Historia tragjike e Tom Kurtit, mësuesit që kishte studiuar në Itali dhe u ekzekutua sepse nuk pranoi të bashkëpunonte me Sigurimin. I biri, Tonini tregon jetën e të atit me të cilin u nda në moshë shumë të vogël dhe vrasjen e tij makabre që u maskua keq si vetëvrasje
Kur Tonin Kurti me familjen, emigroi për në vendin fqinj, Itali, mendoi të kërkonte pranë Universitetit Katolik, emrin e të atit që kishte kryer studimet aty, të ruajtur në dokumentacionin e këtij insitucioni të vjetër arsimor. Pasi e gjetën, ndërtuan për studentin nga Shqipëria, Tom Kurti, një jetëshkrim të shkurtër, por mëse të saktë. Një vit më vonë, Toninit i trokasin në shtëpi përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, duke i lënë takim në Kuesturë. “Pyetja e parë që na bënë-tregon Tonini për kujto.al, ishte a keni dokumente për qëndrim në Itali. Iu përgjigjëm që nuk kishim dhe na ka ardh’ data te posta me marrë dokumentet. I morëm dhe sot kemi nënshtetësi italiane”. Diçka u kishte tërhequr me siguri vëmendjen, autoriteteve italiane, që ia bënë familjes së Toninit kaq pabesueshmërisht të lehtë procesin e marrjes së lejeqëndrimit. Ishte jeta pabesueshmërisht e vështirë dhe fundi tragjik që kishte pasur studenti i tyre, babai i Toninit, pas kthimit në Shqipëri, që e kishte origjinën pikërisht te arsimimi i tij katolik.
Fëmijëria dhe shkollimi
Tom Kurti kishte mbetur jetim në moshën 6-vjeçare, ndërkohë që i vëllai, Nikolla ishte 8 vjeç. Kolegji Françeksan në Shkodër, me ndërhyrjen e Gjergj Fishtës e mori Tomin në kuvend, ku ai ndoqi edhe shkollimin për prift. Pasi përfundoi edhe Liceun, i nxorën një bursë studimi për në Universitetin Katolik në Itali, ku studentët veç Teologjisë, përgatiteshin edhe në Filozofi dhe shumë fusha të tjera të dijes, por me qëllimin përfundimtar për të dalë meshtarë. Mirëpo, i riu Tom Kurti, mendonte që kishte një detyrë më të rëndësishme në shpatulla sesa atë të të shërbyerit si prift: të linte trashëgimtarë. Arysen e tij, pavarësisht kundërshtimeve, e pranoi më në fund edhe drejtori i Universitetit dhe të riut katolik iu dha lirimi nga detyra e meshtarit që do të thoshte edhe liri për t’u martuar.
Rikthimi në Shqipëri
Filloi të punonte si sekretar banke. Padër Anton Harapi ndërkohë e kërkonte në Kuvend. Më vonë, punoi si kryellogaritar në fabrikën e sapunit me pronar Tef Pogu. Sigurisht, përmbushi gjatë kësaj kohe edhe misionin që i kishte vënë vetes për t’u martuar dhe për të krijuar familje. Dy vite më vonë, në Shqipëri u vendos regjimi komunist. Tom Kurti nisi të punonte si mësues në shkollat e qytetit dhe në Pedagogjike, ku lënda kryesore e tij ishte Filozofia. E transferuan familjarisht për dy vjet në Podgorije, një fshat i Maliqit dhe më pas i rikthyen sërish në Shkodër, ku vazhdoi të jepte mësim, por pas një viti e pushuan nga puna me motivacionin se nuk i përshtatej sistemit të ri arsimor që ishte ndërtuar në Shqipëri sepse kishte kryer “shkollën për prift”.
Arrestimi
Nuk kaloi shumë kohë dhe e arrestuan. Nga Shkodra, të lidhur, e çuan në Korçë. Pas 9 muajsh hetuesi, dënohet bashkë me një grup korçar të akuzuar për rrëzimin e pushtetit. Tre prej tyre u dënuan me pushkatim dhe 15 të tjerët me burgim. Tom Kurti u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe u mbyll në burgun e Korçës. Kreu vetëm disa vite nga dënimi dhe u lirua me një amnisti për festat e 28-29 nëntorit. Ishte një liri që nuk e gëzoi për asnjë ditë. Sigurimi e ndiqte këmba-këmbës dhe vazhdimisht i bënte ftesat e tij të zakonshme për bashkëpunim.
Presionet e Sigurimit
Sipas asaj që i ka treguar më vonë e ëma djalit të madh të familjes, Toninit, propozimi i parë ka qenë nga shefi i Arsimit për Shkodrën, Sadik Rama, i cili e kishte thirrur në zyrë, ku ishte I pranishëm dhe dikush tjetër dhe i kishte thënë që të firmoste një dokument dhe të hapte gojën për të kërkuar çfarë pozicioni donte në arsim, sepse ai ishte I kualifikuar dhe vendi kishte nevojë për mësues si ai. Shërbimi i Toninit, sipas shefit të Arsimit të qytetit, do ishte me vlerë, pasi ai kishte studiuar në kolegjin françeskan dhe e njihte mirë atë institucion. Toma nuk kishte thënë asnjë fjalë dhe ishte larguar nga zyra. Më pas, i kishin thënë disa herë: “Mendohu mirë!”. Mirëpo ai nuk ndryshoi mendje.
Kujtimet e fundit
Në albumin e familjes, ndodhet një foto e realizuar në qershorin e vitit 1956, ku janë tre fëmijët e Tomës, ende të vegjël. Në pamje të parë, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në atë foto, por për familjen e tyre, ajo ka një vlerë të veçantë. Është kujtimi i fundit i fëmijërisë së lumtur e të qetë.
Dy javë më vonë, babai i tyre, u ekzekutua. Kanë në këtë album, ku mungojnë shumë foto, të djegura me dhunë nga Sigurimi edhe një fotografi të fundit të Tom Kurtit, një muaj para ekzekutimit.
Pas asaj periudhe, babanë nuk do e shihin më. Madje as në fotografi… “Fotografitë që kishte nana me babën, qysh se ishin të fejuem, martesa, të gjitha u dogjën në oborrin e shtëpisë nga kontrolli i Sigurimit nuk u lejua nana me vendos asnji fotografi të babës në shtëpi”.
Vrasja makabre
Tonini tregon sesi një natë, trokiti dera e shtëpisë dhe nëna me gjithë tezen e tij dolën për ta hapur dhe panë 9 burra të Sigurimit që pyetën: Ti je gruaja e Tom Kurtit? Më pas i thanë thatë sesi bashkëshorti ishte hedhur nga një lartësi dhe ishte gjetur në Currilat, në breg të detit, sesi dega e Durrësit e ka mbyllur në arkivol dhe nuk lejohet të hapet arkivoli, sesi duhet të shkonin ta merrnin atë natë nga morgu i qytetit, po të mos e tërhiqnin do e varrosnin ata vetë. Kushërinjtë, pavarësisht urdhrit, e hapën arkivolin dhe e kontrolluan dhe nuk kishte asnjë shenjë në trup, aq më pak të ishte i copëtuar siç pretendonin përfaqësuesit e Degës së Brendshme të Shkodrës. Vetëm mbas kokës kishte plagën e madhe të një bajonte nga nuk pushonte gjaku që dilte nga arkivoli bashkë me një erë të rëndë, pavarësisht që dërrasa ishte lyer me rrëshirë pishe. E varrosën me një dhimbje të rënduar nga tmerri i asaj të vërtete makabre aq të dukshme e njëkohësisht aq të ndaluar për t’u përmendur. Një vit më vonë, nëna e Toninit, duke qenë që sipas policisë, Tom Kurti, nuk ishte ekzekutuar, shkoi të kërkonte pension për fëmijët të mbetur pa baba në moshë të vogël, te Sekretari i parë i Partisë. Sekretari atëherë kishte dalë te dera dhe i kishte thënë gruas së gjorë se fëmijët e saj nuk përfitonin pension sepse burri ishte ekzekutuar si armik i betuar i pushtetit popullor.
Nën hijen e përndjekjes
Gruaja e këtij armiku u çua të mblidhte sherebelë në malin e Kakariqit, gati në Lezhë. Fëmijët, nuk u lejuan të vazhdonin shkollën e lartë. Tonini mundi të kryente një kurs dyvjeçar në Tiranë për tornitor, pas shkollës së mesme sepse nuk e pranonin në punë veçse në Ndërmarrjen e Ndërtimit. Ndërkohë veç babait, ata cilësoheshin familje armiku, edhe prej dajës, ushtarakut Zef Ashta të diplomuar në Modena të Italisë, i cili u dënua dy herë nga regjimi komunist dhe ndërroi jetë në burgun e Spaçit.
Motra tjetër e tij, tezja e Toninit, Vitore Ashta, një mësuese e përkushtuar, ndër vajzat e para që kreu Liceun e Shkodrës, gjithashtu u pushua nga puna, duke u dërguar në ndërmarrjen e fermentimit të duhanit, ku e diskretitonin dy herë në java para gjithë kolektivit prej 200 punëtorësh. “Mbas 3 vjetësh, tezen e morën përsëri në arsim ku punoo 30 vjet nëpër të gjitha fshatrat e Shkodrës dhe shoku i gjimnazit, Mantho Bala e pruni në 10- vjeçarin e fundit arsimtare në Shkodër”. Edhe nëna e Toninit erdhi në Shkodër, pasi drejtori i spitalit civil, Dr. Selaudin Mborja e mori në punë si pastruese. Kështu vazhdoi jeta e tyre, deri në shembjen e regjimit komunist, kur u hapën kufijtë dhe Tonini me familjen emigroi në Itali, në vendin ku babai dhe daja i tij kishin kryer studimet dhe ku i shfaqën nderim të pakursyer për vuajtjet e të parëve. Ndërkohë, në vendlindjen e tij ka marrë dëmshpërblimet e kohës së burgut të babait, por asgjë për ekzekutimin e tij.