Në janar-shkurt 1953, Kontrolli Postar, pjesë e Degës së 8-të të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndaloi një pjesë të letrave dërguar nga Shqipëria jashtë shtetit. Nëpërmjet këtyre letrave, kryesisht ato që dërgoheshin në SHBA e Australi, kuptohet gjendja e rëndë ekonomike e vendit. Letrat përveç ndalimit u bënë objekt i punës operative në degët e punëve të brendshme ku jetonin këto objekte.
***
-Kataro Çavo nga Delvina, për George Çikas në SHBA: “Na ke dërguar mjaft pako, por s’i kemi marrë se çmimet e kishin dyfish nga se kostonin. Nuk i morëm se s’kishim lek. Nuk dimë, i keni marrë prapë apo i kanë mbajtur këtu të hapin dyqane shtetërore. Prandaj na ndihmo të dalim nga kjo gjendje”.
-Antigoni Gjini nga Vanistra për Fotis Lonin në SHBA: “...Bisedova për çështjen e Kristaqes, e cila qe në punë, por e kanë hequr. Ndodhemi keq për bukë. Do të vdesim urie. Kam vendosur të shes çdo gjë që kam në shtëpi e të marr bukë e të mos i shikojmë jetimët të na vdesin urie”.
-Familja e ing.Sherif Toptanit (nisur nga përmbajtja, dërguesja duhet të jetë femër, italiane), banues në Qytetin Stalin (Kuçovë), për Aristide Carpanas në Itali: “...Kam mbetur këtu si qen. Duke qenë italiane më shohin si armike. Të gjitha këto i vuaj për fëmijët e mi se përndryshe do t’i kisha lënë barakat dhe palaçot e do kisha ikur. Në punë nuk mund të shkoj. Me rrogën e burrit nuk rroj as 10 ditë e jo 16. Jam duke vuajtur xhehenemin, duke parë krejt padrejtësitë. Jam gati e thinjur nga flokët. Nuk dua të zgjatem, por duke lënë shëndetin për t’u mbajtur me një copë bukë për të mos vdekur. Për përparime, si fabrika, edhe këtu bëhen shumë. Vetëm në dukje, në realitet zero. Shpresojmë një paqe që kështu dhe unë të marr pak ajër të mirë”.
-Muhamet Zaloshnja nga Tirana për Engjëll Kongolin në Bullgari: “Unë me punën sot jam shumë keq. Nga rrobat jam bërë shumë trokë se më grisen nga acidi. Rroga është shumë e vogël. Shpirt im e di si sa po vuaj. Nga premtimet që na dhe, nuk doli ashtu.
-Qemal Zeqiri nga kombinati energjetik, nënstacioni Tiranë për Asllan Zeqirin në Dibër: “Qemalin më nuk do ta shihni. Jetës po i jep fund. Qani nënë e vëlla, gjithë farefisi. Trupin tim me lot lajeni. Sikur të fus disa fije floku të bardhë nga (flokët) që m’u zbardhën nga qejfi që kam bërë këtu në Shqipëri që të besoni”.
-Haxhi Bella nga Dishnica e Korçës për Sali Bellën në Australi: “S’na dërgoni letra. Ne ymyzin te ju e kemi. Të na mbash ca derman se kemi mbetur pa derman. Nëse hamë darkë, nuk hamë drekë. Ashtu jemi bërë. Nuk qëndrojmë dot në këmbë. Këtë na e bëri Raifi që është në burg.
-Mustafa Myrtezai nga Bilishti për Adem Sadik Gocen në SHBA: “Në të dyja shtëpitë një hall na ka zënë, si mua dhe djalin e madh, i cili ka një mot që ka rënë në burg. As e dimë përse. Na ka kapur një krizë e madhe për bukë. Të lutem na dërgo ndonjë të hollë se jemi keq. E keqja sjell të keqen”.
-Nafiz Bezhani nga Tiranë për Shefki Litën në SHBA: “Djali i Hasanit që u largua me studime në vitin 1943, me gjithë thirrjen që i bëri pushteti, nuk u kthye. Gruan ia pushuan nga puna. Ajo për nevoja ekonomike bëri një ndarje të përkohshme. Kështu e lypte interesi. Kishte të drejtë se pa triska nuk jetohet. Mund të më shkruani pa frikë kurdoherë në këtë adresë. Mua mund të më keni si bazë të sigurt për t’u informuar për të tjerët”.
-Foto Dhima Saraqini nga Gjirokastra për Spiro Rambis në Meksikë: “Në rast se pyesni edhe për ne, (ju themi se) jemi mos më keq. Kemi 2 vjet që s’marrim as bukë. Vuajmë. Lëre të zbathur dhe të zhveshur, por bukën me se ta blejmë? Kushton 70 lekë kilogrami. Çfarë të shkruaj? Mbetëm këtu mos më keq. Mos u mërzit fare që ndodhesh larg. Jeni të lumtur. Në rast se pyet edhe për mua se si shkoj me shëndetin, mirë rrojmë që të vuajmë. Mos pyet, jam shumë i mërzitur, por çfarë të bëj?”.
-Raif Mefail Treni nga Bilishti për Adem Karafilin në Australi: “Na ndihmoni se jemi në rrezik të madh, se Myrvetin e kemi në burg”.
-Avni Haxhi Dvorani nga Korça i shkruan Musa Islamit në Australi: “Jam cilësuar kulak dhe jam tatuar dyfish. Ne me paratë nuk bëjmë qejf, por blejmë bukë dhe plaçka, jemi lakuriq. Unë jam bërë si Zyberi qëmoti. Blej misrin me 80 lekë kilen. Na dërgo dollarë se jemi keq për bukë. Xhevdeti të ka thënë si rrjedh puna” (Xhevdeti duhet të jetë i arratisur-shënon oficeri i Sigurimit).
-Zilfrida Ali Shkëmbi nga Biraj Korçë për Meto Maliq Vinçanin në SHBA: “Kemi dy vjet që na kanë cilësuar kulakë dhe na e kanë marrë gjithë bereqetin, si neve dhe Hasanit. Na kanë nxjerrë fare nga shtëpia sepse e bënë kooperativë. Kanë mbedhur gjithë bagëtinë e fshatit dhe kanë bërë stallë, depo dhe zyra. Nuk mund të të them motra jote! Vetëm të jeni këtu e të shihni. Na morën edhe plaçkat dhe i shpunë në dyqanin e kulakëve për t’i shitur. Po kështu na shtinë (tatuan) 10 kuintal grurë mbi planin”.
-Vasil Kondi nga Korça i shkruan Denis Martinit në SHBA: “Aman mëshiromëni të gjallë... dhe mos na lini të vdesim urie. Merruni vesh me Lisimakun”.
-Hazëll Eqeremi nga Bilishti i shkruan Eqerem Shabanit në SHBA: “A na pyet për ushqim më të mirë? Turshi dhe lakra kemi plot se ato kanë vitamina më shumë nga të tjerat. U mësuam që bukën ta hamë në të thatë. Një kalë kushton 30 napolona. Një lopë 250. Një ka 250. Çupa e vogël thotë të therim macen”.