Kujto.al sjell një dëshmi të re nga kampi i Tepelenës, përmes të mbijetuarit Pal Macaj. Vitet e paimagjinueshme në Tepelenë, ku pa me sytë e tij disa ngjarje makabre dhe jeta e vështirë pas saj, ku autoritetet arritën deri aty sa ta detyronin të thyente me duart e veta kryqin e varrit të nënës. Një varg tronditjesh për ngjarje që është e vështirë edhe të rrëfehen
Nga Arta Çano/Kujto.al
Teksa na pret në shtëpinë e tij në Perlat Qendër, Pal Macaj, na thotë që, pasi ka provuar kampin e Tepelenës dhe punën në minierë, është gjallë vetëm prej Zotit. Ka plot për të thënë, por nguron sepse ngjarjet janë shumë të rënda për t’u treguar. Sipas tij, ata fëmijë që ndërruan jetë në Tepelenë, nuk mund të ngjallen. Atëherë, përse të tregosh të patregueshmen? Por sikur Pali dhe të mbijetuarit e tjerë të atij kampi të mos tregonin çfarë kanë parë me sytë e tyre, ato të vërteta do i groposte koha. Nga kampi i Tepelenës do të mbeteshin në sipërfaqe ca përshkrime të zbehta dhe ca pemë që heshtin, por synimi i historisë nuk është të sigurojë rehatinë. As i ndërgjegjes. Të dyjave iu duhet të përballen me të vërtetat që vijnë nga kampi i Tepelenës, ku regëtin shpirti i tyre që u larguan nga kjo botë pa u rritur… ku rëndojnë vuajtjet e padrejta të mijëra njerëzve. Që gjithmonë e më pak dëgjohen e gjithmonë e më shumë nuk besohen.
(Shënim: Ky rrëfim përmban përshkrime ngjarjesh shumë të rënda. Personat me ndjeshmëri të lartë, duhet të konsiderojnë shmangien e tyre.)
Dëshmia e plotë
Unë quhem Pal Zef Macaj, këtu nga katundi Perlat Qendër. Kam lindur në vitin 1942, 7.4. 1942.
Persekutimi juaj nisi me arrestimin e babait…Përse e arrestuan babanë?
Baba im është dënuar një herë kur është formuar Partia e Punës. Nuk e di, thënie janë të gjitha këto, që Enveri paska dërguar nëpër rrethe njerëz, "shih në Mirditë",- për shembull- "kush është ndonjë njeri i talentuar" se ai kishte merakun e vet. Baba im paska qenë i kësaj natyre, nip i kapidan Markagjonit, me shkollë sa të duash, katër gjuhë të botës i ka ditur atëherë…Edhe ai ka dhënë urdhër, e ka mësuar, se s’e ka ditur që në Mirditë ka një njeri kështu.
Ku ishte shkolluar babai?
Në Itali. Në Shqipëri. Dinte katër gjuhë të huaja. Ka qenë 4 vjet kryetar komune në atë kohë, para lindjes sime kjo. Në Kaçinar, ka ndenjur katër vjet, edhe në Rubik 4 vjet, kryetar komune.
Si u arrestua?
Kur e dënuan herën e parë, Enveri ka thënë të dënohet me pushkatim ky njeri që qenka kaq me shkollë e kaq me prezencë: Pushkatim dhe familjen në internim! Dhe na ka marrë baba ne atëherë, nga këtu ku kishim shtëpinë e na ka çuar te një tokë që kishim poshtë, jashtë Perlatit. Nuk e di sa kemi ndenjur. Isha fëmijë fare me thënë të drejtën. Nga aty…erdhi Bardhok Biba se Bardhok Biba u bë sebepi i të gjithave. Ai ishte i afërmi i babës sim, kushëri. Erdhi Bardhok Biba në Rrëshen, kryetar i Partisë a çfarë i kanë pas thënë atëherë, edhe i çon fjalë babës, edhe i thotë: “Hajde te shtëpia se sa të jem unë këtu, pa merak rri!”. Ishin kushërinj të afërm, nga Gjonmarku. Vjen baba, na mori ne fëmijët, të gjitha, na solli te shtëpia. Nuk vonoi shumë fatkeqësia. E vranë Bardhokun. E vranë Bardhok Bibën dhe urgjent…Baba ishte nisur te një furrë gëlqereje, për të punuar atje, donte të ndërtonte shtëpi, se s’kishte shtëpi mbi kokë, ishte pa çati. Edhe e kanë kapur rrugës duke shkuar te puna, e kanë çuar në burg ata. Nuk e di pas sa kohësh na ka ardh' fjala te shtëpia ne…nanës se ajo ishte më e madhja: U arrestua Zefi!
Po me ju çfarë ndodhi?
Atëherë na kanë marrë edhe ne prapa, pas dy a tri ditësh, nuk e di sesa dhe na kanë çuar në Rrëshen, te një kulla e Ndre Bardhokut i kanë thënë në fillim. Një natë ndenjëm të gjithë, jo vetëm ne, kishte dhe të tjerë.
Sa veta ishit në kullë?
Afërsisht atë natë mund të kenë qenë 50-60 vetë te kjo kulla e Ndrek Bardhokut se ishin marrë gjatë së njëjtës kohë. Të nesërmen na kanë çuar te kisha e Rubikut, nëpër makina, sesi nuk e mbaj mend me thënë të drejtën, udhëtimin. Në kishë, ja kështu grumbull ishin njerëzit. Jo vetëm ne, plot kisha! Për 15 ditë nuk na ka pru' kush bukë. S’ishim në listë kund për të ngrënë, as për të pirë. Fati i madh i yni, nana e nanës sonë, nga Rrësheni vinte në Rubik me kosh në shpinë, me bukë misri, me vorbullën me grosh, me çfarë kishte, me djathë e na i binte.
Pas 15 ditëve, ku ju çuan?
Mbrapa, nga kisha e Rubikut, nuk e kujtoj mirë me thënë të drejtën, por na kanë çuar në Berat.
Ndërkohë me babanë tuaj që u arrestua, çfarë ndodhi?
Babën e vunë në listë për pushkatim, ndërsa ne për internim.
Si i shpëtoi pushkatimit babai?
I shpëtoi pushkatimit sepse, sipas thënies, një motër e Bardhok Bibës e dinte që Zefin e kishte kushëri, si Bardhoku ashtu dhe e motra e Bardhokut edhe seç ka bërë, ndërhyrjet e saj atje, nuk e di këtë. Kur ka shkuar baba në gjyq për me e pushkatue, ka qëllue dhe një shok shkolle i babës aty. Se i harroj këto emrat me thënë të drejtën…-Po ti Zef,-ka thënë-, ç’do këtu ti?-Zoti kryetar,-se ishte kryetar gjykate ai,-ju e dini. Unë nuk e di pse. Asnjë gjë nuk kam ba! Ai i ka thënë: Ik andej, shko atje ku ishe! Dhe e ka hequr nga lista e pushkatimit.
Dhe sa e dënuan?
E dënuan 25 vjet fillimisht.
Nga të cilat, sa vite kreu gjithsej?
Atëherë, ka bërë burg tamam 15. Të tjerat hiqeshin, lehtësimi i burgut është bërë disa herë.
Mbani mend ndonjë gjë nga internimi në Berat?
Nuk mbaj mend gjë se kam qenë fëmijë fare me thënë të drejtën.
Po vajtja në kampin e Tepelenës ju kujtohet?
Në Tepelenë, atëherë vaj hallit! Vaj hallit çfarë kemi hequr në Tepelenë!
Na tregoni diçka më shumë për kampin e Tepelenës
Ajo Tepelena si ishte një herë…Qëllim i qeverisë ishte me na qit krejt! Se fusha e Tepelenës ishte, s’kishe ku vije këmbën pa has në ndonjë bume. Bume i thoshim ne atëherë. Ishte sa një vezë, pak më e madhe sa një vezë ishte ajo. Ne fëmijët ç’do bënim gjithë ditën, se të rriturit i merrnin te puna.
Ju, sa fëmijë ishit në familje?
Ne ishim 5 fëmijë. Edhe një motër e babës se ka vdek edhe ajo. Ajo qëlloi te shtëpia kur na morën ne. E morën edhe atë.
Nga familja juaj, kush punonte në Tepelenë?
Në Tepelenë, nana, motra e babës, edhe motra e madhe imja punonin në …sesi i thoshin, nuk i mbaj mend për Zotin këto, por bënin dru gjithë ditën.
Ju fëmijët çfarë bënit gjatë kësaj kohe?
Ne fëmijët, ashtu, ku na linte Zoti…
Si ishte ushqimi?
Ushqimi, me thënë të drejtën, unë sot nuk jam ndonjë njeri i rehatit, por as derrit nuk mund t’ia japësh atë lloj ushqimi dhe atë lloj buke, atë lloj mirëmbajtje. Sesi ishim nuk e di, me thënë të drejtën…
Ju kujtohen ngjarje të rënda që mund të kenë ndodhur me fëmijët e kampit?
Ndihem edhe i dobët duke i thënë këto llafe, se janë llafe që nuk duhen thënë se çfarë t’i bësh, nuk ke çfarë t’i bësh tani! Ne fëmijët aty rrinim gjithë ditën, nëpër fushën e Tepelenës. Bëheshin shumë shumë rreziqe. Ishte një djalë nga Berati. Ma kanë thënë mbrapa, se unë nuk e njihja nga ishte, e njihja thjesht kështu…Kur I ka plasur një bume, edhe ia ka hedhur kokën në ajër deri sa ka shkuar sa një zog kur e kam pa kokën lart edhe e ka kthyer prapë se do mbështetej poshtë ajo dikur edhe më ka ra diku afër mua. I mblodhëm ato se e derdhi krejt. Unë fola për kokën, por i derdhi krejt pjesët e trupit.
Na kishte këshilluar në fakt familja: Mos i merrni në dorë ato! Se kishin një si tip llastiku të hollë e pak me ia tërheq atë llastikun, aq donte ajo dhe plaste.
Si silleshin policët e kampit me fëmijët e internuar?
Policët? O Zot na ruaj! Sa herë jemi rrahur ne! Për çfarë jemi rrahur se? Nuk e di pse ishte kështu, prandaj thashë që ma merr mendja që atëherë qëllimi i qeverisë së asaj kohe ka qenë me na qit, me na hedh krejt në ajër, me vdek mo! Unë di dy vajza që kanë vdek aty, te nanat e veta.
Gjoksin e ka kot nana kur nuk ka për t’u dhënë fëmijëve. Të dyja ishin gra të mira, gra të zonja, u kanë dek fëmijët se s’kishte gjë për me i dhanë nëna, ushqim nuk kishin për t’u dhënë, le që s’kishte ku të merrte për t’u dhënë për të ngrënë.
Ka ndonjë episod tjetër që ju ka mbetur në mendje nga kampi i Tepelenës?
Po. Ishte një prift. I internuar ishte, por bënte atë punë fetare. I ri nga mosha, jo i gjatë nga trupi. Na merrte tu na mësue ne uratën pas kazermave. Kazerma u thoshin atyre ku flinim ne. Një ditë na e mori një polic, dy, jo një, por një e mori për krahu më shumë.
E kishte ndjek policia atë priftin se na merrte ne, 10 kalamaj sot, 20 nesër, 15 pasnesër, sipas rasteve. E na nxirrte diku pas kazermave, në një vend ku binte diell se ishte dhe vend i ftohtë Tepelena. Le që ne ishim…Zot ruajna! E na mësonte uratën, në rrugën fetare. Për vete ai kishte vetëm një bluzë të bardhë që dukej që ishte prifti se s’kishte gjë tjetër. Kur një ditë erdhën dy policë, por njëri i futi krahun, me forcë. E mori. Ne na tha: "Shpërndahuni!". Na bërtiti, na bëri presion. Kalamaj ishim, u shpërndamë, por kthenim kryet prapa për priftin se e donim priftin. Nuk shkoi larg, as 50 metra. Nuk ma merr mendja se ka shkuar 50 metra. I futi një fishek, 'dekun prifti! Ne fëmijët u shkremë në vaj, krejt tu qa. Qamë për priftin ne se e donim.
Ju kujtohet emri i priftit?
Nuk më kujtohet emri, nuk më kujtohet.
Gjatë kohës që ishit në kamp dinit gjë çfarë bëhej me babanë?
Ishte në burg, e dinim që ishte në burg.
Kishit ndonjë lajm prej tij, komunikonit me letra?
Jo, jo, asnjë lloj lidhje. Asnjë lloj lidhje s’kishte baba me nanën.
Në Tepelenë ka pasur edhe disa epidemi. U sëmur dikush nga familja juaj?
Na u sëmur vëllai ne, vëllai i madh. Ka qenë një sëmundje, tifo quhej. I ra sëmundja e tifos atij. Se kush e ka marrë, sesi e kanë marrë nuk e di, e çuan në Gjirokastër. Nuk e di, por nana thoshte që ka ndenj' një muaj atje në spital edhe ka ardhur. Është edhe sot gjallë.
Shkonit në shkollë gjatë kohës që ishit në kampin e Tepelenës?
Ku me shku në shkollë?! S’kishte…kush të linte në shkollë! Ku kishte shkollë një herë! As i shkonte në mend kujt për shkollë për ne, për asnjë nga ne.
Në cilin vit përfundoi internimi juaj?
Ah, këtë për Zotin s’e mbaj mend me vite.
Sa vjeç ishit kur dolët nga kampi?
Mbase 11 vjeç. 10-11 vjeç.
Çfarë ndodhi më pas me ju pasi mbaroi internimi?
Për Zotin ne vetëm se ikëm nga Tepelena, erdhëm te shtëpia në Perlat se prapë ne të internuar që të internuar ngelëm. Asnjë e drejtë nuk na është parë ndonjë herë! Edhe në shkollë, edhe madje edhe fëmijës tim nuk ia ka dhënë kush fletën e lavdërimit kur ai e meritonte.
Po shkollën e lartë u lejua ndonjë nga fëmijët tuaj ta ndiqte?
Jo, atë s’e kemi ndjekur asnjëherë ne. Flas për këtë shkollën këtu, shkollën e katundit, por kush ka pyetur për ne për ashtu.
Ju ku punuat?
Unë kam punuar kryesisht në miniera, në Kurbnesh.
Nuk mund të bënit punë më të lehta?
Regjimi nuk na linte…Vetëm punën më të rëndë, punën më të keqe, punën më edepseze. Mua edhe sot, ka njerëz këtu që më thonë: "Ti s’ke punuar në minierë". -Pse? Sepse jam sot gjallë. -"Ke bërë ndonjë punë teknike". –Po ju e dini, çfarë punë teknike bëra unë? Kam mbaruar shkollë për ndonjë teknik? Kam punuar ndokund? Jo, asnjëherë jo. Po njerëzit pëshpërisin kështu…
Gjatë kohës së burgut, e takuat ndonjëherë babanë?
Dy herë, po. Kam shkuar e takuar.
Në cilat burgje?
Në Rinas. Këtë tjetrin nuk e mbaj mend , sesi i thonë, nuk e mbaj mend emrin. Po dy herë kam qenë që e kam takuar në burg.
Çfarë ju thoshte babai në ato takime?
Ai humbte vetëm në këshilla duke na thënë: "Pse ke ardh? A mundesh me shku në shtëpi ti?". -Po ç’ke me atë punë! Do shkojmë se s’bën!-"Po ku ke ardh ti"? Kishte të drejtë që më fliste, me thënë të drejtën.
Ishte rrugë e vështirë?
Rrugë e vështirë se një makinë-dy makina gjithë ditën dhe hajde të vije në Perlat prapë. Ku me ardh' atëherë? Po ashtu kam ardhur unë, jam sot gjallë!
A fliste babai për vitet e burgut? Kishte bërë punë të rënda?
Punë të rënda e hetuesi sa të duash!
Po tortura kishte provuar?
Tortura sa të duash. Ato unë nuk i…
Çfarë ndodhi me babanë pasi doli nga burgu?
Pasi erdhi, një vit ka ndenjur, asnjë punë vetëm duke ndenjur te shtëpia… Por kishte të disa të dhëna se baba im ishte i normave dhe fshatarëve këtu nuk u erdhi mirë që erdhi baba prej burgut, e kishin frikë, se ishte njeri me shkollë. Ka ardhur kryetari i Degës, te shtëpia, kam qenë aty unë kur ka ardh'. Hysen Gorica i kanë pas thënë atij. "Zef, -i tha,- kam ardh' vetëm me të thënë një fjalë, s’kam ardh me ndenj". –Zoti kryetar fol! "Kam ardh' me të thënë mos të rrish te shtëpia. Çfarë të thënash ke ti në Degë, sesi vijnë nga Perlati kundër teje në Degë, ti do shkosh të arrestohesh prapë. Mos rri në Perlat hiç".-Po ku të shkoj unë? Kishte ra nga fiziku e kishte ra nga të gjitha. I ka thënë: “ta gjej unë një punë, se ti mund ta bësh një punë” dhe e ka futur te gurorja në Rubik. Aty, ka punuar, s’di sa vjet ka punuar derisa u sëmur, u shtrua në spital të Burrelit e vdiq.
Po ju fëmijët e ndienit survejimin dhe presionin e Sigurimit?
Si jo, si jo. Sa të duash! Sidomos unë, se unë flisja çikë si shumë…Unë me thënë të drejtën e kisha më në samar këtë punë, si i themi ne…
Ka pasur një çast kulmor ky presion ndaj jush?
Po ja një ndër ato…erdhi koha për të thyer kryqet. Quhej mentalitet fetar ky. Feja është opium, thoshte Enveri. Si opium? Po ja, ai kështu e thoshte. Për t’u bërë shembull aty te vorret: Pali hajde këtu ti! –Po. Varenë, kishin një vare, unë mezi e luaja vendit. –"Thyeja krahët kësaj"! Për kryqin e nanës. Se ëshë simbolike kryqa, symbol i njeriut që vdes. Ia kam thyer, për Zotin tuj lujt mendsh ia kam thyer…
Si jeni ndier në vitet pas rënies së regjimit komunist?
Unë thashë një fjalë edhe e them prapë. Edhe sot unë e ndiej veten më shumë të internuar.
Pse?
Nuk përkrahet as fëmija, por as unë jo. Tani unë nuk po kërkoj diçka tjetër, por të paktën ato dy lekë që m’i ka fol Partia Demokratike, nuk m’i ka dhënë. A nuk janë borxh këto? Pse nuk jepen këto? Një. Fëmijët, motra që ka shkuar në Shkodër, ajo shkoi sesi shkoi, ka histori më vete, sa herë e kanë lëvizur nga shkolla, nuk di me i përmend të gjitha. Përfundimisht është në pension, edhe ajo është me fëmijët e saj në Amerikë, por ky është ai regjimi pas “çlirimit”, si i themi ne “pas çlirimit”, pasi na u hoq ajo damka e internimit, fjala "damkë", se ajo nuk është hequr, ajo është e stamposur, për ne po.
Keni një mesazh për të rinjtë që mund ta njohin atë kohë të pajetuar përmes jush?
Mesazhi im është ky për të rinjtë: Të më ndijn'. Por hiç nuk e di kush këtë punë, nuk e vlerëson kush këtë punë. Dua ta dinë. Vetëm ta dinë. Edhe ta besojnë se nuk po i gënjej. Ndonjë e keqe po të gjen se po dëgjon? Pra, ta dijnë të rinjtë. Vetëm se nuk gjujnë, por për tjetër, s’e ka kush interesin e këtyre llafeve. Nuk e dëgjojnë me respekt se ky njeri paska vuajtur, ky njeri paska heq keq…shumë, jo në përgjithësi, jo të gjithë, por një pjesë e mirë. /Kujto.al/Nëntor 2020