
“Pas ardhjes së demokracisë, djali im Deda shkoi dhe takoi ish-prokurorin e Pjetrit, në Tiranë. Kur e ka marrë vesh se kush ishte Deda dhe çfarë donte, u dridh nga frika. Djali e qetësoi kur i tha: “Mos u dridh hiç; ti ke kryer detyrën! Dua vetëm të më tregosh se ku është varri tij”
“E kemi gjetur vendin; është në Tiranë. Por pikërisht mbi varr kishin ndërtuar një shtëpi. “Unë edhe e prish.” - na tha i zoti, po ne nuk pranuam. Kështuqë nuk i kemi marrë eshtrat e Pjetrit”, kështu rrëfëhet Pashke Miri, për bashkëshortine saj Pjetër Miri, I cili u pushkatua nga regjimi komunist. Ajo rrëfen ngjarje të dhimbshme të historisë së familjes së saj, vrasjes se burrave të fisit Miri, burgosjes dhe internimin e gjtihë familjarëve deri tek burgosja e të birit, Dedës. Ajo rrëfen se me sa padurim prisnin hetuesit që Deda të mbushte moshën për ta future në burg. Pashke Miri rrëfen edhe takimin me xhelatin e të shoqit, pas rrëzimit të diktatuirës dhe se si ai kishtë treguar vendin ku ishte varrosur Pjetër Miri.
Po si e gjetët vendin ku ishte varrosur bashkëshorti juaj?
E tregoi prokurori. Pas ardhjes së demokracisë, Deda shkoi dhe takoi ish-prokurorin e Pjetrit, në Tiranë. Ai kur e ka marrë vesh se kush ishte Deda dhe çfarë donte, ishte dridhur nga frika. E kishte zënë paniku. “Mos u dridh hiç; ti ke kryer detyrën! Dua vetëm të më tregosh se ku është varri tij.” Dhe ia tregoi.
Po me Luigjin nipin e bashkëshortit tuaj, çfarë ndodhi?
Edhe juve ju futën në burg. Cila është arsyeja?
Unë punoja në kooperativë. Pasi u prishën kishat, Rekën e Xhamës, që ishte nga të minoritetit egjiptian, e strehoi kryesia në kishë. Magjypi, prej hallit, sharroi trarin e kishës për ta përdorur për dru zjarri. Por kur ka sharruar trarin kanë dalë flori. Dhe ai merr e del e i shet fshehurazi me nga 1 500 lekë napolonin.
Unë u tundova për t’i blerë ndonjë napolon Rekës për djalin, meqë po më rritej. Luigji, kishte dalë nga burgu, pasi kishte bërë 12 vjet burg, nga 20 vjet që ishte dënuar. Dhe i them Luigjit: “Ka dalë Reka i Xhamës duke shitur napolona. Po i gjej nja 1 500 lekë hua diku dhe po e blej një për Dedën, se do ta fejoj ndonjë ditë.“ “Gjeji e shko e merre, por do të kesh telashe.” - më paralajmëroi Luigji.
Kur një ditë, më mori rreshteri nga puna e më tha: “Hajde se të do kryetari i Këshillit, Xhemal Zia!” “Po ç’dreqin kërkon me mua, kryetari?” - thashë. Shkova në zyrën e kryetarit të Këshillit dhe gjeta edhe operativin e zonës aty. Më thotë: “Ç’farë ke blerë?” Nuk po i bija në të se ku e kishte hallin dhe i thashë se s’kisha blerë gjë. Për ditë korrieri më vinte mu tek ara, e përditë të njejtën pyetje: “Çfarë ke blerë?” “Kam blerë edhe domate të regjura në pazar.” – i tregoja unë. Ai prapë, duke më thirrur dy herë në ditë: “A ke menduar se çfarë ke blerë?” Hiç, unë; e kisha harruar krejt punën e napolonit. Dhe më thotë Luigji: “Po ty të kanë thirrur për napolonin, por ruaj se kallëzon se drejt e në burg të çojnë.” E dinte mirë Luigji, se ishte i rrahur me ta.
Siç u mor vesh mbrapa, më kishte paditur Reka, kur kishte dalë nga burgu, që e “ka blerë edhe Pashka një napolon.” Të tjerët që i kishte paditur më parë, ishin dënuar të gjithë me punë korrektuese.
Ndenja nja dy muaj ashtu pa telashe. Pas nja dy muajsh, më thanë: “Hajde se të thërret hetuesia. Ka ardhur Hamit Shullazi, hetuesi i Krujës.” Më pyeti Hamiti: “Ke blerë napolon ti? “Po“ – i thashë. Por në Degë e kishin shtyrë Rekën e familjen e tij, për të deklaruar se për këtë blerje ka pasur dijeni edhe Luigji e Deda, gjë që unë e mohova kategorikisht. Donin të implikonin patjetër dy burrat në këtë histori, për të pasur një shans në dorë kundër tyre.
Atëherë Hamit Shullazi, hetuesi, u tha Rekës e njerëzve të tij që kishin ardhur për të dalë dëshmitarë: “Dëgjoni! Do të shkoj vetë t’i pyes Luigjin dhe Dedën. Ju rrini këtu në zyrë e mos lëvizni.” Dhe pasi bën verifikimin, kur kthehet, Hamiti u thotë: “A e shihni se ju gënjeni? Unë shkova dhe i pyeta vetë Luigjin e Dedën e ata nuk dinë gjë për blerjen.“ Pastaj m’u kthye mua dhe më tha: “Kurse ti je e dënuar me 3 muaj burg.”
Unë punoja në fushë dhe sa herë që andej kalonte jeep-i (që zakonisht vinte rrallë), ata të brigatës më thoshnin: “Erdhi me të marrë!” U bë e siklteshme, aq e sikletshme, saqë vendosa dhe i thashë Luigjit: “Po shkoj vetë të hyj në burg.” Por “jo” më thotë Hamit Shullazi “se kur të vijë koha, vijmë e të marrim ne e të çojmë drejt e në qytetin Stalin.“
Shkova në qeli dhe për çudi gjeta një vajzë, e cila kishte qenë mësuese në shkollën tonë e jetonte aty në një kasolle dhe nja dy javë bile, e kishim marrë edhe në shtëpinë tonë. Vibeka Prifti e quanin. M’u duk sikur të ishte e imja. “A ti Vibeka qenke? Po ty pse të kanë futur në burg?” - e pyeta. E kishin futur në burg, sepse bashkë me një shoqe, kishin vjedhur diçka. Ndejta nja dy javë aty me të dhe e rrihja derën përditë: “Më nxirrni se nuk kam bërë gjë! Më çoni ku keni ndërmend të më çoni!”
Dikur, vijnë e më thonë: “Pashke Miri, shpejt plaçkat!” Një shofer e dy policë më futën në një kamion të madh. U them policëve: “Ju s’keni nevojë të vini se më çon ky shoferi.” “Jo, moj nënë, ne duhet të çojmë drejt e në vend!”
Si ishte burgu i grave në Qytetin Stalin?
Politikanët ishin veç, ordineret e burgosura për vjedhje e kësi gjërash veç, dhe prostitutat veç (që ishin rreth 200 vetë). Kampi ishte i ndarë në godina të ndryshme, sipas këtyre kategorive. Por, kur dilnim në rresht për apel, ishim të gjitha bashkë.
A punonin?
Ushqimi si ishte?
600 gramë bukë në ditë. Më shumë u binin, nga shtëpia.
I bëtë tre muaj burg?
Po i bëra plot tre muaj. Deda, djali, ishte në gjimnaz. Për të kujdesej Luigji, i cili ishte i martuar.
Pas pushkatimit të Pjetrit, bashkëshortit, çfarë pasojash pati djali, Deda?
Kur dola prej burgu, Dedën që sapo mbaroi gjimnazin, e arrestuan dhe e futën në burg. I doli dëshmitar një nga ushtria dhe gjyqin ia bënë edhe këtij me dyer të mbyllura. Më kujtohet që shkoja me vajzën (që kam para Dedës), duke kërkuar nëpër burgjet e Tiranës, për të gjetur djalin. Ndërkohë arrestuan për herë të dytë edhe Luigjin. Luigjin në Krujë dhe Dedën në Tiranë. Edhe kur shkoja në Krujë, Marenglen Rrapi, hetuesi, më thoshte: “Ppppaaappapppa… kush paska ardhur! Pashka e napolonit!” Kështu ma kishin vënë nofkën atje: “Pashka e napolonit.” Pastaj hakërrehej: “Ti nuk je e napolonit, por je e gjarpërinjve. Pse ndejte me gjarpërinjtë?!” E kishte fjalën për familjen “Miri”. Dhe unë i përgjigjesha: “Për ju janë gjarpërinj, për mua janë napolona.”
Por, kur bëri atë “pppaaapppaaapppaa”, nuk durova më dhe i thashë Marenglen Rrapit: “Sa hije të paska, kur shtembërohesh ashtu, se marshalla, je edhe me shkollë gjoja!” “Të dy djemtë do t’i pushkatojmë!” - më kërcënoi Marengleni. “Të dy pushkatoji!” - iu përgjigja unë.
“Hajde të lëshosh një firmë!”- më tha një ditë, sepse donin t’i mbyllnin dosjet ashtu siç donin ata dhe t’i nxirrnin në gjyq. Ai më kërkonte për të lëshuar një firmë, ku unë të pranoja se çfarë ka thënë Luigji. Dmth, të bëja deponim, të cilin e kishin hartuar ata vetë. Shtatë ditë rresht më ka thirrur për këtë punë në Degën e Brendshme në Krujë. Unë, në asnjë mënyrë nuk pranova të firmosja. Kërkonin të më bënin mua, nënën, dëshmitare për djalin, pasi Luigjin e kisha si djalin tim.
“Dëgjo - më kërcënonte Marenglen Rrapi,- të dy djemtë do t’i pushkatojmë!” “Ani!” - i thashë. Ai, i ulur në një karrige atje dhe unë në një karrige të paluajtshme përballë, dhe m’u ka ngërdheshur në një farë mënyre: “Tani do të dënojmë me burg!“ “N’dashtë. Në burg kam qenë e në burg do të shkoj prapë.” – i thashë. “Të çaj me karrige!”- më tha. Atë çast, unë do t’iu kisha përveshur vetë me karrige, por, e imja nuk luante vendit. E mbaj mend, që unë kisha veshur zhele; teshat e mia ishin copë - copë. Pastaj, ai hapi derën dhe erdhën dy policë, që më ngritën me forcë dhe më futën në një dhomë me dry.
Si i kanë trajtuar në hetuesi Luigjin e Dedën?
Duke i rrahur, lidhur, e lënë pa ngrënë. I çoja ushqimet e nuk ua jepnin. Dedën e kanë marrë në pyetje 4 hetues. I katërti hetues ka qenë Lek Mylyshi, mirditor. Në pamje e kam njohur se ishte mirditor. Dhe, meqë ra fjala, dua të tregoj se çfarë ndodhi. Kur shkova, Leka më priti dhe më tha: “Erdhe?” -“Po”- thashë unë.
E gjatë gjithë këtyre viteve, shkoja vetë e u bija mbrapa nëpër burgje. Në Qafë Bari, në Spaç, në Bulqizë… Po me kë të shkoja? Nusja e Luigjit ishte nuse e re me dy fëmijë. Merrja djalin e vogël të Luigjit e ia çoja në burg babës së vet, që ta shihte e të çmallej me të se tjetër të mirë nuk kishte, pasi babën ia pushkatuan dhe nëna i vdiq e re dhe e la dy vjeç. E merrja djalin dhe ia çoja në thes në burg, se do të mbaja edhe ushqimet. Luigjin e kam dashur si djalin tim. Nuk di ta dalloj djalin e Luigjit, nga Deda.
Mbaj mend, kur shkova njëherë të takoja Luigjin në kamp, në burgun e parë, kur Deda ishte vetëm tre - katër vjeç. E lanë Dedën të futej aty brenda dhe u kënaq Luigji me të. Dhe pastaj, nuk donte djali të dilte prej telash; nuk shkëputej prej Luigjit. Atëherë i thotë drejtori i burgut, Luigjit: “Këtu ka për të ardhur edhe ky, sado kohë që të shkojë! E shikon se çfarë bën?”.
Marrë nga libri "Zërat e Kujtesës", me autor, Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.