Mesha e fundit/ Kujtimet e Kolë Verrit për Patër Anton Harapin

0
119

Muajt e fundit të Patër Anton Harapit në arrati, para se të arrestohej. Rrëfyer nga Kolë Verri, djali i familjes që e strehoi klerikun në Plavra të Planit, nga vjeshta e vitit 1944 deri në qershor 1945

Vjeshtë 1944- Banorët besimtarë të Dukagjinit po përgatiteshin për të festuar natën e Shën-Kollit. Në të gjithë krahinën dukeshin re të zeza, që po shtoheshin përditë dhe pritej që shtrëngatat komuniste të vazhdonin njëra mbas tjetrës, secila më e pashpirtshme se tjetra. Brigadat (e të pafeve) komuniste mbasi kaluan nëpër Shalë dhe Shosh, po i drejtoheshin bajrakëve të Pultit duke bërë shantazhe dhe raprezalje, në këtë krahinë të papërkulur edhe në kohën e pushtimit otoman, si dhe të sulmeve shoviniste serbo-malazeze ndër shekuj.

Më 5 dhjetor 1945 në natën e Shën-Kollit, Shytan Lulashi kaloi nëpër katundin Kir dhe ndaloi tek frati i këtij fshati, mbasi ishte vëllai i Patër Gegë Lumaj, i cili ishte arrestuar nga forcat e ndjekjes dhe donte të dinte mos ka ndonjë lajm për të. Në këtë kohë, pritej që do të vinin forcat e ndonji brigade nga mali i Shoshit, prandaj duhej larguar nga ai vend Patër Anton Harapi, i cili kishte ardhur nga Shkodra deri tek kisha e fshatit Prekal dhe Lulash Noshi e dërgoi në kishën e Kirit për strehim.

Shytan Lulashi e mori me vete Patër Anton Harapin. Pra, natën e Shën Kollit, Patër Anton Harapi vjen në Plavra të Planit.

***

Plavrat janë në të djathtë të bregut të fshatit Kir. Kanë qenë gjashtë shtëpi dhe banorët e saj ishin: Gjek Deda, Let Putani, Martin Leka, ndërsa Shytan Lulashi dhe kushëriri i tij ishin banues të përhershëm bashkë me shtëpinë tonë. Prekë Marashi, si dhe Prek Ndoj gjysmë i përhershëm. Këto ishin tre kullat e Plavrajve, pak të shmanguna nga shtëpitë e tjera të fshatit Plan. Të nesërmen, u bashkuan Shytan Lulashi, Mark Kola dhe Prek Ndou, të cilët menduan se vendi më i mirë për të strehuar Patër Anton Harapin është shtëpia e Prek Marashit dhe kështu ditën e Shën Kollit, Patër Anton Harapi erdhi në shtëpinë tonë (Prekë Marash Verri).

Na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes dhe duhej ta largonim Patër Antonin nga shtëpia bashkë me bagëtitë në mal. Ai u vesh me një gazhup (lëkurë deleje) dhe në kokë vendosi një kësulë, si dhe u pajis me këmesë (një llojë spate) dhe vazhdoi të ecte mbas dhive. Në mbrëmje, kthehej në shtëpi dhe ngarkohej me dru të thatë, si vepronin barinjtë e tjerë. Gjatë largimeve në mal, zakonisht, e shoqëronte Gjoni, mbasi ai ishte çobani i dhive, ndërsa unë isha çobani i deleve.

Qëndrimi në Plavra u bë në shtëpinë tonë, sepse kulla ishte më afër malit dhe ishte mundësia më e mirë për t’u larguar. Dimri ishte shumë i ftohtë, bora ishte mbi dy metër dhe mundësia për t'u larguar ishte e pamundur. Për t'u siguruar nga kontrollet e shpeshta që bënin forcat e ndjekjes, hapëm një bodrum në vathën e lopëve, që ta kishim të gatshëm për çdo çast.

Një ditë janari, bora kishte filluar si gjithnjë në këto anë. Mbasi bora pushoi dhe kishte ngrirë, na lajmëruan se po vinin forcat e ndjekjes për kontroll për armët pa leje. Në këtë kohë, ishte e pamundur me u nis për në mal dhe u detyruam të hapnim bodrumin, i cili ishte si varr dhe i sikletshëm të jetoje në të, mbasi duhej të qëndronte disa orë i mbyllur në dhé (nën tokë), i mbuluar me rrasë guri dhe sipër mbuluar me pleh.

Erdhën forcat e ndjekjes e kontrolluan sa për të kaluar radhën, mbasi mësuan se një pjesëtar i familjes sonë ishte partizan. Në kohën e parë, forcat e ndjekjes caktuan që çdo familje do të caktonte një familjar të shkonte me forcat partizane (për t'i shërbyer pushtetit). Në këtë kohë caktuan Prekën, por mbasi ishte kryetar i familjes, morën Lekën në vendin e tij.

Forcat e ndjekjes pasi hëngrën e pinë, u larguan në anën tjetër të lumit Kir. Sa u siguruam që nuk ka ndonjë rrezik, erdhi Mark Kola, larguam plehun, hoqëm rrasën e gurit dhe e ngjitëm lart të strehuarin. E gjitha kjo vazhdoi dy orë e gjysmë. "Gjatë qëndrimit në bodrum, tregonte Patër Anton Harapi, kam kaluar çaste të tmerrshme. Nga një anë kisha frikë se mos kishin ndonjë dyshim dhe do të zbulohej, e nga ana tjetër isha i futur në vorr për së gjalli, se dhe era e plehut bën punën e vet". Kjo punë përsëritej sa herë na lajmëronte Prek Ndou, i cili në ato fillime bënte detyrën e Këshillit të fshatit Plan.

Në kohën që në shtëpinë tonë erdhi Patër Anton Harapi, u lajmërua dhe Frati i Planit, që në atë periudhë ishte Patër Daniel Gjeçaj. Ai erdhi e takoi, por vinte rrallë. Ai dërgoi rrobat që i nevojiteshin për të celebrue meshë në shtëpinë tonë. Kryesisht meshën e çonte për tre familjet tona, ndërsa rrallë shkonim dhe në kishën e fshatit, që të mos kuptohej mungesa jonë.

Gjatë muajit maj që ishte muaji i Zojës, në katundin tonë çohej meshë në çdo mbrëmje, kjo ishte dhe për Pater Anton Harapin, detyrë shpirtërore, me çue meshë, pavarësisht nëse kishte besimtarë apo jo. Ne (si familje) shkonim në meshën e fshatit në mënyrë që të mos kishte ndonjë dyshim të çastit.

Mesha e fundit në shtëpinë tonë është celebruar nga ana e Patër Anton Harapit në fundin e muajit maj 1945 dhe kanë marrë pjesë: Mark Kola, Prek Ndou, Shytan Lulashi familjarisht dhe familja jonë Verri (Pepa).

***

Kishte gjashtë muaj që shtëpia jonë ishte bërë Kishë dhe çdo natë kishte meshë. Në këto meshë ka marrë pjesë dhe frati i Planit Pater Daniel Gjeçaj, i cili pas disa vitesh u arratis jashtë shtetit (jetoi si mërgimtar deri në vdekje, varrimi i tij u bë në Shkodër me të gjithë nderimet e duhura nga populli i Qarkut Shkodër, kuptohet pas vitit 1991).

Më datën 4 qershor 1945, po afrohej buza e natës dhe Çun Ndout i kishin mbetur delet në mal dhe doli me i kërku. Gjatë kohës që po kërkonte delet, shikon që në vendin e quajtur Mbas Kryqja kishin ardhur forcat e ndjekjes dhe po pritnin që të errej dhe të vijonin urdhrin për veprim. Ato kishin ardhur nga fshati Kir-Pogë dhe i ishin drejtuar Planit. Kishin marrë me vete një udhërrëfyes për deri në Kodër-Kujës pak më lart (rreth njëzet minuta) mbi shtëpinë në Plavra.

RRETHIMI

Mbasi u err, ra nata, forcat e ndjekjes që ishin parë në muzg kanë dalë në Kodër-Kujë, kanë marrë një anëtar të Këshillit për të treguar rrugën, për të zbritur tek shtëpia jonë, që ishte pranë pyllit me verra, një pyllë shumë i dendun. Në bazë të të dhënave që kishin, janë shpërndarë, për të organizuar rezistencën, që mund të kishin nga të rrethuarit. Shtëpia jonë ishte e para në zbritje të pyllit për në Plavra. Është bërë rrethimi i shtëpisë dhe janë drejtuar tek dera e shtëpisë, duke kërkuar hapjen e saj. Derën kemi vonuar me e hapë, mbasi urdhëresat e komunikuara thonin që pa qenë prezent Kryetari i Këshillit, të mos i hapej dera kërkujt. Gjatë kësaj kohe Patër Anton Harapi zbriti nga një shkallë e vogël dhe është futur në bodrum, e mbuluam me rrasën e gurit, sipër i hodhëm pleh dhe kashtë misri, ndërsa lopa që ishte aty është ulur dhe ka fjetur sipër bodrumit. Në këtë kohë, vëllai im, Preka është shtrirë në shtratin ku flinte Patër Anton Harapi.

Një anëtar i Këshillit që i shoqëronte ka thirrur pas dere në ballkon dhe kërkonte të hapej dera, se jeni të rrethuar nga forcat e ndjekjes. Nana ime Pashka ndezi pishën (kjo ishte drita jonë në të gjithë krahinën) dhe hapi derën. Kanë hyrë brenda në shtëpi dhjetë deri në njëzet partizanë me armë në dorë. Kontrolluan nëpër shtëpi, kanë hapur arkën e rrobave të nënës, kanë vrojtuar vathën e lopëve e të dhive, se delet ishin jashtë. Morën me vete vëllain tim, Prekën, dhe janë drejtuar për në qendër të fshatit që ishte Kisha e Planit. Sapo u larguan forcat rrethuese ka ardhur Mark Kola bashkë me Gjonin, kanë hapur bodrumin, nxorën fratin, të cilin e kanë çuar mbi shtëpi, në pyllin e verrave.

Gjatë natës, e kanë torturuar Prekën, kanë bërë me të çfarë iu ka ardhur në mendje. E kanë torturuar shumë. Ai nuk ka treguar asgjë.

Në mëngjes, Patër Anton Harapi ka thënë:- "Due me u dorëzue vullnetarisht, tue marrë parasysh se nuk kam ba ndonji të keq ndaj Atdheut dhe askujt, veçse kam predikue tanë jetën paqe dhe dashuni për njerëzimin.”

Sa u dha lajmi se Patër Anton Harapi është dorëzuar, nga forcat e ndjekjes krisi pushka tek Kisha e Planit dhe në të gjithë krahinën ishin shpërndarë forcat ndëshkimore komuniste.

Në këtë kohë kanë arrestue Prekë Marashin, nënën tonë Pashkë Zefi, gjithashtu kanë arrestuar Prek Ndoun që ishte i pari i Bajrakut të Planit, si dhe Mark Kolën, djalin e axhës të Shytanit dhe patër Gegës. Të nesërmën janë kthyer forcat ndëshkuese në shtëpinë tonë, kanë arrestue dy vëllezërit Gjonin e Prel si dhe motrën Lulën, ndërsa unë- Kola, në rrëmujë e sipër munda të largohem, pasi ato e kishin mendjen me plaçkit duke marrë dhen, dhi dhe katër derra.

Qendra e Dukagjinit ishte larg, me ecë në këmbë duhej tetë orë. Prek Marash Verrin e kishin torturuar tmerrësisht, s'ishte në gjendje të ecte, e kanë hipur në mushkë, për ta dërguar në Degën e Punëve të Brendëshme, që në atë kohë ishte në Kodër Shëngjergj. Edhe Patër Anton Harapit I siguruan një mushkë për transport (si i moshuar). Rrugë automobilistike nuk kishte. Të tjerët i kanë lidhur dhe i kanë ruajtur me armë gjatë gjithë rrugës, sepse po atë ditë janë arrestuar dhe familje të tjera në fshatin tonë dhe kështu ishte bërë një karvan i gjatë, që të shtinte tmerrin. Një rrugë e mundimshme nga Plani deri në Kodër Shëngjergj. Gjatë periudhës që qendruan në hetuesi të Dukagjinit janë përdorur të gjitha torturat e mundura. Më vonë i përcollën të lidhur dy nga dy me litarë nga Kodër Shëngjergji deri në Theth, aty i priste karvani i shoqëruesve me makina. Gjatë udhëtimit që zgjati tetë deri në dhjetë orë i kanë sharë. (Ishte një grumbullim i detyruar nga forcat e ndjekjes). Sapo janë paraqitur në Shkodër janë veçuar nëpër hetuesi të ndryshme, pasi Shkodra ka patur shumë burgje në atë kohë. Shkodra u kthye në qytet më shumë burgje...

Patër Anton Harapi në gjyq, shkurt 1946

Mbasi përfundoi hetuesia i nxorën në gjyq. Pater Anton Harapin e veçuan nga strehuesit. Gjyqi dënoi: - Prek Nduen me vdekje, me pushkatim. -Prek Marash Verrin dhe Mark Kolë Plavrën i dënuan me 101 vjet, ndërsa nanën tonë Pashka Zef Verri 30 vjet burg, ndërsa Gjon, Prel dhe Lula Marash Verrin i kanë mbajtur në paraburgim tetëmbëdhjetë muaj, pastaj i kanë liruar si të mitur, d.m.th. ishin minorenë.

***

Unë, Kolë Verri kur vuaja dënimin në Kampin e Punës, një ndër komandantët e kampit me gradën kolonel kishte qenë komandant i një njësie të repartit në Dukagjin, tregonte mënyrën e rrethimit të zonës operative. Ai thoshte: "Patër Anton Harapi kishte organizuar të gjithë zonën e Dukagjinit dhe kishte lidhje me grupet e rezistencës së Dukagjinit duke pasur dhe përkrahjen e shumë ushtarakëve të kohës së Zogut, për të luftuar forcat komuniste." Këto i thoshte dhe në prezencën time, sidomos kur vinin udhëheqësit e kohës nëpër veprat që ndërtonim ne të burgosurit politikë.

Ai vazhdonte të thoshte: "Kam bërë luftë të tmerrshme me tradhtarët e vendit, sidomos në Plavra të Planit, për të kapur Patër Anton Harapin."

Të gjitha ishin vetëm mburrje, se në të vërtetë nuk është shprazur asnjë pushkë për arrestimin e Patër Anton Harapit. Ai ishte dorëzuar vetë në qershor 1945.

Shkëputur nga libri “Dhimbje 5-Kalvari i fëmijëve në kampet e përqendrimit të komunizmit",  i Fatbardha Saraçi Mulletit, Fiorentia, Shkodër 2023

S'KA KOMENTE