Kujdes! Pamje të rënda!
Dy kushërinj të parë nga Peqini (djem tezesh), Sami Daja dhe Mezan Sulkja, të një moshe, 24-vjeçarë, nisen për t’u arratisur. Mezani kish kryer ushtrinë para pak vitesh në atë zonë dhe e njihte vendin. Më 24.5.1990, udhëtuan me tren nga Peqini deri në Gurin e Kuq në Pogradec. Prej andej, me autobusin e linjës, mbërritën rreth orës 17.30 në Ersekë. Rreth orës 21.00, u nisën në këmbë drejt kufirit; rreth orës 24.00, në sektorin e postës kufitare Rehovë, kur ishin 200 metra larg kufirit, ranë në kontakt me forcat e kufirit. Samiu u vra. Eksperti mjeko – ligjor përcaktoi se vdekja e Sami Dajës ishte shkaktuar nga 5 plagë të rënda. Kur zbardhi dita, u arrestua edhe Mezani. Ushtarët e kufirit në atë kohë ishin të indoktrinuar me histori me “diversantë”. Ata ishin kthyer në qenie mekanike vrastare, të cilët vrasjen e kuptonin si veprim heroik.
Ja si tregohet ngjarja në Hetuesinë e Rrethit Kolonjë, nga dy ushtarët që bënë krimin, ushtar Doda i vitit të dytë dhe ushtar Xhelali i vitit të parë, të dy me arsim 8-vjeçar. Të dy u pyetën në cilësinë e dëshmitarëve.
Ushtar Doda: Unë jam ushtar i vitit të dytë në repartin e kufirit Kolonjë në Postën Kufitare Rehovë. Më 24 maj 1990, unë mora shërbimin në orën 20.00, shërbim që duhej ta lija në orën 4.00 të ditës tjetër. Isha në shërbim së bashku me ushtar Xhelalin. Përgjegjës njësiti isha unë. Të dy ishim në pozicion sipas rregullores që kemi. Rreth orës 24.00, në drejtimin tonë për nga vija e kufirit po afroheshin dy persona që nuk dalloheshin mirë nga errësira. Ishte një natë pa hënë. Ne kujtuam se po vinin shokët e komandës për ndihmë e për kontroll sepse po vinin nga rruga që vijmë ne, në vendin e shërbimit. Kur u afruan rreth 15 – 20 metra, ushtar Xhelali u kërkoi parullën dhe u bëri ndaljen. Ata të dy u kthyen prapa duke ecur në krahun e anëtarit, pra në krahun e majtë tonin. Ushtar Xhelali qëlloi në ajër një herë. Kur pa se nuk qëndruan, shtimë të dy në drejtim të tyre me breshëri. Pamë se njëri u rrëzua përtokë kurse tjetri iku dhe na u zhduk në errësirë. Unë hodha paketën shenjëdhënëse, por me gjithë këtë prapë nuk e pamë. Pastaj ne bllokuam kufirin bashkë me njësitet e tjera që na erdhën.
Hetuesi: Po te kufoma u afruat? A ishte gjallë?
Ushtar Doda: Kur ne e vramë, u afruam për ta parë se mos ishte gjallë. Ai kishte vdekur dhe xhaketën e kishte hedhur në tokë. Kur ne qëlluam ai tha: “Mos qëlloni se më vratë”.
Hetuesi: Sa larg ishte kufiri nga vendi i ngjarjes?
Ushtar Doda: Rreth 200 metra.
***
Ushtar Xhelali: Rreth orës 24.00, ne dalluam se në drejtimin tonë po vinin dy persona nga poshtë-lart, në drejtim të kufirit me Greqinë. Unë i pashë në horizont se ishte një natë pa hënë. Kujtova mos ishte kontrolli se po vinin nga rruga e shërbimit. Menjëherë sinjalizova përgjegjësin dhe u pozicionuam për të bërë ndaljen. Pasi u afruan në drejtimin tim, rreth 15 metra, unë dallova se ishin civilë. I thashë të ndalonin dhe të thoshin parullën dhe në të njëjtën kohë njëri u ul në gjunjë e tjetri iku me vrap. Unë qëllova njëherë në ajër me një fishek duke u thënë mos lëvizni se do i qëlloja. Ky që ishte në gjunjë tentoi të largohej po në atë drejtim. Në këtë moment unë dhe shoku im kemi hapur zjarr bashkërisht me breshëri. Pamë se personi u shtri përtokë duke thënë: “më vrave o ushtar”. Përgjegjësi i njësitit kaloi në anën tjetër dhe hodhi pistoletën shenjëdhënëse. Unë hapa zjarr edhe në drejtim të personit që u largua. Së bashku me përgjegjësin e ndoqëm prapa duke qëlluar me breshëri...Në mëngjes mora vesh se tjetrin e kishin kapur ata të postës së Gjonçit.
Zot skane te mbaruar krimet e tyre!