Dialog i trishtë në takim me xhelatin

0
460

“Ti ke këputur Sandër Sokolin në kurriz. I ke marrë jetën. Ke rrahur me qindra të burgosur. Ti duhesh vrarë; s’e meriton të jetosh!” - Ai s’foli. Deshi të na ofronte birra, por unë nuk pranova në asnjë mënyrë dhe u ngrita e dola"

Lekë Frroku kishte ndaluar me miqtë e tij në një kafene në Dardhë të Pukës, për të pushuar gjatë një udhëtimi. Kishin kaluar pak vite prej kohës kur kishte rënë regjimi komunist në Shqipëri, kur dhe Leka ishte liruar nga burgu politik i Qafë-Barit ku ishte dënuar me 15 vite si armik i popullit sepse dëgjonte muzikën italiane. Ishte dënuar se ishte kapur në flagrancë duke dëgjuar këngët e Adriano Çelentanos.

Leka nuk i kishte harruar ende gjurmët e dhimbjes që kishte marrë me vete kur la dyert e burgut të Qafë-Barit. Atë ditë të pranverës në vitin 1996 do të përballej me një prej policëve më të egër të burgut ku vuajti dënimin. Do ta gjente si pronar të kafenesë ku do të ulej të pushonte bashkë me miqtë e tij. Një përballje me xhelatin që e kishte dhunuar ashpër dhe e kishte parë të vriste në torturë bashkëvuajtësin e tij, Sandër Sokoli i cili dha shpirt në duart e këtij polici që quhej Nikollë Loka.

***

"Ka qenë viti 1996, kur shkova në klubin e tij i shoqëruar me dy njerëz të tjerë. Pasi biseduam dhe i tregova këtyre dy shoqëruesve se kush ishte i zoti i lokalit, ata më thanë: “A mund t’ia thuash përballë, sy ndër sy?”. “Po” - i thashë.

Klubi ishte i madh, dykatësh. Hymë brenda. Për fat, atë çast, u ndal një autobus i Shkodrës dhe pasagjerët u ndalën për të pirë ndonjë kafe a ndonjë gjë në lokal. Kur na solli birrat, Nikolla më pa dhe u hodh: “Lekë, jemi shokë, dashamirë..!”

Më njohu menjëherë. Kisha kaluar shtatë vjet në burgun ku ishte ai polic.

“Kur u bëre shoku im ti?! Ty të ka pjellë Nexhmija prej hundësh.” - i thashë. Ndërkohë po më dëgjonin gjithë pasagjerët e autobusit. Të them të drejtën, edhe frikë pata, se në mos ai, ndonjë shok i veti, mund të vinte dhe t’ma këpuste me levë kokës.

“Ti ke këputur Sandër Sokolin në kurriz. I ke marrë jetën. Ke rrahur me qindra të burgosur. Ti duhesh vrarë; s’e meriton të jetosh!” - i thashë pastaj. Ai s’foli. Deshi të na ofronte birra, por unë nuk pranova në asnjë mënyrë dhe u ngrita e dola.

Ky dialog në këtë përballje të trishtë të tregon se sa i padrejtë ishte regjimi diktatorial. Ndërsa Leka ulej për të pirë kafe në pronën e xhelatit të tij, kishte ende frikë që po tregonte të vërtetën, ndërsa e kundërta do të duhej të ishte: xhelati të frikësohej nga e vërteta e krimit të tij. Kjo përballje dhe ndjesia e Lekës tregon të vërtetën e tranzicionit postkomunist dhe të demokracisë së rreme. Nuk u ndëshkua asnjë prej xhelatëve të diktaturës, përkundrazi u rehabilituan menjëherë dhe patën mundësi për të jetuar shumë më mirë se viktimat e tyre.

Shënim: Pjesë nga intervista e Lekë Frrokut është marrë nga libri “Zërat e Kujtesës” publikuar nga ISKK, intervistues Luljeta Lleshanaku dhe Agron Tufa.

S'KA KOMENTE