Historia e Liza Llesh Molit dhe natës së përgjakshme të 25 prillit 1951

0
47

Shtëpia e Llesh Molit u rrethua nga forcat e Sigurimit natën e 25 prillit 1951, por të zotët e shtëpisë nuk mund t’i prisnin në besë dy miqtë që komunistët kërkonin t’i nxirrnin jashtë. Ajo natë shënoi 5 viktima: një oficer të Sigurimit; babain e shtëpisë, Llesh Molin; vajzën 23-vjeçare, Lizën dhe dy miqtë. Ndërsa përndjekja ndaj familjes Moli vazhdoi për vite me radhë duke u përjetuar edhe nga fëmijët që në atë kohë nuk ishin lindur. Njëri prej tyre, Gjovalin Moli, i ka treguar autores së këtij shkrimi, Kristinë Oroshit, ngjarjet e asaj nate të përcjella në familjen e tyre brez pas brezi dhe përndjekjen e përjetuar për 40 vjet e ndoshta dhe më gjatë

 

Nga Kristinë Oroshi

 

Në luftën për mbrojtjen e nderit dhe dinjitetit kombëtar shqiptar një rol të rëndësishëm krahas burrave e kanë luajtur edhe femrat shqiptare.

...Njëra ndër ato heroinat që e mbrojti pragun e shtëpisë dhe vdiq si luaneshë ishte edhe mirditorja Liza Llesh Moli. Ajo jo vetëm që mbrojti pragun e shtëpisë, por gjithashtu i mbrojti edhe mysafirët që ishin luftëtarët e lirisë që ishin strehuar dhe kishin gjetur mbështetje në shtëpinë e atdhetarit Llesh Moli. Për kontributin kombëtar të Liza Molit është shkruar shumë pak. Është interesant të theksohet fakti se edhe dokumente lidhur me vrasjen e kësaj heroine kemi shumë pak. Por e vërteta historike asnjëherë nuk ka humbur. Ajo është përcjellë nëper breza më rrëfimet e familjarëve për dhimbjen e të afërmve të tyre. Një rrëfim ekskluziv i dhënë me argumente dhe dëshmi të pakontestueshme është rrëfimi i nipit të saj Gjovalin Moli i cili më rrëfeu:

“Shpija e Molit asht e njoftun në tanë rrethin e Mirditës si shpi bese e buke. Shpija e Molit ka qenë një shpi e sot jemi 30 e disa shpi. Prejardhjen e kemi nga Gjakova të ram në Has, prej Hasit jena zhdjerg në Kaçinar. Disa kusheri i kemi atje në Kosovë: quhen Nikollaj dhe Gjinaj, janë nga Klina e Kosovës. Llesh Kolë Moli gjyshi im i kishte gjashtë fëmijë: dy djem dhe katër vajza. Në vitin 1946 djalin e parë Gjokën e dërgojnë me dhunë partizan. Iku nga partizanllaku e doli në mal bashkë me forcat nacionaliste. Atëherë erdhën e dogjën shtëpinë në vitin 1946 duke e marrë krejt mallin, ata kanë marr komplet pasuninë por nuk kishte viktima. Mirpo shtëpinë e kanë djegë komplet. Pastaj doli ajo falja se kush nuk i ka la durt me gjak. Ne ishim duke reparuar shtëpinë për herën e dytë.

Ka shku baba ushtar në vend të atij (xhaxhait), baba ka qenë ma i ri. Ai ka qenë në datlindjen 1920 kurse baba Nue Llesh Moli ka qenë i lindur në vitin 1926. Edhe ka shku ushtar në vend të atij. Po pavarësisht që xhaxhanë e vranë por jo shteti por komplet hilja e shtetit. Ke parasysh agjenturat e shtetit. Por njaji shoqi se ai ka qenë i thellë në sigurimin e shtetit. Pra, në vitin 1949 baba shkon ushtar në vend të vëllait. Në vitin 1949 është vra xhaxhai. E ka mbetë shtëpia në gjyshin dhe në këtë Lizën. Liza ka qenë e pamartume dhe ka qenë e lindur në vitin 1928. Liza është vrarë në moshën 23 vjeç, më 25 prill 1951.

Pra, atë natë kemi pasur mysafirë dy miq shpije të cilët ishin në mal. Ata ishin nga Mnela, Mesulak, por të ram në Mnelë: njëri ka qenë kunati i hallës Gjergj Nikollë Suli dhe tjetri i kushërinjëve të tij Gjin Suli nga Mnela. Mbrëmjen e 25 prillit 1951 edhe agjenturat e sigurimit të shtetit  shkojnë të shtëpia jonë edhe e rrethojnë shtëpinë. Gjyshi ka qenë në moshë të thyme shtatëdhjetë e më shumë vjet.

A janë filani dhe filani- pyesin sigurimi? Po, u thotë  Liza-halla këtu janë. -Na i nxjerr përjashta se jeni në shtetrrethim. Ajo u tha se nuk e kemi zakon me i nxjerrë miqtë jashtë. Nesër kur të del drita ata dalin vet e  vijnë dhe dorzohën. Jo,- thanë,-ata të dy duhet të dalin urgjentisht . Por pastaj fillojnë gjuajtjet e pushkëve. Ata dy miqtë nuk e kishin asnjë lloj arme  vetëm Liza e kishte një pistoletë. Vetëm kjo pistoletë ishte ngelë. Si filluan shkrepjet e pushkëve kjo ka hap derën edhe e ka vrarë oficerin e sigurimit të drejtimit, Hajdar Nanën.

I kanë ra me dy pluma dhe nuk është rrëzu në oborr, ka dal kunati i hallës në derë pa folë e kanë vra edhe atë por kah muri në oborr. Ka dal gjyshi më vonë e kanë vra edhe gjyshin. Ky miku tjetër ka hy në mes te arkës dhe murit dhe ishte i gjallë. Nesër në mëngjes kanë hy me ba kontrollën edhe për me djegur shtëpinë. Ai iu del e u thotë në dorë të juj e të Zotit o burra, por sigurimi e vrasin pa folur fare.

Pra më 25 prill të vitit 1951, vritën katër veta në shtëpinë tonë në mesin e tyre edhe halla 23 vjeçe. Gjyshja në këtë kohë ka qenë në një tjetër fshat në Arrës e kur ka ardh ka pa vetëm shtëpinë duke u djegur. Kanë marrë komplet bagëtinë. Prej atëherë kanë mbetur muret dhe gërmadhat, atje nuk kemi ndërtuar më shtëpi sepse aty është derdhë shumë gjak. I kanë marr ata dy mlenagjitë i kanë varros në Smirë kurse hallën e kanë varrosur në një vend jo te varret e Kaçinarit por në një vend tjetër shumë larg varreve. Ka qenë deri vonë varri i asaj por nuk na kanë lanë me e marrë kufomën edhe pse kishte tentuar baba, me marr. I patën vnu këtij Hajdar Nanes lapidarin të shtëpia dhe në çdo 5 maj vishin dhe e përkujtojshin. Unë vet, i dyti vëlla isha aty 10 vjeç dhe vijshin familja e Hajdar Nanës nga Skrapari dhe thojshin se qe ku është krimineli i vogël. Edhe në këtë moment baba ka qenë ushtar tri vjet në Gjirokastër …sa ka ndodhë kjo ngjarje, një muaj pa e përfundu ushtrinë, e kanë kap në Gjirokastër dhe e kanë dënuar me dhjetë vjet burgim. Pasi është liruar nga burgu, baba ka ardhë këtu dhe është martu. Nga ajo martesë kemi lindur pesë fëmijë: dy vëllëzer dhe tri motra. Pastaj babai ka punuar në sharrat e Pukës. Nuk na kanë dhanë të drejtën e shkollës, kemi mësu krejt fëmijët. E kam pas mall me hangër një mort apo një  darsëm tek njerëzit e mi deri kur ka ardhë demokracia. Kështu kur ka ardhë Demokracia jemi të parët me Gjomarkun që ka ba burg, kemi marrë pjesë më shumë familje atdhetare në rrëzimin e busteve të komunismit siç ishte ai i Bardhok Bibës dhe i heroinave të rrejshme që kanë qenë në  Rrëshen. Nuk kam pranu me hy me shtetin sepse babai gjatë burgut ka mësu e shkru edhe me lexu sepse ka ndejt me filozofët që kanë studiue jashtë shtetit dhe më ka thënë se mos u merr me asnjë parti se kjo nuk është demokraci. Pse,- i thosha,- nuk është demokraci? -Sepse meqenëse banë shoqata e të përsektumve partinë, por nuk e bani të tjerët, janë bijtë e komunisëtve ata që kanë ba parti. Për burgun e babës dhe dy vrasjet që janë vra pa gjyq i kam fol Kurt Kolës që ishte kryetar i shoqatës në Tiranë. I kanë nda në katër-pesë shoqata për të mos u ba parti. Në komunizem kemi qenë dhe jemi edhe më në komunizëm sot. Do të thotë është fatkeqësi për këtë komb. Mandej Liza u dekorua nga Sali Berisha si dëshmore e demokracisë kurse varrin nuk ja kemi gjetë. E kanë ndreq fushën e futbollit. E kanë pas varros pas njaj kodre. Jo të varret. Janë ba punime është ba fushë sporti. Prandaj vujtem tanë jetën. Tash gjoja jemi të lirë në demokraci, jam marr me punët e mia private. Nuk dua me ndegju se janë gjallë. Tani jetojmë në Balldre afër Lezhës, në afërsi të kishës se shën Prenës.

Ky pra, ishte rrëfimi rrënqethës i Gjovalin Nue Llesh Molit, i nipit të Liza Llesh Molit, për hallën e tij. Ky rrëfim duhet të shërbejë që kjo heroinë të vëndoset në vendin e merituar.  Gjykata e Rrethit të Mirditës me vendimin nr. 306, 30 prill 1993, ka  vendosur njohjen e faktit juridik të vrasjes së Lizës pa gjyq për motive politike, më 25 prill të vitit 1951.

Shkrimet e të tjerëve për Liza Molin

Përkundër faktit që u munduan komunistët dhe neokomunsitët që këtë heroinë ta harrojnë ajo nuk u harrua asnjëherë. Edhe pse shumë shkurt për këtë heroinë shkruan studiuesja e dhembjeve shqiptare Fatbardha Mulleti Saraçi, publicisti dhe historiani Leon Molla dhe studiuesi Gjon Mark Ndoj. Ajo po ashtu është regjistruar edhe në Fjalorin Enciklopedik të Viktimave të Terrorit Komunist V (Tiranë: ISKK, 2016).

Studiuesja Fatbardha Mulleti Saraçi në librin Dhimbje 2- Faqe 240 botuar në shtypshkronjën Ilar, jep disa shënime të shkurta për Liza Molin ku shkruan: “Liza Moli lindi në vitin 1928 në Kaçinar (Mirditë). Shtëpia e saj ishte një vatër mikpritëse e luftëtarëve te rezistences, të cilët nuk pranonin sundimin ateisto-komunist. Për të mbrojtur luftëtarët e strehuar, vajza e re u vra bashkë me babain e saj - Llesh Molin, mikpritësin, bukëdhënësin, zemërartin mirditor... Forcat e ndjekjes dogjën edhe shtëpinë e tyre, qe ishte një vatër antikomuniste..., mbetën vetëm gurë, murë dhe hiri, ato ishin deshmitare të kësaj tragjedie..., por nga hiri rilindi Feniksi dhe vajzë e babë, mbetën në pavdeksine e përjetësisë”...

Kurse studiuesi tjetër mirditor i cili shkroi shumë libra për rezistencën dhe luftën kundër komunizmit Gjon Mark Ndoj në librin “Luftëtar Mirditas të Lirisë”, botues Mirdita 2002”, në  faqën 80, për Liza Molin shkruan: “Liza Moli- Leu në Kaçinar e aty mori mësimet e para ( sa i lejoi koha). I rrethohet shpija prej forcave tẽ ndjekjes. Për të mos ju pre miqtë në moshën mbi 20  vjeç vritet me gjithe babë. Shpinë ja dogjën.

Dëshmi të përafërt shkruan edhe publicisti dhe historiani Leon Molla i cili në një shkrim ku bën fjalë për 6 heroina mirditore e përmend edhe Liza Molin ku shkruan si vijon: “Liza Moli- Lindi në Kaçinar të Mirditës po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, dhe per te mbrojtur nderin e shtëpisë ajo u vra në moshën 23-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

 

Shënim: Shkrimi i mësipërm, me autore Kristinë Oroshin, i është përcjellë kujto.al nga Nue Oroshi, kryetar i shoqatës “Trojet e Arbrit” dhe është publikuar me shkurtime. Nga Liza Moli, siç shkruan K.Oroshi, nuk ka mbetur asnjë fotografi, pasi komunistët i dogjën dy herë shtëpinë.

S'KA KOMENTE