"Lindi në korrik 1950 dhe vdiq në kampin e Tepelenës më 24.9.1950. Deklarimi i vdekjes është bërë nga nëna e vogëlushit, Dava"
Rreth 300 fëmijë mendohet se humbën jetën në kampin famëkeq të Tepelenës në vitet 1948-1953. Tonin Shup Paloca ishte një prej tyre. Ai lindi në kampin e Tepelenës kur e ëma Dava ishte e internuar në muajin e fundit të shtatzënisë. Tonini lindi mes telave me gjemba në kushte mizierie dhe mundi të mbijetonte vetëm dy muaj. Ai u largua nga kjo botë pa e kuptuar gjithë mizorinë në atë vend ku mbylli sytë prej sëmundjes së dizanterisë.
Studiuesi Kastriot Dervishi ka publikuar dokumentin që vërteton datën e vdekjes në kampin e Tepelenës për të voglin Tonin.
“"Armiku" 2 muajsh
Lindi në korrik 1950 dhe vdiq në kampin e Tepelenës më 24.9.1950. Deklarimi i vdekjes është bërë nga nëna e vogëlushit, Dava. E rrezikonte fort pushtetin popullor liria e një të mituri”, shkruan Dervishi.
Për vdekjet masive të fëmijëve në kampin e Tepelenës ka rrëfyer i mbijetuari Aziz Ndreu.
“Kështu filluam jetën në kampin e Turanit. Bukën shkonin dhe e merrnin në krahë punëtorët në Tepelenë, në qytet. Tepelena nuk ishte e përgatitur për të furnizuar me bukë 2000 vetë, plus dhe buka e misrit vinte krejt e papjekur; vetëm sa e ngrohnin. E qullët, baltë. Dhe nga 600 gr. që kishim racionin, na jepnin 500 gr. se pjesa tjetër ishte firo. Ishte baltë, jo bukë. Në këtë kohë, komanda bëri një zgjedhje: të gjithë djemtë e rinj e të fuqishëm (nuk e mbaj mend saktësisht se sa), i rreshtuan për apel dhe pas apelit, i veçuan dhe i nisën me disa makina. Vetëm më vonë e morëm vesh, se i kishin nisur në Lozhan të Elbasanit, për të punuar në hapjen e rrugës. Pjesa tjetër prej atyre që mund të ishin për punë, duke filluar nga mosha ime, pra 13 vjeç e lart, i nisën për të hapur rrugën Veliçot – Memaliaj, sepse, atëkohë, nuk kishte rrugë nga ky krahu këtej; kishte vetëm në krahun matanë Vjosës. Dhe kështu ngrenë një tjetër kamp pune në Memaliaj. Për punëtorët filloi gjella. E kam fjalën supa e orizit a diçka e ngjashme, sepse racioni i bukës mbeti i njëjtë. Kurse shumica, mbeti në Turan. Shumë ishin të detyruar të rrinin jashtë; pjesa tjetër në kazerma, por si brenda dhe jashtë, ishte pothuajse e njëjta gjë. Kapanonet ishin të mbingarkuar. Çfarë të të them? Nuk kishte dritë elektrike; vetëm një fener të varur tek porta e kazermës për natën. Dhe fenerin, nuk të lejohej ta lëvizje. Kishte të sëmurë, pleq. Kishte nga ata që ulërinin gjithë natën, s’kishte as dritë asgjë tjetër, dhe vetëm të nesërmen në mëngjes kur zbardhte, mund t’i bëje ndonjë shërbim. Por të nesërmen, ata mund të kishin vdekur.
E keqja ishte se po të kishe nevojë për të dalë jashtë, duhet të shkelje mbi njerëz, por ne ishim të urtë edhe kur na shkelnin, lëshonim vetëm një rënkim të lehtë: “Oooh!!” Më kujtohet kur ngriheshin këto plakat tona, se po vdiste dikush atje në qoshe, me ndonjë qiri që mund t’i ndodhej ose me fenerin që shkonin dhe e merrnin gjithë frikë te dera e kazermës, dhe të tjerët rrinin roje, që në rast se vinte polici, të shkonim me vrap e të kthenim fenerin në vend. Edhe kështu i rrinin te koka të sëmurit, derisa jepte shpirt. Kur jepte shpirt këta e mbulonin, e i rrinin të gjithë aty dhe fenerin e çonin mbrapsht.
Pastaj vdekja erdhi e u bë një gjë e zakonshme. Ulërimat, që dikush vdiq… Nuk di ç’të thuash më përpara. Unë i kam të gjalla të gjitha në mendje.
Atje, akoma fëmijë, mësova se ç’ishin sëmundjet. Imagjino një kamp të mbyllur, pa asnjë lloj kushti. Njëherazi ranë dizanteria dhe tifoja. Dhe filloi ajo periudha e tmerrshme, kur unë numëroja deri në gjashtë të vdekur në ditë. Sidomos fëmijë dhe të moshuar. Nuk kishim ku të merrnim një aspirinë dhe as ndonjë lloj tjetër ndihme mjekësore.
Komanda e kampit vetëm kishte siguruar një skuadër për të hapur varret. Ata shkonin në mëngjes, hapnin një varr apo dy për ata që kishin vdekur gjatë natës, dhe vetëm kur merrnin urdhra të tjerë gjatë ditës për të hapur të tjerë, për të tjerët që vdisnin në vazhdim: “Hapni edhe një tjetër! Edhe një tjetër!”
Këto varre u hapën nën varret e italianëve. Varret e italianëve ishin të rregullt, kurse ne i fusnim trupat siç ishin, drejt e në tokë dhe vetëm i mbulonim me dhè, se nuk kishim as dërrasa as gjë. Dhe kjo situatë vazhdoi. Të sëmurët kishin temperaturë, të vjella dhe diare me gjak. Tamam dizanteri ishte, se tani e njoh mirë këtë sëmundje. Por, edhe tifon. Pikërisht nga përvoja në kamp. Dhe në një komunitet aq të dendur, në ato kushte, sëmundja transmetohej shumë shpejt. Numri i të internuarve u shtua edhe më. Po jua a tregoj se pse u shtuam: një ditë, pa gdhirë akoma, vjen një autokolonë makinash dhe ne pamë që po shkarkonin njerëz. Sapo ishte vrarë Bardhok Biba dhe kjo ngjarje pasoi me një valë tjetër internimi. Kishin ngritur të gjithë Mirditën dhe e kishin sjellë në kamp. Natyrisht, ne nuk kishim nga ta dinim se sa u bë numri i të internuarve në kamp, por unë e mësova kur po merrnim bukën dhe përgjegjësi (që ishte edhe ai i internuar) po i jepte furrxhiut porosinë për numrin e racioneve, apo “forcën” siç quhej ndryshe. U mor vesh që u bëmë 2300 vetë.
Një tjetër shkak i fortë për epidemitë, ishte dhe mungesa e banjove.
Nuk kishte banja; për nevojat personale, shërbente pylli. Për ujë shërbente një përrua; aty laheshim e mbushnim ujë për të pirë. Dikush më lart, dikush më poshtë, dhe dikush tjetër, akoma më poshtë. Dhe menjëherë nga ky grumbullim i madh dhe mungesë e kushteve të higjienës, doemos që bie dizenteria dhe tifoja. Atëherë, komanda dhe dega e brendshme, filluan të vinin me gjithë mjekun e Tepelenës, sepse në atë kohë ishte një mjek për gjithë Tepelenën. Më kujtohet një situatë, me një nga mjekët, që nuk e përshkruaj dot: ai erdhi, pa se ç’bëhej dhe i shokuar, kryqëzoi duart në gjoks dhe tha: “Pse më prutë këtu?” Kur ai tha “pse më prutë këtu”, njëri në njërën anë ulërinte nga dhimbjet e dizanterisë (sepse dizanteria ka shumë dhimbje; edhe tifoja ka, por tifoja nganjëherë të lë shakull, e nuk e merr vesh se ku je), e tjetri në anën tjetër, po ashtu.
Dhe këtu filloi transferimi i të sëmurëve; i merrnin ata që ishin shumë rëndë me makina të hapura dhe i çonin në Gjirokastër. Dhe atëherë na përmirësuan disi edhe ushqimin; filloi gjella, ajo supa e zakonshme, që kishte 80 gr. oriz ose makarona, 10 gr. kripë, 10 gr. vaj. Kjo ishte e gjitha. E mbaj mend mirë, se kaq ishte caktuar.