Iljaz Xhezo Meçani, lindur në vitin 1933 në Vlorë, pati fatin e keq të vuante pasojat e një
burgimi të padrejtë. Pa kryer veprim arratisjeje, e akuzuan se ishte në tentativë. I shtuan edhe agjitacionin për ta kompletuar me një burgim jo të vogël.
U arrestua më 19.9.1957. U akuzua në bazë të neneve 64 në kombinim me nenin 10 dhe 72/1 të Kodit Penal, d.m.th. për tentativë arratisje dhe agjitacion e propagandë. Banonte në Vlorë, me profesion pemëshitës. U përfshi në një proces së bashku me Zybi Nuredinin.
Gjykata Ushtarake Tiranë, me vendimin nr.3, datë 27.1.1958 e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 15 vjet heqje lirie, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e së drejtës zgjedhore për 3 vjet. Dënimi u la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.25, datë 20.2.1958.
11 vjet nga vuajtja e dënimit, me shpresë si duket se diçka do ndryshojë ai dërgon një letër për Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe prokurorin e përgjithshëm. Nga letra e prokurorit të përgjithshëm për Komitetit Qendror të PPSH-së, nr.98, datë 30.1.1969, merret vesh se i burgosuri i rrahur ishte Pjetër Arbnori. Sigurisht prokurori nuk i gjeti të drejta ankesat e tij sepse dhuna ishte urdhëruar e drejtuar nga vetë regjimit.
Letra e Iljaz Meçanit:
Ndodhem i burgosur në Burgun e Burrelit për faje politike, të cilat ligjet nuk i gjetën aq të rënda sa të më jepnin dënimin kapital. Por me sa shoh, komanda e këtushme s’është e kënaqur me këtë dënim dhe kërkon zhdukjen fizike të personave të veçantë.
Dënimi u la në fuqi nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.25, datë 20.2.1958. dhe ndonjë kuadër tjetër komandues i burgut, në kundërshtim me ligjet në fuqi, duke braktisur përfundimisht rrugën e bindjes, po përdorin forma dhe mjete të përbindshme për zhdukjen tonë.
Ju lutem shumë, meqë sapo filloi fushata e torturimit dhe s’është tepër vonë, ndërhyni për ndalimin e veprimeve të tilla që shëmtojnë edhe ligjet më të tmerrshme që ekzistojnë në botë, thashë më sipër fushata e torturimeve mbasi operativi i këtushëm e fillon këtë fushatë në nëntor dhe e përfundon në muajin mars, d.m.th. në muajt e ftohtë, ku i fut të burgosurit në birucë lakuriq dhe i torturon.
Para ca ditësh të nderuar zotërinj, ra viktimë e parë e kësaj fushate të shëmtuar një i burgosur i cili pasi u rrah në mënyrë të tmerrshme nga një numër i madh ushtarësh tani po dergjet në birucë.
Mbetem me shpresë se ligjshmëria socialiste do të veprojë për ndalimin e veprimeve të tilla jo parimore.
Burrel 17.11.1968