Kam mét jetim …

0
283

Ndij fmin kah thrrasin, Nàn, gjith sa hèr; M’bahet se zemra m’thot edhe mù; Nàn, kuj me i thirrun t’pakten njihér; Por nuk kam Nàn, m’épet me vajtù ; Vrap ngas kah shpija plot me hidhnim: Kam mét jetim!

Në përkujtim të 70-vjetorit të ndarjes nga jeta të klerikut Ndoc Nikaj, romancierit të parë shqiptar, botojmë një nga vjershat e tij. Ndoc Nikaj, lindi në qytetin e Shkodrës më 15 qershor 1865. Mësimet fillore i bëri në Arqipeshkvinë e Shkodrës dhe në Seminarin Papnor, të udhëhequr nga etërit jezuit. Studimet e larta i kreu në Romë, duke u shuguruar për meshtar në vitin 1888. Në vitin 1888 botoi romanin me titullin “Marcja”. Muzeu Historik Kombëtar evidenton se ky roman njihet gjithashtu si romani i parë i shkruar në shqip. Krahas veprimtarisë patriotike e fetare, Dom Ndoc Nikaj publikoi qindra vepra letrare e historike. Më poshtë publikojmë një ndër vjershat e tij:

     KAM  MÉT  JETIM …

Gjetht jan tui ramun, era tuì fry,

Lulet kréjt kputen, bima tui zdèsh,

E koha kohen m’nji tui e shty,

Vjeshta tek duket, vjen me na ndèsh;

Mù m’lkundet zemra gjith n’permallim:

Kam mét jetim!

 

Vyshken e thahen gemat nder pèm,

Faqen, tui ndrruè, toka difton,

Zèmra m’shterngohet prèj hidhnimit t’ém,

Rri tui kujtué, per mende m’shkon

Bàb e Nàn pata, m’làn vetem shqim:

Kam mét jetim!

 

Shof fmin e tjerve t’veshun e t’gzùm,

Kah i puth Nàna, kah i merr me t’mir,

Me petka t’bukra e t’lam e t’ndrrùm,

T’veshun e t’mbathun me petka dlir,

E mu m’thèr zemra mbush me vajtim:

Kam mét jetim!

 

Ndij fmin kah thrrasin, Nàn, gjith sa hèr,

M’bahet se zemra m’thot edhe mù,

Nàn, kuj me i thirrun t’pakten njihér,

Por nuk kam Nàn, m’épet me vajtù,

Vrap ngas kah shpija plot me hidhnim:

Kam mét jetim!

 

Rrì si i vorfen gjith-hér m’njen an,

Kush nuk m’ven n’préhen kush nuk m’pergzon

Kréjt jam i vétem prej se s’kam Nàn,

E n’terr moti gjith’ hér mù m’shkon,

Nuk m’qéshet buza, nuk kam kurr gzim:

Kam mét jetim!

 

Por sa t’dal vjeshta, dimni po vjen,

Me bòr, me akull, me t’ftoft, me èr,

E mù n’prehen nuk ka kush m’shtjén,

Por nji brì zjarmit n’m’lshoft kush per ndér,

S’ka kush me m’shtrue as me m’qit mblim,

Kam mét jetim!

 

Jetim kam metun, jetim me rrnù,

N’neper dùr t’huja, pa Bàb, pa Nàn,

Fort e vshtìr kenka jeten me shkù,

Kush s’m’a din t’kéqen, veç kush m’ka dhàn,

M’thirr Nàn qi t’vi te ti fluturim:

Kam mét jetim!

 

Krijimtaria letrare
Krijimtaria letrare e këtij shkrimtari përfshin më se 30 vepra me përmbajtje të ndryshme. Elementi kryesor i të gjitha veprave pothuaj është i marrë nga jeta shqiptare: përshkruhen zakonet e lashta dhe fisnike të shqiptarëve, bëhet fjalë për historinë e kombit, subjektet e tij janë të gjitha nga jeta e njerëzve tanë. Vepra më e rëndësishme është “Historia e Shqypnis”, vepër me 414 faqe, botuar në Bruksel më 1902.
“Përshkrimet e luftimevet të Shqyptarëvet kundra Turkut, nën kryesin e fatosit Skenderbeg, deri në ramjen e Shkodrës në vjetin 1478, janë të gjalla e të shkrueme me nji entuziazëm kombtar, prej të cilit shihet zemra e ndezun e shkrimtarit për fisin e vet”. (Shkrimtarët Shqiptarë, Tiranë, pjesa II, fq. 93.)
Bashkë me Dom Kolecin, i cili është autor kryesor i fjalorit të njohur “Bashkimi” (1908) edhe Dom Ndoc Nikaj punoi në përmbledhjen e fjalëve dhe të thesarit popullor nëpër famullina kishtare ku veproi si prift famullitar.
Ja disa nga veprat e botuara prej autorit në fjalë:
“Vakinat e Kishës” (1888), “Marcja e Turkis” (1902), “Historija e Turkis” (1902), “Bleta ndër lule të Parrizit” (1907), fletorja “Koha”, Bashkimi, “Besa Shqiptare” etj. (1910 – 1921), “Kalendari me diftime gjithfarësh” (1910), “Diftime të natyrshme” (1912), “Bleta e re” (1912), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa I, 1913), “Shkodra e rrethueme” (Pjesa II, 1913), “Abetari i vogël për Msojtore” (1914), “Të ndollmet e Kishës” (1914 – botim i dytë), “Abetari i madh” (1914), “Libri i Blertë i Italis” (1915), “Kndime të Para” (1915), “Diftime të Natyrshme të unjishme” (1915), “Tivari i marrun” (1915), “Bisedime Shqyp – tedeshk” (1915), “Abetari” (dorë e dytë 1916), “Përmbledhje e historis së Shqypnis për shkolla” (1917), "Bukurusha” – roman historik (1918), “Ulqini i marrun” – roman historik (1918), "Burbuqja” – roman historik (1920), “Motra për vllan” (1924), “Kalendari”, “Shqyptari” (1906, 1914, 1915) etj.
I mbetën të pabotuara edhe shumë dorëshkrime, ndër të cilat janë edhe shtatë romane: katër historikë të vendit dhe tre në përkthim të lirë. Këta janë: “Lulja e Veshkun”, “Dashuni e Mshehët”, “Për mik”, “Ç’pat thanë gjyshja”, “Han Islandi”, “Nji Testament”, “Te Shpella e Murosun”.

S'KA KOMENTE