Vrasja e Selim Metkos brenda shtëpisë, në sy të familjes pesë vjet pasi kishin vrarë një nga djemtë e tij. I biri, Muharrem Metko tregon dy vrasjet që goditën familjen dhe dënimet me burg që pësuan vëllai tjetër i tij, djali i xhaxhait dhe djali i motrës. Një përndjekje që zgjati deri në fund të regjimit
Dëshmia/Muharrem Metko: Na e vranë babanë në sofër
Cila ka qenë familja juaj?
Familja ime ka qenë kjo: gjatë periudhës së komunizmit familja jonë ka qenë kundër komunizmit dhe e lidhur me Ballin Kombëtar.
Kur dhe ku keni lindur?
Në fshatin Kodras. Vij nga një familje antikomuniste. Me Ballin Kombëtar lindëm, me atë vdiqëm.
Cilët anëtarë të familjes ishin me Ballin Kombëtar?
Vetë një. Po edhe si familje, mori pjesë vëllai, babai dhe më së fundi ndodhi e madhja.
Çfarë ndodhi?
Dy vrasje në mes të familjes.
Kush u vra?
Babai dhe vëllai.
Kur u vranë?
Në ’51-shin. Vëllai është pushkatuar në ’46-ën këtu në Ersekë.
Pse e pushkatuan vëllanë?
Ishte oficer. Bëri shkollën në Itali. Erdhi nga Italia. Doli me gradën aspirant. Unë do t’i them origjinale. Erdhi këtu. E akuzuan vëllain sikur: “je spiun”. E vranë aty.
Kush ishte gjyqtari, ju kujtohet?
Si tani. Jo të vëllait, por të tërë Kolonjës. Edhe i kam në shtëpi dokumentet, po të duash t’i sjell edhe emrat e atyre që janë pushkatuar...Kam qenë 18 vjeç në atë kohë, i di të tëra. Gjyqtar, në atë kohë, sefte, kur pushkatonin këtu nga 10 në çdo seancë, ishte Çome Vodica.
Çome Vodica?
Prokuror. Vazhdoi ai persekutim, në çdo seancë që dilnin këtu, po nuk ishte makina. I merrnin këtej nga Dega e Brendshme e i çonin atje, po gjatë rrugës u binin me domate e me vezë këta, të tyret.
Babain kur e pushkatuan?
Dale, jam tek vëllai. E pushkatuan vëllanë në ’46-ën këtu. Më 15 qershor ’46. Na u bë një luftë e dytë. Vëllai tha: “Unë nuk kam bërë asgjë. Bëra shkollën në Itali- tha- vetëm për artilier di. Nuk më ka dërguar Viktor Emanueli, mbreti i Italisë të bëj spiunllëqe këtu”. Nën-toger ishte. U vra vëllai, iku. Na hyri një luftë e madhe pastaj. Me këtë të parën që na vranë vëllain, na vijnë të arratisurit. Se pak halle kishim ne! Ime më kur hynë këta, i përzuri: “Aman-u tha- se do të më vrisni edhe këta të tjerët siç më vratë djalin, mos hajdeni brenda”. “O ti tani- tha- paskeni mbaruar, keni frikë –tha- ju paskeni mbaruar, ne s’kemi frikë fare”. Edhe hynë brenda me zor. Po kush na besonte tani, keq nga këta, keq nga ata. U mor vesh kjo punë. Tak, na rrethuan! As nuk na hynte në shtëpi njeri, as nuk na dilte. Më 25 mars 1951, ku ngjau Ambasada Sovjetike, këtu na rrethojnë në orën 10 e gjysmë të natës, forcat e Sigurimit, të kësaj të rrethit të Ersekës. Ishim duke ngrënë bukë, po nuk e di a ke arritur, hanim me sofra që moti, nuk hanim ashtu me... Babai im kishte një dyqan këtu dhe vinte vonë nga Erseka ai. Nuk hante darkë, po rrinte atje, pinte një gotë raki edhe... U rrethuam. Hynë brenda ata, bashkë me ballin e partisë dhe të këshillit të asaj kohe. Babai atje në krye, kur hynë në derë ata. Po ishim duke ngrënë bukë, ishim 20 veta në atë kohë. Familje e madhe shumë ishim. Tha: “Cili është Selim Metko këtu?”-tha për babanë. “Unë jam mor djalë”– i tha. Edhe me automatik, 40 plumba i futi babait.
Aty në shtëpi?
Brenda dhomës.
Dhe ju ishit brenda?
Brenda. Prit se është histori e gjatë. Dyzet plumba i futi babit. Edhe mitralozin e mbante te dera, gjerman e kishte. Ra babai mbi sofër. U thashë një herë ishte një sofër që hanim së bashku. Mitralozin tek dera: “Mos lëvizni!”. Babai ra dhe në sofër kështu. Po nuk e lëvizi njeri, nuk guxoi njeri. Të mos lëvizje, se kush lëvizte, ai ta fuste. Ime shoqe ishte nuse dhe e lëvizi babain, e lëvizi kokën nga sofra. Ai tha: “ Mos e luaj”. E lanë babain deri sa erdhën këta nga Tirana. Erdhën nga Tirana këta. Po motra e madhe që kam në Tiranë kishte dëgjuar një nga këta hetuesit që tha: “Pse e vratë në mes të familjes? E kishit nxjerrë jashtë dhe e kishit vrarë, jo në mes të familjes”-i tha. Ajo na tha ne, po ata s’na thanë ne. Na morën, na futën në një dhomë tjetër. Në dhomën tjetër na mbyllën, 18 veta ishim në familje pa ndarë, sot jemi një lagje e tërë. Na vunë një oficer, ka vdekur sot nuk është, me automatik te dera.
Kush ishte?
Nelso Rodomi (?) ishte, po ka vdekur, kot, nuk i thashë këto punë se hapim hasmërira me fëmijët edhe... Po atë që e urdhëroi për pushkatim, ishte maskuar. Urdhrat ai i jepte, edhe atij që e vrau, ai i tha që "vrite!".
Çfarë bënë pasi e vranë babanë?
Na mbyllën në atë dhomë, na e morën babain, i lidhur prej këmbe dhe na e varrosën në fund të fshatit, në përrua. Ne, brenda. Kur ikën ata pastaj, e hodhën ata. Ne, hiç këtej matanë, brenda, të izoluar. E morën pastaj, e futën në fund të fshatit, në lagje. Vajtën e mbyllën atë varr ata, të Sigurimit. Pastaj për dy- tri ditë ne... Plaku ishte varur atje në një përrua, është edhe sot. Na u hap një luftë e madhe, e pamëshirshme...Njeri s’na vinte, mallin na e morën, pasurinë na e morën, këta të dy që na i morën. Të tërë mbetëm ashtu. Na dërguan nga Erseka në Kodras, s’kishim të drejtë të dilnim në pragun e derës. Mirë që na mbanin me bukë, na linin ndonjë qese nëpër përrenjtë që e merrnim, që mbanim familjen. Vuajtëm shumë.
Për ekzekutimin e babait, pati një vendim gjykate?
Jo.
Thanë ndonjë deklaratë kur e vranë?
Jo. Hynë në derë: “Ju keni qenë... është familje e Ballit Kombëtar, kriminelë ishit, kriminelë mbetët. Keni strehuar bandën e Hamit Matjanit”-tha. Më e madhe kjo, se harrova ta thoja këtë, im atë ka bërë dy vrasje, tre burgje e luftën politike, po na u ngarkua një punë tjetër që është edhe në arkiv kjo, po të doni shiheni, edhe në arkivë kjo punë, sikur vëllai im që kishte ardhur nga Italia, veshur me rrobat e Hamit Matjanit e çonte këtu në Ersekë. Në Kolonjë nuk ka qenë Hamit Matjani.
Sot ekziston vendim gjykate për pushkatimin e babait?
Po. Në arkiv po.
Çfarë thuhet në vendim, pse e kanë pushkatuar?
Pjesëtar i Ballit Kombëtar.
Vetëm kaq?
Kaq. “Strehues i diversantëve politikë, ke dashur të përmbysësh pushtetin popullor”... këtë akuzë kishte.
Gjyq nuk iu bë asnjëherë?
Jo, jo. E vranë në mes të shtëpisë pa gjyq pa gjë fare.
A mbani mend emra të atyre që ju kanë persekutuar më pas?
Mbaj.
Kush kanë qenë?
Po tani, nuk ishin njerëz me pozitë more. Ai që urdhëronte, unë s’e njihja fare edhe dhamë të dy vëllezërit ta gjenim nga ishte nga s’ishte, nuk e gjetëm dot. Edhe madje ata që i njihja, kanë vdekur edhe kot tani t’i akuzoj fëmijët.
Si rodhi jeta e familjes suaj më pas? Ku jetuat, ku punuat?
Mbaruam me këta të thashë gjysmat, tani do të filloj nga ’76-a e këtej. Nuk mbaron me kaq. Në ’76-ën na arrestojnë vëllanë e vogël, Petrit Metko, po për këtë akuzë që të thashë unë ty: “Keni strehuar diversantë, keni qenë ballista, keni dashur të përmbysni pushtetin popullor”.
Mbas 10 ditësh, na arrestojnë djalin e xhaxhait, Hysen Metkon. Po ky e kishte vuajtur një herë këtë punë që na u tha ne. Kjo, hera e dytë. “Gjej akt-akuzë”-i thanë këtij. E morën dhe këtë. Mirë. Kur e arrestoi... shefi i komisariatit në atë kohë, kush ishte... ia hodhi hekurat, ai i tha: “ Njëherë më ke marrë për këtë”. Iu bënë 20 vjet burg atij, iku dhe kjo. Po për këtë akuzë që të thashë. E treta mbas këtyre, na arrestojnë nipin, djalin e motrës. Sikur ka dashur të grisë fotografinë e Enver Hoxhës. Bënë këta: vëllai bëri 15 vjet burg, 12 vjet. Këta, djali i xhaxhait bëri 20 vjet, edhe nipi bëri 15 vjet. Kjo ishte historia jonë.
Çfarë pune bënit?
Me bujqësi jam marrë.
Nuk u lejua askush nga fisi juaj të vazhdonte shkollën?
Jo.
Si e pritët rrëzimin e regjimit komunist?
Aq me gëzim e prita, sa edhe sot atë gëzim ndiej! Edhe jam kaq i kënaqur sa s’ka më.
Nga arkiva e familjes Doko/Kujto.al