Nëse policët e burgjeve i keqtrajtonin të dënuarit politikë për hiçmosgjë, egërsia e tyre përballë të burgosurve që tentonin të arratiseshin ishte e papërmbajtshme. Ylli Tabaku ka lënë të dokumentuar tentativën e tij për arratisje me një kamion nga kampi i Fushë-Krujës dhe torturat që pësoi pasi ra në duart e policëve komunistë
Ylli Tabaku është një nga të burgosurit-legjendë të regjimit komunist, që siç përshkruhet në një postim të mëparshëm të kujto.al, ka kryer 26 vjet, 8 muaj e 24 ditë burg. Jo vetëm ai, por e gjithë familja, përfshirë nënën dhe të motrat, siç tregon njëra prej tyre, Drita, në një intervistë të botuar në kujto.al, kanë provuar hetuesinë, torturat dhe burgjet komuniste, përfshirë internimin.
Ylli ishte një nga ata njerëz që nuk iu nënshtrua kurrë diktaturës. Ai tentoi me çdo formë t’i kundërvihej padrejtësisë që i bëhej. Kur ishte 23 vjeç dhe kishte kryer 5 vite burg nga 18 që ishte dënuar për tentativë arratisjeje, mendoi që, nëse do donte t’i shpëtonte ca vite rini apo jetë nga komunizmi, duhet të provonte të arratisej nga burgu. Siç e përshkruan të gjithë ngjarjen në librin autobiografik “Arratisja”, botim i Institutit të Studimeve për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit, në atë kohë, ndodhej në kampin e Fushë-Krujës. Duke menduar pa pushim për një mënyrë efikase arratisjeje, mendoi që ta realizonte përmes një prej makinave që hynin në kamp për punë të ndryshme. Bisedoi për këtë plan me të dënuarin tjetër, Maksut Xhumaka, i cili kishte qenë xhenerik te parku i kamionëve dhe dinte t’i drejtonte edhe makinat e mëdha. Dhe, sapo iu krijua mundësia, me një kamion që hyri në kamp për të marrë një rimorkio, hipën në të, duke shpërthyer traun e postbllokut dhe duke dalë në rrugën paralel me kampin. Më pas, makina u përmbys në një kanal, ata kërcyen jashtë dhe nisën të largoheshin më vrap, por rojat tashmë kishin hapur zjarr dhe si përfundim i kapën.
…“Më pas, na futën në kamp, na rrahën dhe torturuan shumë. Na lidhën tek gardhi i telit në formë kryqi dhe filluan të na godasin me tulla dhe dru. Ndërsa po ushtrohej dhunë kundrejt nesh, përtej gardhit në rrugë po kalonin disa vajza të reja, laborante të fabrikës, të indinjuara iu drejtuan atyre duke thënë: “Çfarë bëni more kriminelë? Po i vrisni fare”. Atëherë komisari dha urdhër të na futnin në birucë. Na lidhën, shumë fort, me hekura dhe na futën në birucë”, shkruan Ylli Tabaku në librin e tij autobiografik. Doktori që sollën në birucë, kishte konstatuar një të çarë mbrapa kokës, nga e cila rridhte gjak, për të cilën kishte thënë se duhej mjekuar, por oficeri e kishte urdhëruar: “Lëre more qenin të ngordhë, dil jashtë!”. Atëherë ishin aktivizuar forcat vetëmbrojtëse që vunë në punë mendjen dhe trupin e të torturuarit.
“Vërtet, unë, fillova të ndieja diçka të ngrohtë që më përshkonte kurrizin. Siç isha në këmbë, me gishtin e madh të këmbës, fillova të mbledh atë gëlqeren që krijohet në fund të murit në dysheme. Me mundim, e çova atë gëlqere në mes të birucës dhe u shtriva në kurriz, megjithë dhimbjen e madhe të duarve, arrita të mbështes kokën tek grumbulli i vogël me gëlqere me qëllim që, të bllokoja rrjedhjen e gjakut. Kur u ngrita vura re, se ajo funksionoi”. Me sa duket Zoti, po kujdesej për jetën e Ylli Tabakut, i cili pasi u shpëtoi plumbave, i shpëtoi edhe hemorragjisë, por jo torturave. Ato sapo kishin nisur.
Dy të arratisurit i dërguan në komandë dhe i detyruan të uleshin në çimento këmbëkryq, ndërsa një grup me policë e oficerë, përfshirë komandantin e atij kampi, të pajisur me bishta kazme, i rrethuan dhe nisën t’i qëllojnë. Pyetjeve të policëve “Ku do të shkonit?” i përgjigjeshin, siç e kishin vendosur që më parë: “Të vetëvriteshim” sepse po të pranonin arratisjen për jashtë shtetit, mendonin se do të dënoheshin me pushkatim. I goditën dhe me shqelma, të cilat çizmet ushtarake i bënin një lloj arme, derisa në dhomë hyri zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Rexhep Kolli. Ai i pyeti për qëllimin e arratisjes dhe mori të njëjtën përgjigje. Pasi doli ai, grupi i oficerëve dhe policëve me drurë në duar, vazhduan edhe për nja gjysmë ore torturën derisa në dhomë hyri një civil i cili bisedoi diçka me ta dhe ata ndaluan.
“… ndërkohë një polic m’i shkelte hekurat, prangat, me çizme dhe u thoshte shokëve:-"Shiko si i bëhet fytyra". Nuk mund ta merrni me mend, por hekurat e shtrënguara në zero, po t’i prekësh sado pak kanë një dhimbje të pa durueshme. Ndoshta unë skuqesha apo zverdhesha, pasi isha gati për të më rënë të fikët, ndërkohë, ai lozte me ngjyrat që merrte fytyra ime. Nuk kaloi shumë dhe një polic, kapter Sabriu, i thotë: -Lëre Arif, mos e ngacmo.-Pse,-u përgjigj ky, me pyetje-të dhimbset ty se është i kampit tat?-Jo more, se më dhimbset, por përderisa zëvendësministri dha urdhër të mos i prekim më, ti nuk ke të drejtë ta prekësh”.
Nuk ishte hera e parë dhe as i vetmi rast që policët e kampeve torturorin të dënuarit në shkelje të çdo ligji e rregulloreje. Të burgosurit ishin krejt të pambrojtur ndaj impulsive shtazarake të policëve dhe ishte e qartë se për jetën e tyre nuk jepte llogari kush. Nëse shpëtonin gjallë, duhet t’ia dinin për faleminderit Zotit. Pas torturave në kamp, dy të rinjtë dolën në gjyq. Ylli Tabaku u dënua me 3 vjet burg me akuzën e arratisjes nga vendi i vuajtjes së dënimit. “Në bashkim të dënimeve, gjykata vendosi 12 vjet burgim, për secilin nga ne”. Ylli e kreu deri në fund dënimin e tij prej 18 vitesh, aq sa vjeç ishte kur hyri në burg. Pasi jetoi 2 muaj në Tiranë, erdhi vendimi i internimit dhe pas 2 vitesh në internim, e arrestuan për agjitacion e propagandë. Njëri prej dëshmitarëve të rremë dëshmoi sikur "i pandehuri" i kishte thënë “na trajtonin si kafshë, na jepnin bukë misri, kurse ata në qytet hanin bukë gruri, që e prodhonim ne” dhe thënie të këtij lloji, gjëra që, siç shkruan Ylli, ishin “të vërteta, por që unë t’ia kisha thënë atij, nuk bënte vaki, se nuk më kishte lënë akoma mendja”.
Megjithëkëtë, e dënuan me 10 vjet burg, gjatë të cilave lëvizi në disa kampe, ku vazhdoi të përballej me dhunën shtazarake të policëve e oficerëve ndaj të dënuarve, siç është rasti që i kish mbetur në mendje në repartin e Përparimit, në Sarandë. Në atë kamp, ndryshe nga kampet e tjera nuk ishin policët, por oficerët “të tmerrshëm”. Njëri prej tyre, operativ i kampit, i egërsuar që katër burra të shkuar në moshë, nuk e kishin parë kur ai kishte hyrë dhe si pasojë nuk ishin ngritur në këmbë, si e kërkonte rregullorja, filloi t'u ulëriste dhe i goditi me forcë dhe me shqelma turinjve. “Më erdhi keq për njërin prej tyre, atë që quhej Nikollë, se e kishte një këmbë të paralizuar dhe mezi e lëvizte. E mbyti fare në dru”.
Ylli u lirua me plotësim dënimi më 15 maj 1989. Në korrikun e vitit 1990, gati 48 vjeç, hyri në ambasadën gjermane dhe u largua me grupin e azilkërkuesve shqiptarë për në Gjermani ku jetoi deri në fund të jetës.
Pas aq tentativash, “arratisja” e tij drejt botës së lirë, u realizua. E megjithatë, teksa shihte vendlindjen e tij, Durrësin, nga anija që po lundronte drejt portit të Brindësit, i rodhën lot. "Çudi, thashë me vete, ti nuk ke qarë nga torturat mizore...Atëherë fillova të arsyetoj..." Po linte vendlindjen e tij, vendin e të parëve, por kishte dhe një arsye tjetër. "...të gjitha bebet qajnë kur lindin, dhe ti sapo ke lindur",-i tha vetes. 48 vjet jetë ia kishte marrë diktatura.
Në foton kryesore: Ylli Tabaku, Haki Bulku dhe Halit Zajimi reparti 307 rreth vitit 1965