Mbërritja në Reps dhe mallkimi i policëve: Lënçit kocka e lëkurë këtu!

0
265

Atmosfera e kampit të punës së detyruar në Reps. Shkëlqim Abazi përshkruan burgun, ku gjithçka i rrethonte të dënuarit si një mallkim kërcënues

Nga Shkëlqim Abazi

Kampin-burg të Repsit, e kishin instaluar në të djathtë të luginës së Fanit, në një shpat kodre jo fort të thepisur.

Në udhëtimin mijërashekullor, Fani e kish ndarë atë gungë, në dy pjesë pothuaj të barabarta, kish krijuar mes tyre një shtrat gjigand, për atë sasi të pakët uji që transportonte drejt Matit. Në këtë segment, ai ecte paralel me dy udhëza anësore, mandej gjer ku të mbërrinte syri, humbte pas një bërryli të menjëhershëm. Pikërisht pas asaj kthese, ishte ura që bashkonte dy paralelet anësore, njërën që gjarpëronte për në Spaç dhe ngjitej në thellësitë e Oroshit dhe tjetrën përfund saj.

Gjithë hapësirën e kodrës, në faqen lindore, e kishin qarkuar me gjerdhe teli gjembaçë, në rreth tre metra lartësi, me dyfish rrethim. Në çdo pesëdhjetë metra, lartohej një karakoll, ku bënin roje ushtarë të armatosur me automatikë dhe në secilin syresh, kishin instaluar nga një mitraloz të lehtë.

Rrëzë kodrës, ndanë zallit të lumit, disa metra poshtë rrethimit, verdhëllente udha për në zonat e thella. Kjo rrugë ish gjithë gropa, e pamirëmbajtur. Gjatë stinës së shirave, përrenjtë e fryrë që zbrisnin nga kodrat përreth, e kthenin atë në llumishte dhe e kishin shndërruar gjithë segmentin në “udhë mundimesh”. Mes llurbësirës ngjitëse e bezdisëse, laturiseshin rrotat e makinave, si një mallkim për shoferët e fshatarët halleshumë të këtyre trevave.

Atje, dimri ishte athëtimë. Era e pareshtur dhe e ftohtë, krijonte ca vorbulla të llahtarshme që arrinin t’u ndryshonin drejtimin edhe pikave të shiut. Kur e kuptoje se shiu binte anapolla, nga toka drejt qiellit, për shkak të pjerrësisë që i jepte tramundana marramendëse, ta thosh mendja se hyje në një tjetër orbitë, ku vepronin të tjera ligje gravitacioni. Ende pa prekur tokën, thërrmijëzat e lëngshme ndërronin drejtim dhe shndërroheshin në gjilpërëza kallkani që të nguleshin në mish. Mbi tabanin e pjerrët, ngricat formonin një cipëz të lustruar akulli, saqë kur shkelje mbi të mendoje se rrëshqisje mbi një pistë patinazhi.

Shumë të dënuar e paguan shtrenjtë në ato rrëpira, u sakatuan keqas, sidomos të moshuarit që mezi mbaheshin në këmbë.

E kundërta ndodhte në verë, thatësira e tejzgjatur shoqërohej me temperatura të larta e kthehej në makth. Një mjegullnajë e pandashme prej tymi të verdhë, varej pezull në ajër. E shtyrë nga rrymat pa drejtim, kjo masë pluhurore shndërrohej në një tis reje të dendur, që të lodhte sytë, dhe i jepte panoramës një bojë okërrime të neveritshme, aq sa s’arrije të shquaje ngjyra të tjera. Kur rastiste të kaloje aty pari dhe ta shihje veten të mbuluar prej këtij tisi verdhan, të bëhej se po përshkoje mes dunave të Saharasë. Kampi strukej nën këtë tyl zbehtësie, si kufoma nën savan.

Atmosfera ngopej me ajër të pashëndetshëm, përherë të ndotur e gjithë zhul dhe po t’i shtosh kësaj edhe sasinë e pamjaftueshme të ujit të pijshëm, që edhe ai pak që vinte kish shije hidhësire, ambienti shndërrohej në plojë dhe vetë kampi, në një mjedis të papërshtatshëm për jetë normale.

Këta faktorë, ndikonin negativisht mbi shëndetin e pjesës dërrmuese të të dënuarve, që vuanin nga ulçera, nga sëmundjet e rrugëve aspiratore e sidomos nga tuberkulozi.

Qysh ditën e parë, sa mbërrita atje, u ballafaqova me më të keqen, me athëtimën fshikulluese mirditore.

Ishte fillim dimri i 1968, saktësisht 24 nëntor.

Mbasi na rrasën në autoburg, të lidhur me gjermanka, (me këtë emërtim përkëdhelës kishin pagëzuar prangat) dy nga dy, na nisën nga birucat e Shkodrës drejt një destinacioni të panjohur. Mbas orësh pa fund troshitjeje dhe tronditjeje, brenda karakatinës lëvizëse prej llamarine, ku ajri hynte nëpërmjet një frëngjije hekurash, të trashë sa fyelli i dorës që shërbente njëherësh edhe për ndriçim, dikund autoburgu ndaloi. Se ku, s’e morëm vesh. Hodhën një si thes, me një trup njeriu brenda dhe gërdalla e llamarintë, u nis sërish. Për ku? Dreqi e merrte vesh.

 

 

Ndaloi prapë diku, mandej edhe diku tjetër, pastaj përfundimisht….

Ku?

Siç kuptuam nga biseda mes policëve shoqërues dhe ca veriorëve të tjerë, duhet të kishim përfunduar në kampin e Repsit.

 

…Kur hapën derën e hekurt, të rrangallës që na pruri aty, e pamë veten ngujuar në një tip vathe, me rrethim të trefishtë. Policët që na shoqëruan nga Shkodra, na nxisnin të zbrisnim. Të panjohurit që na pritën, ulërinin dhe bërtisnin. Të hutuar nga ulurimat dhe dritat e forta, s’po orientoheshim dot. U topitëm fare, mishmashi i urdhërave, ku s’e merrte vesh qeni të zonë, na shokoi.

Shoqëruesit urdhëronin: “shpejt bre, hidhuni se na zuni mbramja!”, pritësit ua kthenin: “po gadal, or tëj!”.

Mes zallamahisë, nisën të vringëllinin shkopinjtë, njëri hidhte, tjetri priste, s’dije nga të ruheshe më parë. Edhe unë i hëngra ca goditje të mira.

Së fundi, policët shoqërues të mërzitur nga ngathtësia jonë, hipën sipër dhe krahë e kofshë, na vërvitën nga karroceria, na flakën mbi krye edhe ato pak rrecka që kishim me vete, pastaj na hoqën gjermankat, të cilat i zhytën në një arkëz.

U gjendëm mes telave, rrethuar prej policëve të kampit, nën vështrimet e egra të një qeni dhëmbëskërmitur.

Ata që na sollën, mbyllën shpejt e shpejt proces-verbalin e dorëzimit, i hipën autoburgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme:

“Zi e ma zi! Mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu!”

O Zot! S’kisha dëgjuar mallkim më tronditës deri atëkohë.

Tashmë pa hekurat në duar, po shpinim gjymtyrët e ngrirë prej të ftohtit, por më tepër prej dhimbjes që shkakton qëndrimi i gjatë kruspull. Mbetëm mes telave gjembaçë, të shtrydhur si sanduiçë.

Pikërisht kur menduam se iu ikëm mundimeve, në çast një zë i çjerrë, me tingull metalik, më uturiu në vesh:

“Në apel! Në apel!”

Kjo klithmë më zuri gafil. M’u rrënqeth tërë shtati, ndjeva leshtë, e mbetur në kokën e qethur, të më shndërroheshin në gjemba iriqi. Mornicat e akullta më përshkuan tej e tej sharrën kurrizore.

Atë çast kujtova se një megafon i fuqishëm, më kumboi rrëzë veshit; por më vonë do të mësoja se, edhe pse vërtet ekzistonte një alet i tillë, s’kish qenë ai që më drithëroi, po tellalli i kampit me tonin-bombë.

Timbri i atij zëri të zvarrgur, s’do më ndahej për plot pesë vjet. Më pas, do më ndiqte për gjithë jetën, në ëndrrat e frikshme me burgje, me policë dhe tellall.

…Na shtynë në hyrjen e portës së brendshme, në një tip kthine, rreth dy metër  katrorë që polici e quajti zyrë, po që vetëm me zyrën s’ngjasonte. Atje, nën vëzhgimin e një polici dhe të dy ushtarëve roje, të armatosur me automatikë, që survejonin pak më tej, na lanë në pritje.

Rreth dhjetë metra më tutje, në postërojën që ngrihej kas, mbi portën kryesore të kampit, na kërcënonte me mitraloz të lehtë, drejtuar mbi kokat tona, një tjetër ushtar.

Askush s’foli.
Në heshtje gjithsecili, vajtonte fatin e vet, mendonte për mjerimin që na rezervonte kjo portë, me thurrje të trefishtë gjembash. A do të mbërrinim vallë, të dilnim gjallë…?

Një Zot e dinte!

Mbetëm të ngujuar edhe ca minuta të tjera, që mua m’u dukën një shekull, pastaj se nga hynë vrikshëm dy policë dhe një oficer, mesa duket oficeri roje.

-T’tana teshat përtokë!-urdhëroi njëri syresh.

Fillimisht u hutova. S’po kuptoja për ç’rroba bëhej fjalë sepse shtresat dergjeshin në dysheme. Por polici na bëri shenjë për teshat e shtatit.

Pashë të tjerët t’i hiqnin, u zhvesha dhe unë.

Ashtu cullak, na kontrolluan rreptë, sikur të mos vinim nga birucat ku sivllezërit e tyre na kishin kontrolluar dhe stërkontrolluar disa herë. Mandej në një bllok të madh, sa suprina e tavolinës, regjistruan gjeneralitetet tona. Si mbaruan edhe këtë formalitet, u kthyen e na pyetën një për një, nëse kishim qenë ndonjëherë tjetër të dënuar.

-Kush e ka për së dyti burgun?

Askush s’ktheu përgjigje.

-Tëj?

-Jo!

-Po tëj, a je ken ma parë?

-Jo!

-Po tëj?, po tëj?, po tëj?- kur u siguruan se asnjëri s’kishte eksperiencë të mëparshme, i ngritën tonet dhe na kërcënuan me izolim në birucat e kampit.

-Nëse do shkelni rregulloren e brendshme ose edhe, nëse do diktoheni se do qaseni, si shumë, me të burgosurit e vjetër, (që sipas tyre ishin armiq të rrezikshëm, të pariparueshwm dhe me sjelljen e tyre të padenjë, mund të bëheshin pengesë për rehabilitimin tonë të shpejtë), do ta paguani shtrenjtë!

…Harronin qyqarët, se edhe ne ishim të dënuar politikë, njësoj si ata që vegjetonin prej vitesh pas këtyre telave me gjemba, siç do na detyronin edhe neve, të shtynim vite e vite të gjata.

Nga libri “Repsi Kampi i punës së detyruar” i autorit Shkëlqim Abazi, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit

 

S'KA KOMENTE