
Ishte një ditë e nxehtë gushti, kur në duart e brishta të poetit do të shtrëngoheshin prangat. Teksa dilte nga shtëpia e të motrës, Santës, i veshur me rrobat e liridaljes së kapitenit, do t’i priste rrugën një duzinë me civilë të armatosur. “Trifon Xhagjika, në emër të popullit jeni i arrestuar!” Britma e tyre do ta trondiste zemrën e poetit, që fillimisht kundërshtoi, por çdo gjë më tej do të shkonte ashtu sikundër ishte paracaktuar.
Nga Afrim Imaj
Një pasdite të ftohtë dhjetori, në kapërcyellin e vitit 1963, në Tiranë do të hapej lajmi se kishin pushkatuar poetin, Trifon Xhagjika. Fillimisht fjala do të qarkullonte nën zë në komunitetin e shkrimtarëve, pastaj në radhët e gazetarëve ushtarakë dhe së fundi do të merrte dhenë në lagjen afër “Florës”, ku kishte jetuar njeriu që ishte martirizuar. Ajo që kishte ndodhur ishte mbështjellë me mister dhe çdo interesim për më tej mund të kushtonte rëndë. Gjithsesi, poeti nuk do të rikthehej më te lagjja e vjetër, te kolegët e gazetës “Luftëtari” dhe as te blloqet, ku kishte lënë me mijëra vargje në dorëshkrime. Vonë, shumë vonë, të tjerët do ta merrnin vesh atë që kishte ndodhur… Për Sotira Tolën, motrën e poetit të martirizuar, kreshpa më e lartë e jetëshkrimit të Trifonit është qëndrimi dinjitoz në sallën e gjyqit, ku guxoi të shpërthejë rebelueshëm “Po të më jepni një top, do të qëlloja mbi regjimin tuaj!” Kështu e kujton ajo kërkesën e fundit të të vëllait përpara inkuizitorëve. Ishin momentet kur kalvari i seancave gjyqësore shkonte drejt përfundimit. Procedura e donte të dëgjohej edhe fjala e fundit e të pandehurit. Sakaq, ajo do të vinte si rrufeja. I dënuari nuk ishte një njeri i zakonshëm, por një poet, një këngëtar. Kishte rebeluar së pari shpirti i tij dhe Trifon Xhagjika kishte shpërthyer me zë të lartë. Pastaj, ata që e kishin lebetitur nëpër qeli do të shtonin në akuzën “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”, edhe tjetrën, “aktin terrorist”(!) Kjo do të ishte një arsye më shumë për ta pushkatuar fare pa mëshirë. Prapa do të mbetej stuhia me kërcitjen që kishte shkaktuar britma shpërthyese e Xhagjikës, i cili kishte guxuar t’i kundërvihej regjimit, madje me top. Po Sotira Tola, njëra nga motrat e Trifonit, përjeton një brengë, që siç parandien ajo, ka për ta marrë me vete edhe në botën tjetër. Akoma nuk dihet ku prehen eshtrat e tij dhe librat me vjersha që i rrëmbeu Sigurimi i Shtetit…
Nga shtëpia e djegur në Peshtan, në Tiranë…
Trifon Xhagjika do ta linte fëmijërinë e trishtuar aty, në Peshtanin e largët të Tepelenës, dhe do të vendosej bashkë me familjen në Tiranë, në fillim, diku në periferinë e qytetit dhe mandej, në rrugën e “Durrësit”. Ishte fillimi i vitit 1941 dhe në vegimet e djaloshit 8-vjeçar do të mbeteshin vetëm flakët mbi shtëpinë në kodrinë. Rrugëtimi në kohë lufte për një qoshe disi të sigurt do t’i jepte Trifon Xhagjikës shanset për t’u shkolluar e për t’iu kthyer botës së librave. Sotira, e motra e tij, thotë se ai përfundoi me rezultate të larta Shkollën Normale të Elbasanit, prej ku zuri edhe shumë shokë, me të cilët nuk u nda deri në fund. Sidoqoftë, ky ishte vetëm prologu i sfidës për t’iu përkushtuar dijes. Në fillimin e viteve 1950, Trifon Xhagjika do të diplomohej në Tiranë oficer i artilerisë kundërajrore. Po nuk do të ndalonte këtu në fushën e studimeve, ndërkohë që kishte filluar punë në repartin e raketave te “Rrapi i Treshit”. Me këmbënguljen e tij do të përfundonte një kualifikim për gazetari. “Pas kësaj do të rehatohej disi, - thotë Sotira, - dhe do të fillonte punë në Ministrinë e Mbrojtjes si gazetar te periodikja “Luftëtari”. Ndërkohë që dëshira për shkollë nuk do t’i venitej asnjëherë. Pasion i tij mbetej letërsia. Sotira thotë se pjesën më të madhe të rrogës ai e shpenzonte me blerjen e librave. Ndërkaq, fillon të shpërthejë edhe me krijime. Sipas motrës së Trifonit, aty nga viti 1959 përfundoi librin e parë me poezi të titulluar “Gjurmët”. Me mijëra vargje të tjera i sistemonte në blloqe e fletore. Trifoni, - shton Sotira, - mbante miqësi me kompozitorët dhe mjaft nga poezitë e tij bëheshin tekste këngësh. Gaqo Avrazi dhe Kostandin Trako, që asokohe punonin në Ansamblin e Ushtrisë, ndjeheshin të privilegjuar nga bashkëpunimi me të…
Ishte gusht kur e arrestuan “Në emër të popullit!”
“Në gjyq kërkoi një top për të qëlluar sistemin”
Më jepni një top të gjuaj sistemin tuaj! Këto do të ishin fjalët e fundit të poetit, që do të trondisnin trupin gjykues. Nuk kishte ndodhur asnjëherë kësisoj. Viktima e kryqëzuar për disidencë në krijimtari nuk kërkoi mëshirë, siç ndodhte rëndom në të tilla raste. Mëshira e ndjesa për Trifon Xhagjikën ishin të papranueshme. Ai kishte thirrur vet, me zërin e shpirtit të tij: “Po ku është liria?” Sistemi, të cilit i kishte dalë ballazi në duel dhe kërkonte topin e artilerisë për ta shkallmuar, për të nuk ishte gjë tjetër, vetëm “dhunuesi i lirisë”. Vargjet-trakt të Xhagjikës kishin depërtuar në duart e një mase të madhe njerëzish dhe ishin mirëpritur. “E shkreta ti, o Republikë/ U baltosesh zotërve/Dritën ta shuajnë në terr/E ditën ta ndezin/Bukën ta shtrojnë në sofër/ E duart t’i presin…”.
Përtej kësaj bote rebele, poeti do të përgjërohej për lirinë e vërtetë, paçka se çmimi i saj do të ishte i shtrenjtë…. “
Rebelimi kishte kohë që kishte nisur
Shpërthimi i papritur në sallën e gjyqit nuk ishte një rastësi. Trifon Xhagjikën nuk e kishte çuar te disidenca e hapur politike vetëm poezia dhe kënga. Në bindjen e tij ishte kristalizuar pak nga pak mospajtimi me “monotoninë e ditëve që vrasin lirinë”. E motra, Sotira, thotë se edhe mjedisi shoqëror që e rrethonte ishte i tillë. Madje Trifoni, njeriu që u jepte tonin bisedave mes miqsh, siç kujton ajo, mundohej t’i ndihmonte edhe në sfidën për t’u arratisur në kërkim të jetës së lirë. “Njërin prej tyre, - tregon Sotira, - pasi e pajisi me një kamerdare të madhe që ia siguroi Genci, djali i xhaxhait tregoi rrugën nga liqeni i Pogradecit, për të kapërcyer kufirin shtetëror. E përvuante shpirtërisht ndarjen e tij me bashkëshorten ruse dhe të bijën vetëm prej divorcit politik me Bashkimin Sovjetik. Dhe e përcolli një ditë për t’u bashkuar me to. Në ujërat e Liqenit të Ohrit ra në dorën e barbarëve. Këtë fat pati edhe shoku tjetër i Trifonit, Fadil Kokomani, që bëri vite e dekada të tëra në burgun e Spaçit.Të tjerë miq e shokë të tij do të bëheshin banorë në kampet e tmerrshme të komunizmit. Ishte një bërthamë të rinjsh të shkolluar rishtaz që e kërkonin ndryshe sistemin në Shqipëri. Pa pranga të fjalës së lirë dhe pa izolimin enverist. Dhe bënë shumë për t’iu kundërvënë hapur. Po ishin pak për të guxuar aq shumë … Teksa do të kujtojë emrat e tyre, ajo ngashërehet në shpirt dhe me një “Oh!”, të zgjatur mbështetet te jastëku i krevatit, duke u ndjerë e pamundur për të rrëfyer më tej. Si qetësohet paksa, çohet mbi bërryla dhe këmbëngul për të mbajtur shënim emrat e mjaft poetëve dhe shkrimtarëve, që gjatë këtyre viteve, siç thotë ajo, kanë mundur të zbardhin nga errësira shumë gjëra nga jetëshkrimi dhe vepra letrare e Trifonit. Pastaj fillon t’i përmendë një nga një emrat e Xhevahir Spahiut, Pjetër Arbnorit, Mero Bazes, Gjergj Zhejit, Fatos Arapit, Mimoza Ahmetit, Agron Tufës etj. ”Ne, familiarët e Trifonit, përmbledh ajo, u detyrohemi shumë atyre. Pa ta, ne do të kishim vetëm kujtimet familjare për Trifonin…”.
Jetëshkrimi Trifon Xhagjika, poeti pa varr
Trifon Xhagjika lindi në Peshtan të Tepelenës, në vitin 1932. Bashkë me familjen e tij u sistemua në qytetin e Tiranës në vitin 1941. Pasi përfundoi studimet në Shkollën Normale të Elbasanit, u diplomua për oficer i artilerisë kundërajrore dhe për disa vite e ushtroi profesionin në repartin 3700 në zonën e Rrapit të Treshit në Tiranë. Në këtë kohë bëri një kurs për Gazetari e Histori dhe kërkoi të vazhdonte fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë. Qysh në vitet e para të punës bëhet i pranishëm në shtypin e kohës me krijime në fushën e poezisë. Në vijim, transferohet nga reparti i artilerisë dhe filloi punë në Ministrinë e Mbrojtjes, fillimisht si redaktor në sektorin e botimeve dhe rregulloreve, e më vonë në redaksinë e gazetës “Luftëtari”. Më shumë se në organet e ushtrisë, Trifon Xhagjika spikat me krijimet e tij në shtypin letrar si gazeta “Drita”, revista “Nëntori”, “Ylli” etj. Poezitë me ndjenjë dhe esetë filozofike janë krijimet më të arrira të tij. Në vitin 1959 botoi vëllimin e parë me poezi “Gjurmët”. Qysh në fillesat poetike do të tërhiqte vëmendjen për frymën rebeluese në krijimtari, e cila do të kristalizohej më vonë në një disidencë të hapur. Kjo do ta çonte në opozitë me regjimin komunist dhe shumë shpejt do të arrestohej nga Sigurimi i Shtetit. Në dhjetorin e vitit 1963 u pushkatua. Vetëm në vitet e demokracisë është bërë i mundur sistemimi i krijimeve të tij dhe botimi i dy vëllimeve të tjera, “Atdheu lakuriq” dhe “Poezia”. Trifon Xhagjika vazhdon të mbetet poeti pa varr, pasi akoma edhe sot nuk është gjetur vendi ku prehen eshtrat e tij. Ndërkaq, familjarët dhe miqtë e poetit të martirizuar, ende nuk kanë rënë në gjurmët e krijimeve që i rrëmbeu Sigurimi në kohën e arrestimit.
“Të marrët vranë poetin, por jo shpirtin e këngës”
Shwnim:Publikuar ne PANORAMA me 23.05.2006 Trifon Xhagjika (1932-1963)