Arif Hajro kishte lindur në vitin 1917 në Mitrovicë dhe ishte dënuar në vitin 1950 nga jugosllavët. Më 10.8.1950 me pasaportë vjen në Shqipëri. La në Kosovë gruan e 4 fëmijët, por edhe në Shqipëri regjimi komunist do ta internonte....
Regjimi antikombëtar i Enver Hoxhës konkurronte me regjimin pushtues serb për nga keqsjellja me shqiptarët e Kosovës. Aspekti antikombëtar është ana më e errët e këtij regjimi, të cilin nuk i mjaftuan eksperimentet e shumta këtu, por nuk kurseu as vëllezërit tanë që për arsye të ndryshme detyroheshin të braktisnin vendlindjen e tyre. Kjo është një prej letrave, e shkruar nga Arif Hajro, i cili ishte arrestuar e internuar nga regjimi i Enver Hoxhës, por i gënjyer nga propaganda, për çudi, besonte ende te drejtësia e diktatorit dhe politika e tij.
Arif Hajro kishte lindur në vitin 1917 në Mitrovicë dhe ishte dënuar në vitin 1950 nga jugosllavët. Më 10.8.1950 me pasaportë vjen në Shqipëri. La në Kosovë gruan e 4 fëmijët. Në letrën shkruar më 26.2.1957, ndër të tjera shkruan:
“Shoku Enver, po të tregoj vuajtjet e mia në Shqipëri (Shkodër). Së pari vuaj shpirtërisht për fëmijët e mi. Qysh prej asaj date që jam instalue me banesë në hotel “Sporti” Shkodër, duke paguar 1200 lekë në muaj. Mbas shumë kërkesash dhe me ndërhyrjen e trekëndëshit të ndërmarrjes, nuk i kam vënë rëndësi gjendjes sime, Komiteti Ekzekutiv i qytetit, me gjithë vuajtjet e mija, i kam mbajtur në mënyrë sekrete, vetëm juve shoku Enver po ua tregoj dhe janë të vërteta. Familja ime që gjendet në Jugosllavi më dërgoi telegramin më 18.1.1957 ku thotë që dokumentet e ardhjes i kanë të sakta. Telegramin e familjes shoku Enver, po ua dërgoj e lexoje vetë. Por unë sot gjendem në gjendje kritike shpirtërore dhe ekonomike”.
Në përgjigje të rastit, më 4.7.1957, Komiteti i PPSH-së Shkodër shkruan se i përmenduri ishte arrestuar nga organet e punëve të brendshme dhe ishte dërguar i internuar në Vlorë. Duke mos u mjaftuar me kaq, ai shkruan një letër më 27.5.1957. Në shënimin e datës 25.7.1957 thuhej se gjendej në fermën “Çlirimi” në Seman, por ishte dyshuar për tentativë arratisjeje.