1975/Bashkëpunëtori i Sigurimit: “Shfaqja nuk ka bosht ideologjik”

0
1567

Bashkëpunëtori i Sigurimit “Taraboshi” jetonte në Berat. Megjithatë, atij iu duk veprimi i duhur të ishte kritik ndaj komedisë “Kartela e verdhë” që luajti teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit. Kjo shfaqje e shkruar nga Haxhi Rama, u dha edhe në televizion, por gjithashtu trupa e luajti edhe në disa qytete. Në atë kohë, nga opinioni vlerësohej e suksesshme dhe me humor të goditur. Mirëpo bashkëpunëtori “Taraboshi” i bëri një raport Degës së Punëve të Brendshme Berat për ta informuar rreth asaj që pa, duke kryer realisht një ekspertizë vepre. Raportin në fjalë DPB Berat, ia nis DPB Durrës, a thua se kjo degë nuk e dinte apo nuk e njihte këtë vepër.

 

***

 

Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Dega e Punëve të Brendshme Berat

Berat 4.10.1975

 

Lënda: Dërgojmë një raport agjenturial të b.p. “Taraboshi”

Degës së Punëve të Brendshme Durrës

 

Bashkëlidhur me këtë shkresë ju dërgojmë një raport agjenturial të b.p. “Taraboshi” të datës 1.10.1975 që bën fjalë për shfaqjen e komedisë gazmore “Kartela e verdhë” shfaqur nga trupa e teatrit “Aleksandër Moisiu” të qytetit tuaj në Berat.

Zëvendëskryetari i Degës së Punëve të Brendshme

Refat Nenaj

 

***

Republika Popullore e Shqipërisë

Ministria e Punëve të Brendshme

Dega e Punëve të Brendshme Durrës

Durrës 15.10.1975

 

Lënda: Mbi komedinë “Kartela e verdhë”

Sekretarit të parë të KP të Rrethit, shokut Qirjako Mihali, Durrës

 

Ju njoftojmë se nga një burim i Degës së Punëve të Brendshme Berat është konstatuar se komedia “Kartela e verdhë”, e cila është vënë në skenë nga trupa teatrale “Aleksandër Moisiu” e qytetit të Durrësit dhe që është shfaqur edhe në Berat, është me përmbajtje jo të mirë ideologjike e me nivel të ulët artistik dhe për pasojë dëmton edukimin e masave dhe të brezit të ri.

Në këtë të dhënë thuhet: “Shfaqja nuk ka bosht ideologjik dhe spektatori nuk jeton asgjë pozitive veçse me humor bajat e pa kuptim. Dominon fund e krye fryma e intelektualizmit liberal e anarkist. Shfaqja kultivon një tifozllëk të sëmurë që për sportin të lësh punën, të nxjerrësh skarcitete, të humbasësh disiplinë e klasës. Në këtë shfaqje jepet një zgjedhje qesharake dhe e dëmshme, siç është rasti i ngrënies sapun nga personazhet Tol e Foni për t’ia arritur qëllimit për të marrë raport që të shikojnë ndeshjen. Marrëdhëniet e të rinjve te ne nuk prishen e ndreqen ashtu siç paraqitet në shfaqje ku bëhen presione të pabesueshme jo morale. Shfaqja nuk ka nivel artistik, i mungon dramaciteti, kalohet nga një fazë në tjetrën pa emocione, duke dëgjuar vargje pa kuptim si p.sh. “sa ka kjo botë, sa ka kjo botë më shumë vajza se lot”.

S'KA KOMENTE