
Rrëfimi prekës i Rita Koka Koçi, vajza 19-vjeçarje në burgun e Burrelit ku vuante dënimin edhe i ati i saj, Sami Koka
Kur policët pa fytyrë, me maska e armatime të rënda u sulën nëpër natë për të shembur godinën e teatrit, as që e kishin idenë se pse ajo godinë ishte kaq e rëndësishme për ata aktivistë e artistë që po e ruanin prej dy vitesh. As e kishin idenë se sa e rëndësishme ishte ajo godinë për mijëra shqiptarë të tjerë që atje patën kujtimet për netët e bukura të shfaqjeve e lojës së aktorëve shqiptarë ndër vite. As e kishin idenë se brenda atyre mureve ka shumë kujtime të bukura, por edhe shumë të dhimbshme. Ajo sallë mbante histori, art e dhimbje.
Në atë gjyq, u ndëshkuan rreth 45 intelektualë të shquar të Shqipërisë, një ndër ta ishte edhe kolonel Sami Koka. Kishte qenë një ndër ushtarakët më të rëndësishëm gjatë qeverisjes së Ahmet Zogut dhe diktatori Enver Hoxha e shpalli armik. U dënua me 30 vjet burg. Atë ditë në gjyq ishte edhe e bija 19-vjeçare, Rita Koka. E pa të atin të gjunjëzuar nga dhembja për çfarë e priste Ritën dhe familjen e saj më pas. Qante atë ditë për babain e burgosur nën prangat e diktaturës, por s'e kish menduar se pak vite më pas do t'i provonte prangat e do të burgosej në qelinë afër të atit, përballë tij, në burgun e Burrelit.
Rreth pesë vite pas dënimit të të atit, Rita Koçi u arrestua e akuzuar për agjitacion e propagandë dhe u dënua më 10 vjet burg. U dërgua në Burrel, atje ku ishin të burgosur të tjerë politikë, ku ishte edhe i ati, Sami Koka. Rita e dinte se babai i saj ishte diku aty afër në njërën prej qelive. E kishte vënë në dijeni një gardian burgu i cili sillej pak më mirë se të tjerët me të burgosurit politikë.
“Një ditë vjen polic Ymeri në birucë dhe më thotë: ke dëshirë ta shohësh babanë tënd? Pyetje është kjo që më bën?-i thashë. Mirë, -tha,- unë do ta jap mundësinë, por duhet të kesh kujdes të mos bësh asnjë gjest dhe asnjë lëvizje për të treguar se po e sheh. Mirë,- i thashë.-Mos ki merak. Në fakt kur të burgosurit e dënuar po hynin brenda nga oborri për të shkuar lart në dhomat e tyre, polic Ymeri e ndaloi babanë dhe nisi të bisedojë me të. Unë si gjithmonë nga ajo kamare e vockël që bëja kontrollin ngrita cepin e kartonit dhe po e vështroja babanë. Një ngashërim dhe një mallëngjim më pushtoi shpirtin, nga malli që kisha. Por më e madhe nga të gjitha ishte emicioni që ndjeva kur shikoja babanë gjatë kohës së bisedës, kthente sytë majtas e djathtas duke menduar se në cilën nga këto biruca ndodhesha unë, vajza e tij e vetme 19-vjeçare. Pas një copë here bisedë, polic Ymeri e la të lirë që të ikte lart dhe pastaj erdhi tek unë dhe më tha: E pe babanë, u çmalle? -Të jam mirënjohëse Ymer, më bërë një nder të madh”, rrëfen Rita Koka Koçi.
Dhembja e Ritës, e të atit Sami Koka, e familjes së tyre nisi pikërisht tek ajo godinë që u shemb këtë 17 maj të vitit 2020. Pasardhësit e Sami Kokës apo 45 intelektualëve që u dënuan me pushkatim apo shumë vite burg në godinën e teatrit Savoja, u lënduan kur godina e teatrit u shemb pa mëshirë. Shumë prej atyre që u dënuan me pushkatim pranverën e vitit 1945 në atë sallë, nuk iu janë gjetur ende eshtrat, ndaj ajo godinë teatri shërbente për pasardhësit e tyre si një vend kujtese, ku u panë për herë të fundit gjallë njerëzit e tyre të dashur.