Dënimi i vëllezërve Dosti dhe Aliko Mëhillit

0
8

Bijtë e ish-ministrit Hasan Dosti u përndoqën gjatë gjithë regjimit komunist. Ata jetuan për dekada në internim dhe disa prej tyre u burgosën. Kujto.al publikon akt-akuzën që do të sillte dënimin e Tomor dhe Leka Dostit dhe shokut të tyre, Aliko Mëhillit, me nga 25 dhe 20 vjet burg. Që në rreshtat e parë saj lexohen motivet politike të arrestimit, ku Tomori dhe Leka quhen "djemtë e kriminelit të arratisur jashtë shtetit".

 

 

Vëllezërit Tomor e Lekë Dosti dhe Aliko Sinan Mëhilli nga Dukati i Vlorës u arrestuan më 29.7.1953. Të tre ishin ushtarë të shërbimit të detyrueshëm ushtarak nr.7710 Tiranë. Tomori dhe Aliko ishin të vitlindjes 1930, ndërsa Leka i vitlindjes 1933. Pavarësisht se ishin të vitlindjeve të ndryshme dhe vëllezër, Tomori dhe Leka ishin mobilizuar së bashku.

Të tre u akuzuan më bazë të neneve 75, 64 dhe 72 të Kodit Penal se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin tradhtuar atdheun dhe kishin kryer agjitacion e propagandë kundër pushtetit në favor të imperializmit amerikan dhe anglez.

Në arsyetim të vendimit, gjykata përmendte babanë e dy të pandehurve, Hasan Dostin, pavarësisht se midis asaj që akuzoheshin ata, nuk kishte asnjë lidhje.

Akuza politike lexohej lehtësisht në këto formulime: “Në kohën kur populli shqiptar, nën udhëheqjen e Partisë së tij të Punës me në krye shokun Enver Hoxha, po ndërton bazat e socializmit dhe jetën e tij të lumtur, armiqtë e vendit tonë, siç janë fashistët e Beogradit, neofashistët e Romës, neofashistët e Athinës të nxitur edhe nga padronët e tyre imperialistët amerikano-anglezë, grumbullojnë mbeturinat e reaksionit, kriminelët shqiptarë të armatosur, duke formuar organizata tradhtare si ajo e Komitetit Shqipëria e Lirë me kriminelin Hasan Dosti në krye, Legalitetin me Abaz Kupin në krye, etj”.

Sipas akuzës, vëllezërit Dosti dhe Alikoja, në vitin 1951 njihen me Meshan Çinin për të realizuar arratisjen nëpërmjet Bunës.

Tomor Dosti cilësohej “i pandehuri ushtar, bir i kriminelit Hasan Dosti”, i cili nuk e kish pritur mirë pushtetin popullor dhe reformat e tij. Të gjithë bëheshin fajtorë për përgatitje për t’u arratisur.

Gjykata Ushtarake Territoriale Tiranë, e drejtuar nga nënkolonel Mit’hat Goskova, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten II Rako Caci, me vendimin nr.(nuk shënohet), datë 26.11.1953, e deklaroi fajtor dhe e dënoi Tomorin me 25 vjet burgim, humbjen e të drejtës zgjedhore për 5 vjet. Po kaq u dënua edhe Aliko. Leka u dënua me 20 vjet.

Leka u lirua më 20.2.1966. Tomori u lirua më 8.7.1967. Alikoja u lirua më 23.5.1968.

Shënim: Foto nga internimi ku përfunduan pas daljes nga burgu vëllezërit Dosti.

 

S'KA KOMENTE