Me dekretin nr.1209, datë 10.1.1951, Presidiumi i Kuvendit Popullor, shpalli ligjin e të njëjtës date me titull “Mbi mbrojtjen e paqes midis popujve”. Duke qenë ligji më i çuditshëm i parë deri këtë kohë, një lloj vlerësimi për propagandë speciale, në hyrje të tij thuhej: “Nxitja dhe propaganda për luftë, përbëjnë një rrezik të madh kundër bashkëpunimit paqësor midis popujve, kundër jetës së njerëzve dhe kundër pasurisë materiale dhe kulturave të tyre. Masat punonjëse të vendit tonë, me në krye klasën punëtore, që nga çlirimi janë përveshur punës paqësore për ndërtimin e socializmit dhe të ardhmes së tyre të lumtur. Ato kanë nevojë për paqe dhe janë të vendosura ta mbrojnë me mish e me shpirt”.
Sipas nenit 1 “nxitja dhe propaganda për luftë janë krime të rënda kundër njerëzimit, paqes midis popujve dhe atdheut”. Në nenin 2 theksohej se dënoheshin të gjithë ata që nxisnin dhe “bënin propagandë për luftë kushdo që drejtpërsëdrejti ose tërthorazi, me anë të fjalës, të shtypit, të radios dhe me çdo mjet tjetër përpiqet të provokojë sulmin e armatosur të një shteti kundra një shteti tjetër”, rekomandonin “shtimin e armatimeve, përdorimin e armëve të shfarosjes në masë të popujve si bomba atomike”, etj. Sipas nenit 3, jepej dënim deri 20 vjet privim lirie me punë të detyruar.
Kjo dispozitë penale është përdorur fare pak, por rastet ku gjeti zbatim janë qesharake. Raste pa lidhje u trajtuan për të dënuar persona të zakonshëm sikur ata kishin në dorë zhvillimin e luftës botërore. I qëlloi të binte dënimi edhe mbi shtetasin Xhemal Ago Ismaili, 40 vjeç nga fshati Biovizhdë i Përmetit, me profesion bujk. Ai u arrestua më 2.5.1951. U çua në gjykatë me akuzën se “propagandoi duke hedhur parulla të ndryshme për zbërthimin e një lufte të re dhe për fitoren e imperializmit anglo-amerikan dhe monarko-fashistëve grekë, etj”.
Midis të tjerash në proces ai deklaroi: “Unë kam qenë xhandar në kohën e Zogut dhe aktivitetin tim propagandistik e kam filluar qysh nga viti 1945 dhe kam hedhur parulla. Urdhrat e shtetit në fillim i kam pritur mirë, por më vonë kam thënë se këto janë të rënda dhe nuk i përballon dot populli... Më pëlqen regjimi i Zogut sepse në këtë regjim punoja mirë”.
Në biseda të ndryshme kishte folur për bukën e gojës, etj.
Dëshmitari Sotir Xhallo deklaronte: “Ky...kur vinte në Leskovik ka thënë se populli është i alarmuar nga detyrimet dhe nga Radati kanë ikur 12-13 veta për çështjen e bukës. Ka thënë se është shumë e rëndë kjo qeveri, se është alarmuar populli. Ky u ka shërbyer anglo-amerikanëve dhe të na robëronte ne. Unë u mendova se ky është armik i popullit”.
Dëshmitari Nasho Kurti: “Kam udhëtuar gati gjysmë ore me të dhe çdo fjalë e thoshte në favor të anglo-amerikanëve. Këtë e thoshte që të ngjallte frikë në popullor”.
Prokuroria e akuzonte se më 7.6.1951 kishte propaganduar “shpërthimin e një lufte të re dhe për fitoren e imperialistëve anglo-amerikanë dhe monarko-fashistëve grekë, ka paraqitur situatën e turbullt në vendin tonë, ka komentuar se në Kore amerikanët dhe anglezët e kanë okupuar dhe se së shpejti Shqipëria së shpejti do ta okupojë nga Greqia dhe Jugosllavia”.
Gjykata Popullore Përmet, me vendimin nr.96, datë 8.8.1951, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 3 të dekretligjit për mbrojtjen e paqes në botë dhe e dënoi me 20 vjet burgim, punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile për 5 vjet dhe me konfiskimin e pasurisë, te e cila përshihej edhe ajo e luajtshme: dy lopë me gjithë viça, 15 kokë bagëti, një pelë. Paqja botërore lidhej pikërisht me konfiskimin në fjalë.