Të dënuarit gjatë diktaturës që punonin me detyrim në ndërtim, bujqësi, artizanat, bonifikime e miniera, u jepej një pagë simbolike, si dhe u ulej dënimin po në mënyrë simbolike. Mirëpo edhe për këtë ishin vendosur dispozita që mund ta zeronin këtë kontribut për raste arratisjesh nga kampet e burgjet, por edhe kur mendohej se mund të arratiseshe, gjë që ishte abuzim i hapur që mund të bënin komandat e këtyre reparteve. Në të gjitha rastet, i dënuari nuk merrte më shumë se 35% të pagës së punëtorit për të njëjtën normë që realizonte apo tejkalonte.
Më 27.11.1953 Këshilli i Ministrave me firmën e Enver Hoxhës, i përcolli për dekretim Presidiumit të Kuvendit Popullor, vendimin nr.369, datë 24.11.1953 për përllogaritjen e kohës dhe disa kritere për të dënuarit që punonin. Në relacionin shoqërues thuhej se në projekt nuk ishin përfshirë të internuarit, pasi ata quheshin të dënuar administrativisht. Më konkretisht për ta thuhej:
“Janë lënë jashtë të internuarit mbasi këta janë të dënuar administrativisht. Të internuarit do të vendosen në punëra të ndryshme dhe nuk do t’u ndalet asgjë nga të ardhurat e punës së tyre, por me këto do të sigurojnë mjetet e jetesës.
Këtyre të internuarve nuk do t’u paguhet asgjë nga shteti ndërsa atyre që nuk janë në gjendje pune do t’u sigurohet ushqimi, veshmbathja dhe teshat e fjetjes si gjeri më sot”.
Dekreti nr.1782, datë 14.12.1953 i Presidiumit të Kuvendit Popullor “Mbi pagimin në të holla e të burgosurve që punojnë dhe mbi përllogaritjen e punës për zbritjen e afatit të dënimit”
“Të burgosurve që tentojnë të arratisen ose arratisen nga burgu, nga kampi, nga vendi i punës ose gjatë shoqërimit, nuk u llogaritet puna për zbritjen e afatit të dënimit (neni 2), nuk zbatohen për ta dispozitat e neneve 3 dhe 4 të këtij dekreti dhe të hollat që kanë fituar me punën e tyre deri në datën e arratisjes ose tentativës për arratisje, nuk u jepen, por derdhen në favor të buxhetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme”.
Imazhi kryesor: Skicë nga ekspozita "Jeta në Spaç" realizuar nga Ina Elezi, projekt i Kujto dhe Harta e Kujtesës, mbështetur nga KAS Albania.