Dëshmia/ Viktor Martini: 100 vite burg për burrat e familjes sime

0
280

Viktor Martini është një ish-i burgosur politik, i cili u arrestua kur ishte vetëm 16 vjeç. Ardhja e Partisë komuniste në pushtet në vitin 1944, do shënonte për familjen e Viktorit një kalvar të gjatë vuajtjesh dhe mundimesh, fillimisht me burgosjen e të atit, Zef Martini, duke vazhduar me tre vëllezërit e tij. Të gjithë së bashku, pesë burrat e familjes Martini vuajtën më shumë se 100 vjet në burgjet e Shqipërisë diktatoriale, ku babai i tyre ndërroi jetë në burgun e Burrelit dhe sot e kësaj dite ata vajtojnë për varrin e humbur të të atit.

Intervistoi: Simon Shkreli / Shkodër

Dëshmia e plotë për Kujto.al

Na flisni pak për familjen tuaj, për babën, për nënën, për origjinën e familjes, veprimtarinë e babës tënd deri mbas Luftës së Dytë Botërore?

Origjinën e kena prej Hotit, të Jugosllavisë, Dedvukaj, dhe quhen fisi i Martin Zogajve. Zoti iu kishte falur pasuni si kurrkujt në atë vend. Për malësorët nuk ishte gjithçka pasunia, ishte liria për me u çliru prej Serbisë e Malit të Zi. Në këto kushte baba merr malet, me malësorët e tjerë dhe lufton. Gjyshja jeme është e Pikalit, prej Pikalit të Grudës, e shtëpia e Kolë Kurtit, një shtëpi me za, nji gruje zonjë. Kur dilte në ballkon, dhe nëpërmjet plumbave i thonte; “o trima, ruheni o baltishtën”! Mbas asaj në këtë luftë arrestuan krejt familjen, gjyshen, nënën, që ishte re 16 vjeçe, edhe të tjerët. Dhe i çojnë fjalë babës; “o do të pushkatojmë tanë familjen ose dorëzohu”!? Në këto kushte baba dorëzohet me shpëtu familjen. Nji propatin, që kishte pirë gjakun me të, bile mysliman shërbente në burg edhe nji natë para se me e pushkatu i krijon mundësinë edhe ikën, e vjen në Shqipëri, plus familja komplet. Mbërrin, me hi në shkollë dhe merr nji shkollë austriake dhe del officer nën shërbimin e mbretit Zog. Shërbimi i tij që ka kënë, ka kënë ushtarak. Si pata thanë Bilal Barrullës, si tha; “ju tanë persekutumë, tanë burgjesh. I thashë; ndaç me e pa rehatinë e familjes teme. Shihe, pesë fëmijë të lindur në pesë qytete të Shqipnisë, ku difton se nji ushtarak me një strecë në shtëpi, tu iu shërbye atdheut. Se atë tokë ka kënë edhe në kohën e Zogut, e të Italisë, se në Shqipëri ka ekzistu, baba jem ka kënë officer i ushtrisë. Hyn Partia e arrestojnë dhe e dënojnë me rastin e Postribës që u bë kryengritja e arrestojnë babën për “kryengritje të armatosur kundër pushtetit popullor”. Mbasi zunë nji njeri t’u kalu në Jugosllavi ku kërkoheshin armë prej… Babën e dënojnë 15 vjet, sëmuret në Kampin e Bedenit, me trupazi, që i është zënë uji në trup edhe vdes në infermierinë e burgut të Burrelit. Në këtë kohë siç do familje tjetër e të burgosurit, fillon keqtrajtimi i familjes. Motrën time nji officer i Sigurimit e kërcënon, ka kënë një vajzë e bukur në Shkodër e kërcënoi; “o prano si me thanë dhunën tonë seksuale ose kena me të bë me mbledh edhe dramcat e bukës nën tavolinë.”! Motra prej frikës pin helmin. Më kujtohet si sot ajo ditë e tmerrshme. Ne kishim, dy fëmijë kishim kromën dhe motra na kuronte me atë ilaçin squfur që ka kënë, trupin. Atë ditë e pava t’u mbush gotën, mua më bëni çudi, përshtypje e i thashë; pse e mbush në gotë?!” Ajo e piu, e kapërdiu, i kishte çu fjalë si me thanë asaj që ishte kodoshe në këtë mes; “thuj kufomën time mund ta merrni e bëni si të doni por jo kurrë moralin tem”! Edhe e shpëton. Kur shkoi me e pyet pse? Motra i thotë; “punë kërkova, punë s’më dhatë, jetesa ishte e pamundur sepse nuk ekspozohoj. E futën në gjendjen civile me punu. Atje pashë dritë. Një mik i shtëpisë tonë Kumar, Kalmashi i Hotit, i thotë; nuk ke nevojë ti me pi helmin, vajza e Zef Martinit, ne jena gjallë”! Edhe përgatisin arratisjen megjithë vëllanë kalojnë kufinin nga Rapsha e Hotit. Vëllai tjetër kishte ik përpara nga Curraj i Epërm, kur kishte qënë mësues njëherë 16 vjeç, e kishin ik. Andej kalon. Mbetëm ne dy fëmijë të vegjël, unë, Leri e vëllai i vogël edhe nana. Na qitën prej shtëpie ne dhe na ulën në shtëpia në Kënegrit ka kënë në kohën e Enver Hoxhës në një jerevi, ku s’kishte çimento në tokë, me një dërrasë që vishin gropa e nevojtores prej naltë, aroma e tmerrshme e nevojtores, nji penxhere nji me nji, me hekura pa xhama me nji batanije, me nji derë pa dorezë e mbajtur me një shkop prapa. Binte shiu, një natë na zuri shiu keqas, u lagën tanë teshat, unë e vëllai i vogël ishte uji i tmerrshëm nëpër Shkodër, me na marr rrezik uji. Shkuam te kryetari i Këshillit, Mehdi Hyseni, ka kënë te rruga “Hysaj”. Diku u ndi nji za, thotë; çfarë kërkoni? Kush jeni?- I thojmë; kena mbet, na ka mbulu uji”! Hajd se do të vijmë nesër tju shohim”! S’erdhën atë ditë as sot. Unë u plagosa si fëmijë me nji bombë dhe mbeta pa nji kambë, nana punonte në fermë. Merre me mend ku mund ta merrnim ne edukatën që merrej prej prindërve e prej mësuesit? Jo vetëm që na mungonte edukata e prindërve por kishte dhe prej mësuesve që na trajtonin keq. Kam pas nji Neta Baba, e adhuroj si mësuese edhe si prind temin edhe sot që ajo s’është. Por nuk harroj kurrë drejtoreshën e shkollës kur një ditë më thirri ishte jaza e Krishtit, si thojmë na ditën e premte s’këndohet. Edhe ne fëmijë ishim sa ishim 12 vjeç, me një shok temin i themi; s’këndohet sot! Mësuesi i klasës s’po ia jap emrin, erdhi. Ju tha; “s’doni me këndu këngët e Enver e të Partisë”! Na rrahu e na çoi drejt e te drejtoresha. Drejtoresha, me shputa, me grushta, me çfarë s’mujti me na dhanë dënimin e saj si drejtoreshë shkolle. U tmerrova... sa ashtu, sikur mi që gjetëm në dhomë, e bëhet tigër në fund, ashtu edhe unë u ndërrsova, i rashë grusht edhe ika. Nëna u egërsu, erdhi në drejtori, i tha; “është edukata juaj se i tha; “është gjarpër i lindur prej gjarpërinjve”! Nëna i thotë; turp t’ju vijë ne kena kënë armiq me Serbinë, por ju po i detyroni me shkue në derën e armikut”! E kërkoj të falur. Më vonë, kësaj drejtoreshës i bie i shoqi në burg. E unë kur dola prej burgut e takova në rrugë. E dinim që i ka rënë i shoqi në burg, e përqafova si mësuesen më të dashun teme. Sepse gjithmonë kam pas konceptin, “i mirë, i keq mësuesi është zvëndësi i prindërve, edukatorja jote”!

Viktor, origjina e familjes janë nga Trabojini dhe nëna është me origjinë nga Gruda, nga Pikali?
Jo, kjo origjina e babës, e nanës, e gjyshes teme, kurse nana e ka origjinën prej Kastratit, Vukpalaj të Kastratit.
Gjyshja nga ana e babës, është nga shtëpia e Kol Kurtit? Pra, Traboicit, familja juaj por edhe Traboicit e tjerë kanë luftuar kundër turkut, kundër serbit, malazezit dhe në fund u desh që të luftojë baba jotë, një njeri që ka punu gjithkund për me ndërtuar shtetin shqiptar, të luftojë kundër komunizmit dhe diktaturës që po instalohej në Shqipëri. E mbani mend momentet kur baba jot arrestohet?
Po..., atë ditë si asnjëherë tjetër baba ra me fjet në mesin tem e të vëllait të vogël. Kur më doli gjumi shoh shtratin bosh e pat ndru në dhomën tjetër. Mbas, ashtu përgjumësh, tuj mendo se ashtë baba, më kapi nji burrë për këmbe, ai më shtyni kështu. U tremb se u befasu, se i thashë; babë! Tha nana; nuk është baba or bir, babën e kanë arrestu!” E kam shkru edhe në libër, ku dija unë i shkreti, çfarë ashtë fjala “arrest”! Por më vonë kuptova se fjala “arrest” ishte mortja e fatkeqësia jonë që na ndoqi gjithë jetën.
Babai ishte pjesëmarrës në lëvizjen e Postribës?

Jo, nuk ishte pjesë e saj. Ajo u zu si organizatë, u zu korrieri në kufi dhe u arrestuan. Pra u arrestua para se të ndodhte Lëvizja e Postribës?
Para se të ndodhte.
Atë periudhë që ishte në burg keni pasur mundësi ta vizitoni babën në burg?
Sa ishte në burgun e Shkodrës shkonim edhe fëmijë. Ajo që më ka mbet në kujtesë edhe sot, nji brengë në shpirt, kur unë shkova me dy paterica, me nji kambë. Sot e kujtoj, se ajo pamje në mesin e hekurave, çfarë dhimbje mund t’i kem shkaktuar babës tem. Mandej ka shku në kampin e Bedenit, atje ashtë sëmurë e kanë çuar në Burrel. Nana i ka shkuar vazhdimisht te burgu, ilaçe në atë kohë nuk kishte; penicilinë, olioze, që iu kërkohej demek sa me i ndihmu. Edhe me atë lekun e vogël që kishim nana u mundonte me tanë shpirt, me furnizu babën me çfarë kishte nevojë. Na ka ndihmuar shumë, e baba për ne ka ba dy shtëpiat për djemtë, kurse për vajzën ka ba nji pajë, krejt të blerë me material italian, që vlente pothuajse gati sa nji shtëpi. Me të kena mbajt frymën gjallë. Mbaj ndërmend njiherë që është dy gjana ruaj, dy thika që i kam ngul nanës teme në shpirt. Njëna asht kur na çonte në restorant që ishte periudhën që ishte pa punë. Kishte shit tana teshat e shtëpisë, se vendi nuk i nxinte ku jetonim. Edhe në atë kohë ishte kriza e bukës, nuk na jepnin nji pjatë gjellë, po nji riskë bukë me nji pjatë gjellë. Thotë nana; a, u nditë? I them; “nanë, me hangër edhe njiherë bukë thatë e bukë misri, s’kam gajle edhe me vdek”! Nji zotni që ishte aty me hangër, u dukte origjinë malësori më kishte ndi këtë fjalë. Në kalim thotë; e shoqja e Zef Martinit, thotë se ju njoh, i ke me i ndjek fëmijët tuj, sot për ngaherë me nji kafshat bukë”! Edhe iku. I jam borxh mirënjohjen. Kisha me dhanë shumë me mujt, me i diftue mirënjohjen që mbetëm borxh ndaj tij tanë jetën. Takimi tjetër që ka kënë me nënën i pari takim, mbasi dola prej qelisë, me vëllanë tem, e gjeta brenda burgut të Shkodrës. Edhe më porositi; “rruju se dëftohesh i ligë, me ba kurrgja”! Jo, jo; i thashë. Kur hyra te, që u ballafaqova me nanën, 16 vjeç, “u shgreha në vaj”. Edhe më thotë nana; mos kaj, thotë, je me burra, s’je më fëmijë”! Unë 16 vjetorin e kam lutur në burgun e Serbisë. “Banu burrë, se je mes burrash”! Çfarë do me pru nana?” Kaq isha hutu sa s’dija çfarë me kërku, veç i thashë dy shega të egra; nanë.”! Ato dy shega të egra, janë dy thika edhe sot në shpirtin tem. Polici që i ra bylbylit para kohe se me mbaruar takimi, i ra bylbylit. Më la përshtypje sot që e kujtoj, s’ka mujt asnji me e pa këtë skenë, ashtë shumë e trishtueshme.

Babai juaj është arrestuar në 1949, edhe ka vdek në...?
Në ‘54-ën, në burgun e Burrelit. Në ’56-ën jam arrestuar unë, në ’55-ën asht kap vëllai i madh në kufi t’u ik prej Gjermanisë, në Çeki dhe ka mbetur në 360 valët e korrentit. Sesi ka shpëtu janë habit edhe mjekët në Çeki. Bile njani prej atyre asistentave që ka kënë i policisë, a i hetuesisë, kur kanë kënë tu e vizitu, mjeku ka thanë; Uu, i hapi sytë ky”! Kështu ishte dhanë referenca që arriti me çokollatë. Vëllau jem asht përgjigj; “jo, jo unë kam shiju edhe bukën kollomoqe që ju se keni shiju bukur”! Vëllau, përpara se me ik në Gjermani, çon nji kartolinë; “Shëtita gjithë Europën, më në fund vendosa të kthehem në atdhe, ku e di se më pret burgu, ndoshta dhe vdekja, po më mirë burgu dhe vdekja sesa me shëtit nëpër shtetet e huaja si nji shtazë”! Ishte i ri, 23 vjeç ashtë kthyer. Bile në gjyqin e tij, ishte gjyqi eksperimental ku vetëm studentët e Drejtësisë ishin brenda. Vëllai ka hyrë me nji çantë kështu dhe kanë kujtu se asht student. Kur ka dhanë dënimin me vdekje, ndër të tjera akuza, prokurori i ka thanë; “je në rruajtjen dhe shërbimin e UDBA në Jugosllavi. Ka marrë fjalën vëllau, këta kanë kujtu se po flet kundër. I ka thanë; “ai që prokurori thotë ashtë në shërbimin e UDBA-s, jam unë i riatdhesuar prej shtetit me amnisti. Jam marrë vesh me vëllaun se edhe ky do të kthehet me dëshirë. Nëse ju na jepni dënimin me vdekje, atëhere edhe unë po të njoftoj se cilin faj kam, më dënoni edhe mua me vdekje”! Fjala e fundit e vëllaut të Paçit, kur i japin “agjent diplomat i shteteve të perëndimit”, akuzën. I thotë; “jam dakort me dënimin me vdekje, por nuk jam kurrë dakort me akuzën, se nuk kam shërby as me nji gjanë më të vogël shteteve të perëndimit, kundra atdheut tem”! Oficerat që kanë qënë aty kanë thanë; gjynah qerataj, s’është komunist”! Pra qëndresa jonë edhe instiktivisht na ka prirë gjaku i egër i malësorit. Malësori për atë rron, malësori s’din me fërku duart, malësori godet randë kur godet, ose hesht kur ashtë me hesht.

Vëllai juaj Paçi, u dënua me pushkatim?
U dënua 25 vjet, e bani 12 dhe u lirua, përfundoj t’u vu pllaka nëpër trotuare në komunale. U martu me rastet që u banë tash mbas ’90-ës, ikën në Jugosllavi, atje në Amerikë, zunë vend. Atje edhe Leri, vëllau i vogël, masandej shkova unë për vizitë zyrtare edhe ruaj nji moment në kujtesë. Vëllau megjithë gruan teme, nji ditë mbasi kishim biseduar shumë u ulën në gjunjë para meje dhe më thanë; “ke rastin që mos ndahemi ma si vëllazën e të jetojmë si të lirë në këtë vend.” Unë jo fola normal por ulërita, Simon, i thashë; kurrë mos më thoni mu, këtë fjalë më, unë s’mund të bëhem tradhëtar i asaj Shoqatë që e krijova vetë. Fjalimet që kam mbajt në Amerikë, krijuan atë kanalin me Berishën, ashtë hakmarrës, edhe u hakmorr bukur t’u me çu me punë në bujqësi e ndërtim.

Po erdhi prej Gjermanisë Perëndimore.
Mandej...
Angjelini për tentativë arratisje, mandej unë edhe Leri përnjëherë. Ka kënë ditë e tmerrshme kur nji ditë që bëshin fiskulturë oficerat. I za oficerat t’u baj; Haut, haut, Hitler”! Cfarë thonë këta kështu, Hitler kanë thirr vëllain tem, se e ka pas emrin Adolf fillimisht. Edhe e kanë thirr nji kohë Hitler para çlirimit. I them nji shokut tem çfarë është kjo? Kur shoh vëllaun tem, ajo ka kënë dita më e tmerrshme e qelisë se mendova nji nanë me katër djem, nji vajzë të arratisur, erret sonte e vetmume. Por çuditërisht kjo nanë, kësaj nane nuk iu pa kurrë loti në sytë tonë, nëpër dyert e burgjeve dhe të kampeve. Të burgosurit e thërrisnin; nana Katrinë, heroinë e nanave shqiptare”! Shkodra nuk flet asnjë fjalë për të. Shkodra duhet me kanë krenare për këto nana, ku edukuan fëmijët e vet; me dhanë jetën dhe jo me pranu korrin e faqen e zezë.
Si ishin ato momentet dhe vitet kur ju arrestuan dhe iu sollën në burgun e Shkodrës?
Mua më kanë arrestuar në sallën e gjyqit, ka ardhur Xhafer Rraboshta, ka kënë operativ në burg edhe oficeri i Degës. Kaq të zorshme e ka pas arrestimin tim sa më ka bërë me gisht, më ka hyp para në biçikletë e më ka çuar në Degë. Unë isha hutu se e dija për çfarë po më kapin, edhe në zyrën e nënkryetarit sa hyra brenda u ula në një poltron, instiktivisht. Ai lëshoi nji britëm; Çohu! Kam kërcy si me të hedhme me kakapult. Nuk është vendi jot, tha; aty, ta ka lanë baba trashëgimi vëndin tënd, qelinë”! Një fëmijë i egër, i egërsume me atë njeri, i thom; baba s’më ka lanë trashëgimi vetëm qelinë, por më ka lanë edhe krenarinë”! Merreni tha; u zbërthyeve për nji orë”, kaq ka kënë hetuesia. Unë ngulja kambë, se nuk pranoja kurrë gja, s’kam dasht për denoncimin, por më vunë edhe kryetar grupi për arratisje. Prej aty shkaku që na çuan në Burrel ishte Lazër Fusha, gjyshi i këtyre Fushavej, ishte në burg në dhomë me ndenjt t’u lujt shah me nji prej Tropoje, si bëhet njeri nervoz, nerva burgu, të tifozllëkut, i bien në shpullë Lazeri atij. Ai i Tropojës, nji djalë i ri, i gjatë, shkon e i bien Lazerit, unë shkoj e i bi këtij tropojësit, iu lëshu edhe vëllai, iu lëshun edhe dy-tre vet se ishte spiun. E bëmë për shkals. Ai kishte shkakun, na futi në qeli, prej aty na çuan në burgun e Burrelit. Edhe aty pata nji trishtim. Se po vinim në atë vend ku nami ishte; “Se aty njerëzit i zhdukin”. Edhe nëna duhet të jetë shume trishtueshme, kur na përshkoi në atë varrezën e babës. U shihnin shënjat që ishin të shkrume, në mur, lyer me bojë mbrapa por prapë u dalloheshin; “Burgu i zhdukjes së kriminelëve të popullit”! Por çuditërisht, sikur të kam thanë edhe njiherë, lufta e klasave ka kënë me zigzage. Në këtë zigzage ishte kjo periudha e qetësisë, e heshtjes prej ngjarjeve ndërkombëtare edhe kishte ra tensioni i dhunës. Bile mund me thanë që ka njerëz që e paraqesin burgun e Burrelit, në çdo kohë tmerri i burgjeve të Shqipnisë. Jo, unë du me e paraqit ashtu sikur e kam jetu unë. Edhe ajo periudhë ka ekzistu, por në kohën teme jo. Kena pas dy orë oborr, nji orë paradite, nji orë mbasdite. Kena pas vendin me mangalla që i kishim ba me lesh e me baltë ku gatuanim. Kena pas banjat ku mund të bënim vallaji dy herë në ditë banjë. Kjo ka kënë nuk na ka prek kush. Mbaj mend që thoshin në atë burg kena pas Ibrahim Biçakun, që ka kënë kryeministër në kohën e Gjermanisë, i ka ra roja me shkop t’u i dal nevojës se i drejtoheshin si bagëti, me i nxit, me kry punë shpejt. E ka kap roja dhe e ka fut në krye të qendrës. Ky burrë i urtë, i kulturumë, i butë, i qetë por i paprekshëm në dinjitet. Ashtë nji mrekulli sesi komandanti i burgut e ka fal. Pra burgu i Burrelit, përfshirë atë periudhën që mund ta thojmë të qetë, edhe periudhën e mëvonshme të diktaturës.
Ju shkuat në burgun e Burrelit, në vendin ku babai juaj vdiq. Si ishte për ju ai moment ku po shkonit në një burg ku atje ka ndërruar jetë babai juaj?
Sikur e thashë edhe më përpara; nji tmerr! Jo, më tepër për ne sesa për dhimbjen e nanës. Çfarë do të mendojë nana për ne?

Kur u bashkuat me vëllain në burg?
Na çuan përnjëherë ne. Kur dola prej biruce vëllai pak muaj përpara ishte dënu edhe e gjeta në dhomën nr 2 të burgut të Shkodrës. Më vonë mua më çuan në kampin e Rinasit në Tiranë, prej Tiranës bamë nji kërkesë për me ardh në burgjet tona. Se me të vërtetë çfarë faji kanë familjet që të rropaten rrugëve të Shqipnisë, kur na s’jemi në gjendje për punë. Më çuan e u bashkova me vëllain. Prej aty, ndodhi ajo ngjarja që thashë e na çuan në Burrel. Aty e kam lanë vëllanë dhe kur atë ditë më thanë; “merr dyshekun dhe prit sa të kalojnë të burgosurit brenda”. Tanë t’u ardh me më përqafu. Unë isha greh në vaj. Ata më thoshin; udha mbarë, t’u priftë mbarë”! Unë iu thosha; “udha mbarë atyre, e jepja përgjigje instiktivisht, pa dit se çfarë flas. Thotë roja i burgut, mbasi hynë tanë në oborr; unë thotë; “nuk kam parë njeri që del tuj kja prej burgut. Kam parë njerëz t’u hij, t’u kja por jo kur kanë dalë”! I them; Hasan e kishte emrin ai polici. I them; Hasan jam t’u lanë shpirtin, vëllanë brenda”!

Sa vjeç ishte në atë kohë vëllai?
25 vjeç, 26-të.

Ju jeni arrestuar 16 vjeç?
16 vjeç, sa i kam mbush për 15 ditë.

Në momentin kur ju jeni futur në burg këmbën nuk e keni pasur?
Jo, jo. Mbaj mend këtë historinë e kambës, sikurse e thashë edhe në nji intervistë tjetër. Gjeneral Dycaku vjen e bisedonin si në kopshtin zoologjik, majmunat e këta. Ishin me pa atë psikologjinë; si reagojnë, si bajnë edhe më thotë; tanë ishte rregull me u çu në kambë edhe kur hyn nji polic me ba apelin edhe jo kur hynte nji officer madhor. Tanë ishin çuar, unë e kisha hek protezën, vuna nji batanije para. Ti!- tha; pse nuk çohesh në kambë!? Prapë ai rebeli kryeneç. “Për fatin e mirë, gjeneral jam me nji kambë, për mos me t’u çu në kambë.”! Si; thotë me nji kambë? Po- i thashë; me nji kambë. Sillu mirë, thotë; se do të lirojmë. “Varet se çfarë quani ju mirësjellje gjeneral?” Te mirësjellja ishte me u bë agjent i tyre, me padit shokët e burgut, kjo ishte mirësjellja që kërkonin diktatorët prej nesh. Kërkonin jo vetëm që na dënuan, na masakruan ne popullin shqiptar por këta kishin qëllim që t’i përulin moralisht këtë shtresë. Edhe deri diku në nji pjesë edhe e kanë mbërrit. Por të gjithë ata që opinion thotë; spiunë burgjesh, çdo spiun i burgut ashtë ma me dinjitet, e ma i ndershëm se çdonjeri që i ka shërbyer diktaturës komuniste. Se nji populli ti mund t’i ndryshosh gjithçka, edhe moralin nëpërmjet diktaturës edhe dhunës. Ashtë dhuna fajtor, janë fajtorë furtarët që përgatitin këtë bukë kaq të zezë. E këta janë Enver, Mehmet e kompani. Atje kërkoni çoroditjen e kombit shqiptar.

Si e morët vesh lajmin që babai ka vdekur?
Nji roje burgut, kishte pru të shoqen me u vizitu në Shkodër. Sesi e kishte gjetur adresën edhe vjen. Thotë; “kam ardhë me më ndihmu se më ka rekomandu Zefi, nanës- i thotë. Nana mundohet me e ndihmu. Por mirë i takon nanës me shku në gjendjen civile për një proces. I thotë Zef Ali Mihilli, i thotë; i qoftë dheu i lehtë, zonja Katerinë”! Për çfarë?- i thotë nana. Zefi ka vdek! Se u bënte çrregjistrimi. Pra Simon, për nji vdekje ashtë ba çrregjistrimi, po për këtë vdekje ashtë ba regjistrimi se ku ashtë varri.

Ju nuk e dini ku është varri i babait tuaj?
Nuk e dimë ku ashtë varri. E dina se në rrënjët e një Qershizë, që pat ardh bajraktari i Shkrelit, i lirum prej burgut, na pruni protofolin e tij, fotografitë e vëllaut dhe të motrës edhe nji palë gjyzlykë. Edhe tha; unë e kam varrosur Zefin me duart e mia, me lejë të komandës. Se nji orë përpara se me vdek, Zefi më tha; “kam me vdek, filan ditë e më filan orë, i thuaj komandantit të burgut, si me thanë të më mbështjellë e mos më çojë kështu vetëm në tesha”! Ky ka shku, Pjetër Shkrela, më duket, nuk e di si e ka pas emrin ai, ka shku te komandanti i burgut e i ka thanë; “filani më ka thanë, ka me vdek këtë orë e këtë ditë”! I ka thanë komandanti i burgut; more, ai lene që ashtë tu vdek po qënka edhe me u çmend”! Po i ka thanë ky; nëkjoftëse ndodh?! – Nëkjoftëse ndodh do të jap fjalën se do të le me e varros!” Aty ka fut nji matare druri e gëdhëndur me emrin e tij. Po nuk ashtë gjet.

A e keni kërkuar ju?
E ka kërku tanë shtresa e njerëzve që kanë vdekën, tana qeveritë, në atë tjetrën s’kena pas të drejtë me e kërku se atëherë humbja e varrit ka kënë ligj për të burgosurit. Por kena kërku në këto tana qeveritë, kërkohet edhe sot por si duket ashtë nji mund i madh që përtojnë me e ba si Ministria etj. Atje janë tana emrat që rrinin me të në kamp, prej dhome e në burg.

Pra ju jeni në një moment për familjen tuaj ; nji motër të arratisur, katër djem në burg, dhe një nënë të vetme në shtëpi? Si shpjegohet kjo, kur pjesa më e madhe e juaja ishit të mitur?
Kur më pushuan gruan prej punës që ishte arsimtare. “O ndaju prej burrit, o ri në arsim!” Përgjigjja e gruas ishte; jo unë s’kam pse me e nda burrin se ka dalë prej burgut 24 vjeç, se mendoj se ka ndonjë faj të madh, moralisht me mua jemi në rregull”! –“Ju më kërcënoni sot për 5 mijë e ca lekë rrogë nuk e ndaj burrin”! Një çun që ka qënë në Koplik arsimtar i thotë; Hajd, pra u djegshit me dashninë tuj në ferr si Paolo Malatesta e Francesca da Rimini!” Dy personazhet e “Ferrit”! Kur shkova me u anku te Bilal Paruca, sa hyna në takim më tha; “ ashtë çudi po ju tanë në burg, si shpjegohet?!” I thashë; po ky ashtë muhabet i gjatë, ky ashtë takim”. –Jo, jo; tha. I tha asaj; mbylle takimin, nuk pres më njerëz”! I thashë a e din si e zënë sharrën malësorët?!”- Tha; jo! Kur e shohin se sharri ka hyrë në një zgavër peme, i venë grykën e thesit e i kërcasin; bam, bam, sharri thashë hutohet, kërkon shteg me u fut dhe futet në thes”! Kështu i thashë; ndodh dhe me ne! Baba ishte officer, u dënua në burg, vdiq në burg, na vunë grykën e thesit si “sharrit” edhe ne me gjet shteg me dal, me ik, na kapën, na futën në burg. Edhe sot i thashë e kam grykën e thesit si sharri, por mendoj se ka me gjet vend ankesa jeme. Nuk është e drejtë nji vajzë që rrjedh prej nji familje punëtorësh me nji fajësi temen në moshë 16 vjeç ta përjetojmë dënimin. Po; tha nëse e çojmë në një punë, a i qëndron besnik punës, jo në qytet?! Ku të doni ju i thashë nëpër malësi, kudo që të jena burrë e gru, një punë. Edhe ty do të japim punë; tha; a kryen ti punë?! I thashë; çdo punë që të jetë me dinjitet e marr përsipër me e kry dhe nëse nuk e kry ajo që është ma e randa për shqiptarin se tanë dënimet e tjera asht “pështymja në fytyrë”! Pranoj edhe pështymën nëkjoftëse unë s’i rrij besnik punës teme, asaj dinjitozes veç. Urdhënoi e kthyen gruan për 10 ditë në arsim, mbas 10 ditësh e hoqën prapë. Kjo është historia.

Pra dhe gruaja ka vuajtur pasojat e burgut tënd?
Po, ka vuajtur pasojat 25 vjet, myk e lagështirë. Pasojat e saj i vuan edhe sot prej reomatizmës. Pra ai sistem sado që mendojmë se jena çliruar prej atij sistemi barbar se nuk mund të them se në 30 vjet nuk ka nji demokraci të brishtë. Por më mirë nji demokraci e brishtë sesa nji diktaturë e tmerrshme.

Pra, baba është burgosur dy herë, njëherë në Mal të Zi, nga serbi, njëherë në Shqipëri nga diktatura komuniste. Sa vite burg janë?
Kena dhe kushërrinjtë, kena djalin e axhës, kena dhe djalin e hallës, kena tanë fisin si me thanë ashtë i përfshirë me 104 vjet burg. Baba si the ti, me të tregu si hyri baba në burg në Serbi, nji histori. Këndohet me Çun Mulën e me kompani; ndër të tjera ashtë:
Ç’ka ky djalë pre Trobojinit Çervonik Serbisë ia shkrini Asht djaloshi Zef Martini Nuk ka frikë Zog Malësori Shumë la të vrarë në Fushë të Cernovorit
Se në kohën e Italisë kur hyri edhe e çliruan Hotin e banë pjesë të Shqipërisë, baba im ka hyrë i pari në gazerma e ka vu flamurin shqiptar. Mandej ka hyrë gjermanët e italianët kanë bërë atë që kanë bërë, por i pari ka kënë baba jem që e ka vu flamurin shqiptar.

Në cilin vit e kanë arrestuar babain në Mal të Zi?
Me thanë të drejtën nuk e di.

Në cilin vit ka ardhur baba këtu në Shqipëri, që janë arratisur krejt familja?
Ka kënë në moshën 23 vjeç edhe në kohën e mbretit Zog. Unë s’kam asnjë fotografi të babës sepse të gjitha fotografi që kanë kënë i ka marrë Sigurimi i Shtetit edhe s’na ka ranë më në dorë. Kur ashtë dënu baba, ashtë bërë gjyqi me dyer të mbyllura, ashtë hap kur ashtë dhanë vendimi dhe baba ka shpërvjelë krahun e i ka dëftu motrës një vijë. Më vonë kena marrë vesh se torturat e tij kanë kënë edhe çamja e mishit e futur krypa brenda. Kjo ka kënë periudha që i kanë sakatu mes torturave “armiqtë e popullit shqiptar”! Më mirë me thanë; “atdhetarët e popullit shqiptar prej armiqve të popullit shqiptar të diktaturës, Enver e kompani”! Ashtë e çuditshme se kur isha në burgun e Burrelit mendoja nganjëhere se po t’i vijë fundi komunistave do t’i shklyej me dhambë në gabzer”! Por nuk ndodhi ajo, erdha t’u mendu; sikur ne të bëjmë një revanzh, a mundemi ne me u barazu me atë çka kishin bërë komunistat ndaj nesh, për me marrë hakun tonë u donte, me i vra, me i pushkatu, me iu djeg shtëpiat e fëmijët brenda shtëpisë me i djegën në djep?! Moralisht do të ishim baraz por mendova se duhet nji qetësi kombëtare. Duhet t’u harru edhe t’u i vu shpirtit edhe nji shkamb jo me harru, por mos me vepru e me u hakmarrë, mbasi Shqipëria mos lotojë përsëri gjak!” Por ky nderi që i vura vetes asaj dite sot jam shumë human, u eleminu edhe prej komunistave të rinj të demokracisë”! Ju keni fatin e mirë me pas nji biografi të pastër edhe gjakun e malësorëve, të mos gabohem jeni me origjinë prej Shkrelit? Por shumica e politikanëve dhe të mediave shqiptare po t’i shikosh janë të gjithë me origjinë komuniste. Më qesharaku më duket ky Ylli që ka kënë Ministri i Drejtësisë. Tashti vonë ka kënë Ministër i Drejtësisë, Ylli Manjani, origjinë komuniste me një injorancë të një injoranti të thjeshtë. Po të them e diçka tjetër, bashkëvuajtësi, është edhe kolegu juaj që na jep intervista Fatos Lubonja por mos harro se kjo shtresë e Fatos Lubonjës e tyre neve na kanë quajtur “armiq në burg” njësoj si Enver Hoxha dhe thoshin ne nuk jena; renagata” se na kanë quajt. Renagata është Enveri, këta kanë deviju prej komunizmit. Kanë pas rastin kështu të qetë, spiunë s’kanë kënë brenda burgut se pak a shumë kanë pas edhe nji privilegj edhe prej shtetit përgjithësisht se ishin “renagatë” e dënumë. Kanë pas nji privilegj, Bedri Spahiu, ka kënë Vaskë Koleci, që u arrestua atëhere me atë tenisin që doli tradhëtar, Latif Spahiu, luftëtari i Spajës, gjeneral i artilerisë. Na bënte me qesh nganjëherë Vaskë Koleci ishte çmendur në burg edhe shëtite vetëm bënte xhiro, i zverdhur edhe në fytyrë, por nganjëherë ju tekte shkonte i binte vetëm këtij Latif Spahiu me shpullë, duket kushedi çfarë sillte ndërmend ndonjë kujtim të kalume. Me i marrë si njerëz s’kanë humb dinjitetin, ka ranë poshtë atje, se s’i ka trazuar edhe fort kush. Nuk janë si të burgosurit tonë që janë torturuar me mjetet më çnjerëzore. Ia u thashë në intervistë, asht Lena e Gjelosh Lulit që e arrestojnë. I çojnë dy vajzat Hilmi Sahiti para derës së qelisë dhe i thonë; do t’i bëj të dyja kurva”!

Ju sot jeni 82 vjeç, babën tuaj si fytyrë e mbani mend?
9 vjeç më ka lanë.

Asnjë kujtim nga ai nuk keni përveç tregimit nga të tjerët?
Historitë e malësorëve dhe të nënës teme.

Pra në shtëpi nuk keni një fotografi të tij dhe nuk keni sot një varr ku ta qani. Si ndiheni?
Si njeri fatkeq me një plagë në shpirt. Si ndihet njeriu kur varri është për tanë botën, është i shënjtë e ne s’kena ku hedhim dy pika lot për me shku me e kujtu. E di se ai s’ndjen, s’sheh por shpirti e kërkon, e kërkon këtë ngushëllim. E ne s’gjejmë ngushëllim për humbjen e varrit të babës tonë.

S’keni asnjë fotografi ?
Kena nji fotografi oficerash dhe nji fotografi që ashtë te varri me nanën, asnjë tjetër. Ju bëj thirrje qeveritarëve 30 vjeçarë dhe atyre që vijnë mbas 30 vjeçarit e ngjallin ndërgjegjen e kombit të ndershëm e atyre heronjëve të botës së qytetërume dhe të lirë, të venë tana përpjekjet e tyne për me gjet varret e humbura që të na japin qetësi shpirtënore ne, e ata të pushojnë në paqe./Kujto.al 

S'KA KOMENTE