Gjyshin tim, Ndrek Loka e pushkatuan komunistët dhe e lanë pa varr...

0
716

Ngjarja makabre kishte ndodhur në të gdhirë të 25 marsit 1945. Atë mëngjes, në Zallin e Kirit, 14 burra ishin pushkatuar pa gjyq, mes tyre Prek Cali, Dom Ndre Zadeja, dhe Ndrek Loka. Lazri thotë se vdekja e gjyshit sikurse edhe e 13 te tjerëve e tronditi opinion publik, pasi nje shpallje që ishte ngjitur kudo nëpër qytet, lajmëronte se ata do të pushkatoheshin pa u zhvilluar ende asnjë gjyq.

Lazer Ndreka është 86 vjeç. Gjithë jetën e tij ka qenë një adhurues i parimeve demokratike, dashnor i lirisë, dhe një antikomunist i betuar që prej fëmijërisë. Nuk ishte as 10 vjeç kur, në fshatin e tij të lindjes, në Juban të Shkodrës, por edhe në zonat përreth, ndërsa shëtiste me gjyshin e tij, hipur mbi kalë, në kuvende burrash të malësisë, në vitin 1945, dëgjoi për herë të parë për fatkeqësinë që po pllakoste atdheun, fatkeqësi që do të ndrydhte çdo ndjenjë lirie të shqiptarëve për gjysëm shekulli. Ishte komunizmi, që zotni Lazri e quan kërcënuesin ma të rreptë të Lirisë...

Ndrek Loka, gjyshi i Lazrit, ishte prej të parëve burra që ishin betuar për të mos e lënë komunizmin të instalohej ën Shqipëri. Ai ishte kryetari i një familje të madhe prej më shuëm se 40 vetësh. Ai i mësonte nipit të zgjedhur se komunizmi e ndrydh dhe e shkatërron personalitetin e njeriut e duhet me e luftu si ideologji.
Siç e kujton edhe Lazri, gjyshi i tij u bind përfundimisht për të keqen që po instalonin komunistet në njëtubim fetar në Shirokë gjatë një predikimi të Dom Ndre Zadesë..
"Ndreka kishte vajzën me banim në Shirokë dhe mendoi që me këtë rast ta takonte. Dhe ditën e Shën Rrokut, Shiroka e festonte. Siç duket, ipeshkvi kishte caktuar Dom Ndre Zadenë që të bënte atë udhëheqjen e kishës. Dhe ai, Dom Ndre Zadeja, e predikoi aktivitetin e Shën Rrokut, pastaj në fund tha: “një re e zezë, me një ideologji të kuqe, pretendon të pushtojë edhe qiellin e Shqipërisë. Prandaj, o burra, t’i lutemi Zotit, të bëjmë përpjekjet tona që mos të na pushtojë, se kjo është një rrymë bolshevike”. Këto fjalë i kam dëgjuar vetë sepse isha edhe unë aty. Isha fëmijë, por kisha qejf të shkruaja nga pak ato që dëgjoja. Pastaj Ndreka e tregoi në shtëpi që kështu kishte thënë Dom Ndre Zadeja".

Lazri kujton se "aty nga 20 dhjetori 1944, vijnë një natë në shtëpinë tonë rreth 20 burra dhe vijnë e rrinë me atë gjyshin tonë, tani si të bënin që të mund të organizonin kryengritjen. Ata i thanë që ai shëtiste më kollaj nëpër popull, që t’i mbushte mendjen popullit për kryengritje, edhe të shkonte të takohej me Jup Kazazin se Jupi ka një kapacitet më të aftë. Dhe u shpërndanë atë natë. Ndreka gjithnjë nëpër këto probleme bëri çfarë mundi të bënte dhe më 10 shkurt lanë një takim tjetër që edhe Ndreka dhe ata njerëzit që i ndihmonin për të punuar, të bashkoheshin aty dhe të dilnin në një konkluzion se sa punë kishin mundur të bënin për kryengritjen, sa përgatitje".

Mbledhja e rradhës ishte lënë në Vukatanë në shtëpinë e Zenel Bajramit. Atë mbrëmje dimri ishte diskutuar në detaje se do të organizoheshin burrat e gjithë zonave përreth për ta rrëzuar komunizmin.

"Atje u mblodhën më 8 a më 10 shkurt, kurse atë e kanë arrestuar më 12 shkurt. Dikush i hetoi, a ishte në mbledhje, a se si e mori vesh ai që shkoi e i paditi, nuk e di, është e zorshme ta dish atë punë. Ne i kemi dyshimet tona, por derisa nuk kemi argumente të sakta, nuk mund të themi që filani na e ka bërë këtë punë. Më e vështira, më e dëmshmja ishte kjo që dikush i hetoi, shkoi i paditi dhe pastaj i kanë arrestuar, pas kësaj mbledhjes që bënë në Vukatanë", rrëfen Lazër Ndreka.

Ditën e arrestimit Lazri e mban mend mirë, pasi gjyshin e morën në shtëpi para syve të tij. Për të si fëmijë ishte një përvojë e hidhur. Por ende më traumatike do të ishte përballja me fatin e mëvonshëm të gjyshit dhe fundin e tij tragjik.

"Kur e arrestuan gjyshin, kur e morën te shtëpia se e mbaj mend, nuk e lidhën. A e kanë lidhur rrugës, apo atje në burg nuk e di. Por të gjithë ata njerëz që kishin qenë atë natë në mbledhje, në Vukatanë te Selman Zeneli, të gjithë ata njerëz i arrestuan dhe i futën në burg", kujton Lazri.

Arrestimin e Ndrekë Lokës e hasim në dy dokumente, në formë raportesh të brigadave partizane që po operonin ën veri të vendit për të asgjësuar kundërshtarët e komunizmit. Në njërin prej dokumenteve, ndërsa rendisin në listën me mbi 40 të arrestuar në shkurt të 1945, i 17 në rend është Ndrek Loka për të cilin shkruhet:

Ndrek Loka, nga katundi Juban (Kryetar’i Këshillit Komunal, në shtëpinë e të cilit është gjetur një mitraloz engles si dhe një pushkë. Bënte prapagandë dhe porosiste popullin mos me shkue partizanë).

Lazri rrëfen se pas arrestimit nuk do të zgjaste më shumë se një muaj qëndrimi i tij nëburg dhe me 25 mars e kanë nxjerrë në Zallin e Kirit, te varret katolike dhe e kanë pushkatuar bashkë me 13 veta të tjerë. "Ndër ta ka qenë edhe Prenk Cali, Dom Ndre Zadeja, Maliq Bajrami, Dyl Bajrami etj. Pra më 25 mars e pushkatuan. Më 26 a më 27 erdhën dhe na thanë që të iknim në internim".

Ngjarja makabre kishte ndodhur në të gdhirë të 25 marsit 1945. Atë mëngjes, në Zallin e Kirit, 14 burra ishin pushkatuar pa gjyq, mes tyre Prek Cali, Dom Ndre Zadeja dhe Ndrek Loka. Lazri thotë se vdekja e gjyshit sikurse edhe e 13 te tjerëve e tronditi opinion publik, pasi nje shpallje që ishte ngjitur kudo nëpër qytet, lajmëronte se ata do të pushkatoheshin pa u zhvilluar ende asnjë gjyq. Një prej këtyre shpalljeve ishte fotografuar asokohe nga një prej fotografëve të njohur të Shkodrës, e falë tij kjo shpallje makabër vjen deri në ditët e sotme...

Por historia e këtij antikomunisti të orëve të para s'do të mbyllej me vdekjen e tj. Kufoma e Ndrek Lokës nuk do t'i dorëzohej familjes. Ai do të groposej vetë i 13 në një gropë të përbashkët e pak vite më vonë një eskavator do i zhdukte edhe eshtrat e tyre përgjithmonë...Lazri e tregon kështu zhdukjen e eshtrave të gjyshit...

"Kufoma është kalbur aty në tokë. Po ta shpjegoj më mirë çështjen. P.sh. ata xhakonjtë që kanë ndenjur në kolegj, si të thuash, ia mbushën mendjen atij përgjegjësit, se kishin një përgjegjës rojet, dhe i thanë që t’u jepte kufomën e Dom Ndreut. Dhe ai ua dha. Ka qenë njëfarë Mark Çuni. Ka qenë edhe xhaxhai i tij, Ludoviku. Dhe kur e kanë zhveshur Dom Ndre Zadenë për ta shikuar, ia kanë gjetur flamurin shqiptar në gji. Mark Çuni i thoshin atij. Ka thënë: “Shiko sa të poshtër janë komunistët. Duke dashur të pushkatonin Dom Ndre Zadenë, kanë pushkatuar flamurin kombëtar”. Ai përgjegjësi i rojeve ku kishte thënë: “Hapeni gropën shpejt”, d.m.th. shpejt pak si kontrabandë. Dhe atë e morën. Kurse 13 të tjerët mbetën aty. Janë kalbur aty dhe për disa kohë ka ndenjur i paprekur varri i tyre. Ne shkonim dhe e shikonim vendin aty. Pastaj pas rreth 10 viteve, në atë vend ku ka qenë varri i tyre, ka shkuar ekskavatori i kooperativës, ka bërë një gropë e ka hedhur gëlqere. Kështu që ai varr është shpërbërë".

S'KA KOMENTE