunim lëvizin të armatosur me makina pa targa në të gjitha rrugët e bashkisë Pukë, bllokojnë rrugët dhe ndalojnë qytetarët dhe përfaqësuesit e opozitës, duke mos i lejuar të bëjnë fushatë.

Ata që kundërshtojnë dhunohen fizikisht ose shoqërohen në polici.

Policia është vënë në dijeni, por ndaj tyre nuk merr asnjë masë, madje bashkëpunon me ta.

Grupi Gjegjani ka 12 radio policie në përdorim dhe për lëvizjet dhe ndjekjet që bëjnë i komunikojnë çdo personi dhe përfaqësuesi të opozitës kur hyjnë në zonën e tyre.

I bëjmë thirrje Prokurorisë që të nisë hetimet për këto shkelje flagrante të lirisë së shprehjes dhe dhunën që ushtrohet në këtë ambient.

I kërkojmë OSBE-ODHIR-it që të ketë parasysh të gjitha këto abuzime dhe t'i marrë parasysh për raportin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 majit”, theksohet ndër të tjera në deklaratën e PD-së në fushatën e zgjedhjeve të 14 majit.

Shënim: Pjesë nga intervista e Lekë Frrokut është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistues Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

 

S'KA KOMENTE