Hysen Hajredin Cakrani vuajti persekutim dhe vdiq në azilin e pleqve

0
4

Biri i firmëtarit të Pavarësisë, Hajredin Cakranit dhe vëllai i Kadri Cakranit, pavarësisht se nuk kishte ndonjë përfshirje në politikë, vuajti dënim dhe persekutim në regjimin komunist.

 

Aktiviteti i Kadri Cakranit si një nga themeluesit dhe komandantët e Ballit Kombëtar, i kushtoi shtrenjtë familjes së tij që mbeti në Shqipëri gjatë diktaturës, pas arratisjes së Kadriut. Pak kohë më parë, Kujto publikoi historinë e njërit prej vëllezërve të Kadri Cakranit, Vasfiut, i cili u burgos tri herë. Nuk i shpëtoi burgut, as vëllai tjetër, Hyseni.

Hysen Cakrani u arrestua më 13.12.1944. U përfshi në një proces së bashku me shtetasit: Sheh Zenel Aliu, Isuf Margaritari, Sadush Metaj, Halit Morina, Hasan Radeshi, Nijazi Brahimaj, Meto Hyka, Shaqo Qamili, Murat Ferko dhe Qemal Hysenaj, të akuzuar në bazë të neneve 14, 15, 18/gj, të ligjit mbi organizimin e gjykatave ushtarake.

Këshilli Gjyqësor Ushtarak Fier, i drejtuar nga toger Myftar Nexhipi, me pjesëmarrjen e prokurorit Nusret Osmani, me vendimin nr.25-35, datë 6.8.1945, e deklaroi fajtor si “armik i popullit” dhe e dënoi me 30 vjet burgim, konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtave qytetare e politike. U lirua nga burgu më 13.12.1958.

Në shënimet e ndryshme të kohës, thuhej se i vëllai i tij, Kadri Cakrani kish qenë eksponent i Ballit Kombëtar, por për Hysenin nuk kishte ndonjë akuzë për krime. Pas lirimit nga burgu, duke banuar në Berat, më 11.5.1959 u vu në kontroll operativ 2B nga Sigurimi i Shtetit. “Vigjilenti”, “Pelivani”, “Gajro”, “Liqeni”, raportonin në drejtim të tij se bënte agjitacion e propagandë. Në vitin 1961, Sigurimi e kalon në përpunim aktiv 2A, ndërsa 4 vjet më vonë ulet në kontroll operativ 2B. Në vitin 1967, zhvendoset për të banuar në qytetin e Fierit. E raportojnë “Ylli i kuq” dhe “Guximi”, por këto të dhëna vlerësohen “pa rëndësi”. U kthye në Fier, ku ndërroi jetë në azilin e pleqve, aty ku i kish vdekur edhe i vëllai para disa vjetësh.

S'KA KOMENTE