“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, dhimbja e patreguar e Mrikë Palit, kur pa të birin të ekzekutuar, i hoqi kanatjerën e gjakosun, e veshi vetë...
Mrikë Pali ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare në vitin 1976. U largua nga kjo botë pas një jetë plot vuajtje e dëshpërim për shkak se diktatura komuniste i vrau birin e saj. Historia e dhimbshme e Mrikë Palit, është përshkruar shkurtimisht nga studiuesja Fatbardha Saraçi(Mulleti), në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”.
Mrikë Pali (1900 - 1976)
Asht nana e Ndue Palit. Asht nana edhe e tre djemve të tjerë, por njihet në historinë e dhimbjes së nanave, kryesisht për Ndojën, djalin e saj të madh, ndonëse të gjithëve u mëkoi atdhedashuninë.Kjo ishte arsyeja që fashistët italianë e internuan në ishujt e Italisë. Për nanën, kjo ishte heshta e parë e ngulun në zemrën e saj.Për Ndojën qe mall për nanën, qe mall edhe për Shqipninë.
O Zot, sa e fortë ishte kjo grue! Ajo e dinte pse ia kishin burgosë djalin,shtyllën e shtëpisë, ia dinte vendosmëninë e tij, prandaj nuk ligështohej.Ditët kalonin, vuejtjet shtoheshin...
Gusht 1945.Zhvillohet gjyqi kundër Ndue Palit e shokëve të tij. Dëshmitarët e atij gjyqi e dinë se si i përballoi akuzat, dinë edhe sesi iu kundërvu gjyqtarëve xhahilë. Çdo gja qe e paragjykueme... Dënim me vdekje... Ishte heshta e tretë, por jo ma e randa. A mund të duronte ajo zemër? Mund të duronte.Dhe duroi. Sidomos, kur ma vonë mori vesh se i biri, ashtu i lidhun, kur kishin shkue t’i merrnin për t’i ekzekutue, ishte përleshë me xhelatët.Pushkët vranë jo veç Ndue Palin. Ato vranë mëngjesin e bukur të asaj dite vere. Ato pushkë donin të vrisnin edhe zemrën e lodhun të nanës së tij, të gjithë shokët e idesë së tij të madhe, donin të tkurrnin popullin.
Por jo! Eci Nanë Mrika me djalin e vogël për dore, pa i përfillë policët,drejt kufomës së të birit. Vetëm ajo e dinte se çfarë ndjeu atë çast. Askush tjetër. Askush s’arriti ta kuptojë tamam. E dinte se trupin e pajetë nuk do t’ia jepnin. Prandaj, mbasi i hoqi kanatjerën e gjakosun, e veshi vetë...
O Zot! Si të ishte një karajfil i porsaçelun në trupin e nanës. Ishte i biri.Prapë, aspak lotë... Kthehet në shtëpi. Shumë njerëz kanë ardhë për ta ngushëllue. Në vend të kufomës, në gji të saj, ka sjellë gjakun e tij...Gjakun e gjakut të saj...
Jo lot në sy të njerëzve... vetëm një llavë që ngjeshej e ngjeshej në zemrën e saj, për të shpërthye, ashtu, vetëm në vetmi. Derisa mbylli sytë.Gjithnjë tue punue me djemtë e mbetun, si të dinte, si të ishte aty në vendin e ekzekutimit të djalit të vet, si të ndigjonte nga goja e tij, para se të pushkatohej: “PUNONI DERI NË VDEKJE PËR NJË SHQIPNI TË LIRË, INDIPENDENTE, ME BAZA SHOQNORE MODERNE DEMOKRATIKE.”
E tue e ditë veprën e të vëllait, tue zbatue atë e dëshirën e nanës së vet,i vëllai i Ndojës, Zefi, vendosi mbi vorrin e martirit, flamurin me shqipen e zezë me dy krena, pa yllin ogurzi.
Shenim: materiali është marrë nga libri “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, me autore Fatbradha Saraçi (Mulleti)