Irmgard Frederikut Tennius, lindur në Berlin në vitin 1918, banuese po atje, arrestuar më 6.9.1944 në Bardhoc të Kukësit së bashku me dy shoqet e saj, u mor në pyetje më 5.1.1945 nga komisioni hetimor i Tiranës: Frederik Nosi (përfaqësues i ushtrisë), Mynir Tirana (KANÇ- i qarkut), Jahja Hatibi (Rinia). Përkthente pyetësinë Mentor Xhemal Sojli. Ajo kishte një motër që punonte në një shoqëri vajrash (“Continentale Olpesallschaft”). Për këtë shoqëri punonte edhe ajo. Deklarata e saj para komisionit ishte kjo:
“Në Shqipëri kam ardhur së bashku me shoqen time Erna Shubert më 3 qershor 1944. U nisëm nga Berlini në Beograd e më pas në Tiranë. Kam ardhur dhe kam punuar për llogari të shoqërisë së sipërthënë, ku kam punuar si sekretare në Tiranë. Shoqëria kishte drejtor dr.Draiger. Shoqëria mori administrimin e Kuçovës nga ushtria gjermane e cila e kish marrë nga Shoqëria AGIP. Baron Aloisi dhe Palerini vinin shpesh në bisedime me dr.Dreiger. Legata gjermane caktonte kontingjentet e ndryshme të prodhimit të vajgureve të Kuçovës për ushtrinë dhe për konsum civil. Këto bisedime bëheshin fshehtas e unë nuk jam në gjendje të jap informata.
Në fillim të shtatorit morëm urdhër prej gjeneralit Fitzum që të largoheshim nga Shqipëria. Kur pyetëm arsyen na thanë se po ju zunë partizanët do ju vrasin”.
Irmgard u akuzua në bazë të nenit 15 të ligjit nr.41, datë 14.1.1945. Pra ligji kish dalë pas arrestimit të saj. Krejt pa asnjë provë, prokuroria e akuzonte se e përmendura kishte qenë agjente e Gestapos dhe se për inat të arrestimit të saj gjenerali Fitzum pushkatoi në Kukës popull të pafajshëm (nuk rezulton një gjë e tillë). Irmgard u mbrojt nga avokat Qenan Dibra (i pushkatuar një vit më pas në procesin e opozitës së parë me drejtues Musine Kokalarin, Sami Çeribashin dhe atë vetë), i cili kërkoi lirimin e saj dhe të shoqes tjetër gjermane, për arsye se ato nuk ishin veçse sekretare e nuk kishin pasur asnjë funksion. Avokati deklaroi mbrojtjen për të dyja gjermanet në gjykatë si më poshtë:
“Për sa u përket të pandehurve Irmgard Tennius dhe Erna Shubert kërkojmë deklarimin e pafajësisë sepse këto nuk kanë qenë veçse sekretare daktilografiste të thjeshta të një shoqërie vajgurore gjermane. Ata nuk mund të shërbenin si informatore sepse nuk dinin shqip. Nuk kishin si të informonin. Për sa i përket pushkatimit të një numri të madh popullsie të pafajshme në Kukës (avokati nuk do t’i hyjë në thelb pavërtetësisë së kësaj çështjeje-shënim), këto nuk mund të quhen përgjegjëse se zelli i madh i gjeneralit Fitzum dhe ndjenjat e tij kriminale nuk mund t’u atribuohet faji atyre. Nga ana tjetër Fitzumi ka urdhëruar këtë pushkatim jo për shkak të të mbrojturave prej meje, po për shkak se në mes të të arrestuarve gjermanë nga ana e partizanëve kishte persona si sekretarja e tij Elsa Koch, me të cilën ai ishte shumë i lidhur ngushtë.
Këto vajza të shkreta të rritua në atmosferë jo të shëndetshme të nazizmit gjerman, ishin të detyruara nga ana tjetër t’i bindeshin urdhrit që i caktonte në shërbim pranë shoqërisë në fjalë që kishte hapë edhe një degë në Shqipëri. Prandaj kërkoj lirimin e tyre prej burgu për shkak pafajësie absolute”.
Vendimi i gjykatës është me të vërtetë qesharak. Pa asnjë provë e cilëson të pandehurën element të rëndësishëm të Gestapos, e cila gjatë zhvillimit të gjyqit nuk u tregua e sinqertë.
Prokurori i çështjes, Skënder Kosova, tha se gratë kishin ardhur si agjente. Ai i vlerësoi të rëndësishme përderisa donin të iknin. Kaq ishte argumenti i prokurorit.
Gjatë zhvillimit të gjyqit, procesi u përkthye nga Themistokli Jorgoni. Në hapje të procesit, e pandehura mohonte të ishte agjente. Ajo deklaronte se nuk e kuptonte arsyen pse ishte sulmuar nga partizanët kur në fakt po largoheshin nga Shqipëria.
“Luftën Gjermania e ka bërë për shkak të tokës së paktë. Si gjermane, rezistencën ndaj vendit tim nuk mund ta shikoj me sy të mirë. Nuk kemi pas ndërmend të zotërojmë shtete, pse i shpallëm luftë Bashkimit Sovjetik nuk e di, por kemi pasur frikë se mos na sulmonte"-deklaroi para gjykatës.
Gjykata Ushtarake Tiranë, e drejtuar nga major Irakli Bozo, me pjesëmarrjen e prokurorit toger Skënder Kosova, me vendimin nr.402, datë 21.10.1945, e deklaroi fajtore dhe e dënoi me 2 vjet burgim.
Pas lirimit nga burgu, Irmgard u internua. Njihet internimi i saj në Valias te fabrika e tullave.