Dëshmia/ Elnar Dervishi: 657 ditët e babait tim në hetuesi

0
310

Elnar Dervishi është një nga ato pjesëtarë të familjeve shkodrane që kanë vuajtur të gjithë të zezat gjatë regjimit komunist. I biri i themeluesit të sportit shqiptar, Qazim Dervishi, ai pa me sytë e tij si u tjetërsua babai nga torturat në hetuesi, si u shkatërruan dy vëllezërit nga përndjekja e sigurimit të shtetit, e si jetuan në varfëri ekstreme deri në fund të regjimit komunist. Intervista është pjesë e arkivës së familjes Doko dhuruar fondacionit Kujto.

Zoti Elnar, kur keni lindur dhe cila ka qenë familja juaj?
Unë linda me 31 tetor 1946, në Shkodër. As emrin s’donin me ma ngjit për arsye se Elnar megjithëse ishte një emër kështu i sjellur edhe me vjershë, nuk bën me e ngjit këtë emër prandaj duhet një emër tjetër. Atëherë, Elmaz e kam pasur deri në vitin 1993, pas demokracisë, ku mbas një orvatje shumë të madhe me ndërru emrin, e ndërruam në këshillin bashkiak. Kjo ishte demokracia që erdhi. Babai im kishte mbaruar shkollën amerikane në 1929, nëna kishte qenë një fëmijë që kishte ardhur në moshën 4 ose 5 vjeç nga Stambolli me familjen e saj, intelektuale. Dhe kishte mbaruar shkollën stigmatine, shkollën Nëna Mbretëreshë sepse u mbyllën shkollat private në atë kohë dhe vazhdoi Nëna Mbretëreshë në Tiranë. Pra ishin një çift intelektual. Mbas kësaj me ardhjen e fashizmit etj, babai u burgos disa herë, por shkurt, disa herë, u bastis shtëpia disa herë dhe në fund me ardhjen e komunizmit në 44, deri në 46, 3 herë e kanë futur në burg, po shkurt deri sa më 12 shtator 1946 në Peqin të Kavajës kur po u bënte fiskulturë atje atyre vullnetarëve të hekurudhës, është arrestuar. Dhe është dënuar 18 vjet, për ato të zakonshmet si i kanë pasur ata, jo grupe agjitacion e propagandë e çfarë di vetë ti, të gjitha këto bashkë. Por themeli ishte se ishte i shkollës amerikane dhe është dënuar në një ditë ose është arrestuar në një ditë me Rruzhdi Bënjën, me Lec Barbullushin dhe Qazim Dervishi, 3 vetë të shkollës amerikane. Po të 3 intelektualë të vërtetë. Ky ishte një arsimtar titullar pra, një arsimtar i dalë nga një shkollë pune, shkolla amerikane e punës dhe merre me mend se çfarë sjell nga shkolla amerikane e punës, një mësues, çfarë prakticiteti sjell tek fëmijët ose solli tek fëmijët e shkollës së Shkodrës. Menjëherë u bënë aktivitete të jashtëzakonshme këtu në Shkodër, me ardhjen e tij. Gjithashtu ai kishte qenë në shkollën amerikane, titullar për basketbollin, për futbollin e për atletikën e kështu, pra po edhe si futbollist i Vllaznisë kishte një emër të mirë në Shkodër, po ashtu edhe nëna. Kjo familje u duhej të shkatërrohej ashtu siç e kishte zakon komunizmi edhe e mori dhe e mbajti 657 ditë, është një shifër që e kam hedhur edhe në një libër që kam bërë unë, poezish, “Harro”. Edhe harro me 3 pika, po çfarë të harrosh, pra domethënë që njeriu është i detyruar të kujtojë ato çfarë kanë ndodhur dhe në fakt të mos i harrojë, por me koshiencë ne i themi vetes ‘harro’. Ai 657 ditë, një torturë të tmerrshme që...

Ka ndenjur në hetuesi? Në birucë?
Në hetuesi, 657 ditë në birucë. Edhe aty ka humb, i kanë shkatërruar sytë edhe sigurisht ka dalë i sëmurë nga nervat. Edhe Ahmet Bushati. Ahmet Bushati në ditarin e tij shkruan një gjë të bukur të cilën duke e parë nga një e çarë e derës, e kanë çuar 2-3 herë për ta pushkatuar në breg, atje në zall të Kirit dhe kur e kanë kthyer e kanë kthyer të shqyer e të shkatëruar dhe ai i kishte shkruajtur, ose më mirë me thënë gdhend në gëzhojat e lajthijave, mësuesin e tij të bërë në atë gjendje, të sjellë në atë gjendje. Pra, si rezultat i torturave humbi edhe aftësinë mendore.

657 ditë në burg, kuptohet se kanë pasojat e veta edhe...
Pra me 22 gusht 1949 ka dalë në gjyq atëherë kur kishin mbaruar të gjitha aktivitetet shqiptare Jugosllave etj, etj, sikurse i dimë ne sipas historisë. Por ama edhe lufta kundër intelektualëve të cilët ishin një brez, ose më mirë me thënë të gjithë intelektualët e Shkollës Amerikane, kanë qenë intelektualët e punës. Në një libër që kam bërë për Qazim Dervishin edhe që mban një tabelë ai aty së bashku me një shok të maturantëve, 1929. Aty thuhet: “If we rest, we rust”, pra në qoftë se ne rrimë, ne ndryshkemi, ky ishte lajtmotivi i Shkollës Amerikane. Por lajtmotivi i komunizmit ishte ta shkatërrojmë intelektin shqiptar në përgjithësi. Po kështu vuajti dhe nëna ime, e cila ishte një mësuese tipike. Duke ia futur duart nën sqetull fëmijëve, pra ne vuajtëm shumë si familje. Ishim 4 vëllezër. Vëllai i madh arsimtar, arsimtar në Tropojë, në Lekbibaj. Dhe vëllai i vogël, vëllai tjetër që ishte më i madh se unë mbaroi 8 vjeçaren dhe mbasi mbaroi 8-vjeçaren shkëlqyeshëm, u fut në gjimnaz. Në gjimnaz filloi një luftë shumë e madhe politike dhe merre me mend tani nga të gjitha 5, që ishte nota 5 në atë kohë, në gjimnaz, të gjitha 1-sha, pra gjithë 1-sha as 2-sha jo, po 1-sha . Atëherë ky në fakt vendosi një ditë prej ditësh si fëmijë që ishte, të kalonte urën e Bunës edhe me mendimin, si duket me ik. E morën, e zunë atje, e futën në degën e brendshme dhe si sot e kujtoj, 3 ditë nuk e dinim, nuk e morëm vesh se ku është edhe kur shkuam pastaj me nënën, se nëna gjithkund më merrte mua, por gjithmonë duke mos më paraqitur karshi sikleteve të saj duke u munduar me..., kishte raste që ajo dilte përpara meje që mos shikoja ndonjë skenë dhe megjithatë, se ajo ishte edukatore, megjithatë ne e morëm vëllain, i cili, që prej asaj dite nuk bëri më emër në këtë dynja dhe vdiq në Elbasan. Pas kësaj, kësaj jete të dhimbshme, isha unë, ishte vëllai i madh që punonte në Tropojë, mësues, në Lekbibaj dhe ishte një mësues i shkëlqyer edhe atje filluan, filluan këto luftërat e atyre sigurimsave atyre drejtorëve të trembjeve, të daljeve mbrëmjeve, në darkë natën, atje, të improvizimeve edhe vëllai i madh pësoi të njëjtën goditje nervore dhe në fakt ka vdekur i ri, por në një situatë depresioni. Tani, merre me mend tani se çfarë shkolle nisa ose çfarë shkolle do të bëja unë. Unë me përpjekje të mëdha, meqenëse kam qenë nxënës i mirë në gjimnaz, me përpjekje të mëdha, mbas dy vitesh më del e drejta e studimit dhe në atë kohë kishte një ashtu..., dhe ishte një kryetar i komitetit i cili na njihte si familje. Shkova atje, por ishte një universitet, pa bukë në bark, edhe atje një luftë, do zëvendës, se nuk po më vjen mirë me i përmend emrat e tyre, por ata më shumë nuk ishin pedagogë, por ishin të sigurimit në Universitetin e Tiranës, të cilët bënin një luftë sistematike dhe nuk kishin luftë tjetër përveç se me u marrë me ne, me mua edhe me ndonjë shok si unë, të cilët nuk i njihja, nuk diskutohet. Dhe jeta jonë, jeta jonë ishte një jetë, pak a shumë e ndrydhur, jo si e një djali të ri që duhet ta jetojë jetën, ashtu si sot për shembull e jetojnë fëmijët tanë, por prapë se prapë edhe sot fëmijëve tanë nuk i themi atë që duhet me i thënë. Pse? Sepse nuk duam me i ligështu, nuk duam me i përmend ato ça kemi vuajtur ne dhe prindërit tanë. Dhe unë atë që nuk kam mundur me e shpreh kështu, e kam shkruajtur në librat e mi. Pra Qazim Dervishi, Qazim Dervishi aty kam thënë edhe ato njerëz edhe mënyrën sistematike të ndjekjes që i është bërë atij, po edhe tek “Harro”, libri “Harro”, për të cilin edhe për titullin jam konsultuar me shokët e mi, me Zenelin, me Angjelinin, me Mentor Qukën, me Fadil Krajën dhe me intelektualë se; a duhet të harrojmë apo duhet të mos harrojmë. Por ama kjo është zgjidhje të cilën po të lexohet libri deri në fund duhet ta bëjnë, sepse është vetëm një fjalë që i duhet shtetit tonë, qeverisë tonë, qoftë edhe një presidenti, qoftë edhe e një kryeministri, që t’i thonë kësaj shtrese, na falni, dy fjalë; Na falni! Për arsye se kjo punë po shkon kështu amulli, kurrkush nuk thotë një fjalë, edhe kur kanë nevojë ato për vota na thërrasin, na mbledhin dhe ne jemi të parët që ja hedhim votën demokracisë, por ama nuk ja hedhim personit dhe duke mos ja hedhur personit, ai personi kujto se ne... ai personi cilido, kujto se po bëhet Zot, dora-dorës.

Elnar sa vjet u dënua babai juaj?
Babai im u dënua 18 vjet, por bëri 7 vjet.
7 vjet.
Për arsye se...

Të gjendjes shëndetsore?
...humbi arsyen mendore.

Çfarë ndodhi me të mbasi doli nga burgu?
Ditën kur ka dalë nga burgu unë e kam..., unë e mbaj mend. Domethënë me një dyshek ashtu si tha edhe ai shoku im që foli para meje. Dhe me një dyshek, ashtu të shqyer, aty, me një kasketë, erdhi. Por tmerri më i madh ka qenë gjatë kohës që doli babai dhe mbrapa. Ajo ka qenë tmerri më i madh. Si thashë unë shkatërrimi i familjes në mënyrë sistematike, një e para, humbja e çdo gjëje qoftë edhe e një biçiklete që e kishte mbajtur nëna varur, atje në gozhda edhe ishin djegur ato komardaret dhe u shit çdo gjë, shkuam në zero, për të mbijetuar. Pra, arritëm prej një jetese që ishte jetesë pak a shumë intelektuale në një jetesë nën rrogoz dhe pa një qylym, pa një gjë në tokë. Një mizerje absolute edhe kjo u shpreh pastaj në sëmundjen familjare, për arsye se babai nuk doli normal. Babai ishte shumë i shqetësuar, por fati me pas një grua të mirë për krahu. Sepse babain e ndiqnin rregullisht, ishte ajo ndjekja e sigurimit të shtetit, çdo të premte, dilnin dy kaleca dhe e prisnin dhe e përcillnin. Ka ardhur Rushovi, ka ardhur Çuen Lai, në shtëpinë time kanë qenë të instaluar, se e kemi pasur shtëpinë në një apartament, atje, që më në fund na e patën dhënë. Dhe aty, instaloheshin ato sigurimsat dhe sigurimsi rrinte në pozicionin më të mirë aty për me ë babain tim dhe babai nuk u lejonte as në nevojtore me shku ose me shku në nevojtore dhe me u çu sigurimsi në këmbë me qëndru në korridor deri sa të dilte nga nevojtorja pra se po vjen..., se mos i hedhin ndonjë gjë... Pra këto i mbaj mend unë, këto i kam parë unë me sytë e mi.

S'KA KOMENTE