30 vjet nga rrëzimi i shtatores së Enver Hoxhës në sheshin qendror të Tiranës më 20 shkurt 1991. Një datë që, dhe pse jo zyrtarisht, simbolikisht për shumë njerëz shënoi rrëzimin e diktaturës në Shqipëri. Megjithatë regjimi nuk e la të kalonte pa arrestime këtë ngjarje. Mes tyre ishte edhe Ardian Heta, shoferi 21-vjeçar, që drejtonte makinën tip “Ifa” që tërhoqi shtatoren e diktatorit nga sheshi deri te ura e Rrugës së Elbasanit. Dokumenti tregon çfarë ndodhi me të riun, në vazhdim
Sipas raportit zyrtar të ngjarjes, më 20 shkurt 1991, Ministria e Punëve të Brendshme angazhoi për përballimin e situatës, 1200 forca të reparteve nr.326, nr.711 të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë dhe të dy shkollave në MPB-së. Forcat nuk ishin të pajisura me mjetet e duhura, shkopinjtë e gomës dhe mburojat plastike nuk ishin të mjaftueshme për të përballuar situatën. Në analizën e tyre, zyrtarët e regjimit shpreheshin se ishin të pasigurt nëse armët e zjarrit mund të evitonin rrëzimin e përmendores. Ata gjykonin se një pjesë e konsiderueshme e forcave ishin lodhur para se të vinin në sheshin “Skënderbej”, por edhe se ishin me mungesë përvoje. Ato nuk rezistuan më shumë se një orë. Gjykohej se “grumbullimi i grave te Presidiumi i Kuvendit Popullor që u hoqën forcërisht nga policia para se të bëhej thirrja për miting, grumbujt në sheshin “Skënderbej”, dalja e punonjësve të Radiotelevizionit dhe presioni që bënin ata mbi forcat e rendit për t’i lejuar turmat të kalonin drejt Kryeministrisë, banderola e shkruar dhe veprime të tjera, dëshmojnë për veprimtari të organizuar më parë”, nuk ishin njohur më parë nga organet e punëve të brendshme.
Megjithatë, pas 20 shkurtit pati disa arrestime. Personi që tërhoqi përmendoren me makina tip “Ifa” ditën historike të 20 shkurtit 1991, quhej Ardian Besnik Heta, 21 vjeç, me profesion mekanik, me punë shofer në parkun e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Referuar arsyetimit të vendimi të gjykatës, mëngjesin e 20 shkurtit 1991, ai u largua nga puna sepse ishte i sëmurë. Rreth orës 13.00 duke dëgjuar zhurmë në qytet, ka dalë nga shtëpia. Më pas u bashkua në shesh me turmën që po vinte nga qyteti “Studenti” pikërisht afër Bankës së Shtetit. Pas disa minutash, duke qenë se kanë qenë tre persona të plagosur, ka marrë një makina “Ifa” që gjendej aty dhe ka çuar në spitalin ushtarak 3 persona të plagosur. Në kthim, me makinën që drejtonte është tërhequr shtatorja e Enver Hoxhës rrugëve të Tiranës. Veprimet e Ardianit kanë qenë deri te ura në rrugën e Elbasanit, sepse këtu makina është prishur e nuk mund të vazhdonte më. Pas këtij veprimi u nis në shtëpi. Ardiani u arrestua më 25.2.1991.
U akuzua në bazë të nenit 6 të nr.7408, datë 31.7.1991 “Për mbledhjet e grumbullimet” dhe për shkelje të dekretit nr.7459, datë 22.1.1991 “Për mbrojtjen e monumenteve”.
Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.166, datë 20.4.1991, e deklaroi fajtor vetëm për akuzën e parë duke e dënuar me kohën e paraburgimit, pra me 55 ditë heqje lirie. U shpall i pafajshëm për shkelje të dekretit nr.7459, sepse nuk mund të bëhej fajtor për dëmtim monumenti, kur veprim ishte bërë masivisht. Pak muaj më vonë, Gjykata e Rrethit Tiranë, me vendimin nr.262, datë 14.8.1991, për shkak “të ndryshimit të rrethanave dhe kushteve aktuale politike”, pushoi çështjen.
Shënim: Në foto është Ardian Heta në makinën që tërhoqi përmendoren e E.Hoxhës
kujto.al