Historia e tij mund të kishte humbur fare lehtë. Kolë Sheldia nuk ishte një veprimtar i shquar. Nuk la vepra pas. Veç një jete të jetuar dhe… të humbur për besnikërinë.
Dom Lazër Shantoja mbahet si kleriku i parë katolik i arrestuar dhe i pushkatuar. U ekzekutua më 5 mars të vitit 1945, pasi ishte arrestuar në Sheldi dhe pësoi tortura çnjerëzore para se të çohej në vendin e pushkatimit, në Tiranë. Sa e shkëlqyer është për nga vlerat veprimtaria e tij e mëparshme poetike dhe përkthimore, edhe pse pak e njohur, aq e errët është periudha e fundit e jetës së tij për nga torturat dhe poshtërimet që përballoi. E megjithëse komunizmi i mbajti veprat e tij dhe krimet e veta të fshehura, vitet e mëvonshme, kur Dom Lazër Shantoja është shpallur Martir dhe I Lumë, kanë nxjerr në dritë shumë prej këtyre fakteve: janë botuar vepra të Shantojës, është folur për jetën dhe talentin e tij, janë sjellë dëshmitë e vuajtjeve në qelitë e paraburgimit, duke riformuar deri diku tiparet e kësaj figure që diktatura e shkatërroi në kulmin fillestar të urrejtjes ndaj atyre që i konsideronte armiq. Por në historinë e arrestimit dhe të hakmarrjes së komunizmit ndaj Lazër Shantojës, fshihet edhe një histori tjetër. Një histori nga ato që rëndom mbetet e patreguar sepse nuk i përket një veprimtari të njohur, por është historia e një njeriu që zgjodhi të jetojë besnikërisht dhe për këtë u vra. Një jetë nga ato “të fshehurat”, siç i quan George Eliot ….të njerëzve “që prehen në varre të pavizituara” vazhdon Eliot, dhe pse Kolë Sheldija nuk e ka as një varr. Është një nga dhjetëra banorët e Shkodrës dhe rrethinave të saj të zhdukur gjatë regjimit komunist që shumëfishohen në të gjithë Shqipërinë. Është meritë e Daniel Gazullit e të njerëzve të tjerë ku ai e ka mbështetur një shkrim të para disa viteve, që historia e Kolë Sheldisë nuk është zhdukur.
Teksa flet për arrestimet dhe ekzekutimet që trondisnin Shkodrën muajt e parë të vitit 1945, Daniel Gazulli përmend dhe ndalet te Kolë Sheldija, martiri “pothuej i harruem prej të gjithëve”.
Kola u arrestua bashkë me Dom Lazër Shantojën. Pas tri ditësh i bëhet gjyqi. Vendimi: Dënim me vdekje. Motivi: Kishte strehuar Dom Lazër Shantojën. Gjykata kishte dënuar me vdekje një burrë të ri, për atë që jo vetëm në Veri të Shqipërisë, por në çdo cep të botës, është një akt bazik i ndërgjegjes dhe moralit njerëzor, një akt besnikërie që mesa duket në kohë të pamoralshme, të kthen në martir, edhe pse një martir të heshtur.
Kola nuk mund të mos e strehonte Dom Lazër Shantojën, klerikun që kur ai ishte një jetim që bridhte Shqipërinë e mezi gjente një copë bukë, i kishte hapur derën dhe e kishte ndihmuar. Kolë Sheldija nuk mund ta braktiste në ditët e vështirësisë atë që iu gjend në të tilla ditë. Nuk mund ta çonte, ai vetë, në vdekje atë që dikur e kishte ndihmuar të jetonte. Kleriku, më pas ishte larguar 15 vjet nga Shqipëria, por Kola pati strehë, ushqim dhe një jetë normale prej mbështetjes fillestare të Shantojës. Duke qenë që u rrit i rrethuar prej mëshirës kristiane, vite më vonë, vendosi të pagëzohej edhe vetë katolik e të merrte emrin Kolë. E la dhe mbiemrin Kolonjari që mbante nga origjina e tij dhe mori atë Sheldija, meqënëse në vitin 1937 u martua me një vajzë nga Sheldia dhe tashmë ky fshat ishte shtëpia e tij. Pikërisht në atë fshat të Shkodrës, në shtëpinë e jetimit të bërë më familje, strehohet Dom Lazër Shantoja në dimrin mes viteve 1944-1945, kur edhe arrestohet. Bashkë me të arrestojnë dhe Kolë Sheldijan. E dënojnë me pushkatim ashtu si dhe Dom Lazër Shantojën, por sipas dokumenteve, e ekzekutojnë edhe më herët, në 2 shkurt 1945, ndërsa kleriku do të pushkatohej më 5 mars. E ekzekutuan me një nxitim të jashtëzakonshëm Kolën e gjorë. E ekzekutuan që para se të vinte vendimi nga Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës. “Kryetari i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, Esat Ndreu, njofton Kryesinë e Gjykatës Ushtarake në Tiranë, me datën 26 shkurt 1945 (nr. prot. 6/100): “...I dënuari Kol Sheldija u ekzekutua në këtë qytet me datën 2 shkurt 1945”, thuhet në dokumentin që vërteton ekzekutimin e datës 2 shkurt, të sjellë nga Daniel Gazulli në shkrimin e tij. “Gjykata e Naltë Ushtarake në Tiranë, me shkresë nr. 22, njofton Gjykatën Ushtarake të Shkodrës, se kishte marrë në shqyrtim aktet e të pandehunit Kolë Sheldija, i cili ishte dënue me akt nr.14, dt. 31 janar 1945, dhe “vendosi dënimin me vdekje, me pushkatim”, Tiranë 28 shkurt 1945.", thuhet në dokumentin tjetër ku zbulohet krimi mbi krim.
Gjykata e Lartë Ushtarake e Tiranës la në fuqi vendimin e asaj të Shkodrës, por ekzekutimi u bë para se ajo ta shpallte vendimin e saj. Për jetën e Kolë Sheldisë nuk kishte kush të protestonte. Si për asnjë vendim tjetër të marrë ligjërisht apo jo në atë kohë. Kola u pushkatua sepse zgjodhi të “jetonte besnikërisht një jetë të fshehur”. Numrit të këtyre njerëzve, thotë Eliot, u detyrohemi në masën 50 për qind që, gjërat nuk janë aq keq sa mund të ishin.
Po a e bëri pak më të mirë këtë vend jeta e Kolë Sheldisë, e humbur për hir të besnikërisë? Dhe atyre të tjerëve që nuk tradhtuan miqtë duke rrezikuar njëlloj veten nga dënimet e padrejta të diktaturës? Është e vështirë ta thuash, pas asaj që ka ndodhur gjatë diktaturës, por ndoshta po të mos ishin këta njerëz, do të kishte qenë me keq seç ishte.
Në foto: Kisha e Sheldisë