1951/Arratisja e tre të rinjve nga kampi i Nizhavecit dhe dalja në botën e lirë

0
366

 

Protagonistët e kësaj ngjarjeje ishin gjallë deri vonë. Për fat të keq mungonte kontakti me ta dhe një bisedë më e hollësishme për rrëfimin e arratisjes nga kampi i punës së detyruar, në të cilin detyroheshin të punonin duke hapur kanale për tharjen e kënetës së Maliqit.

Kampi i Nizhavecit ishte i fundit nga tre të tilla që u ngritën për tharjen e kënetës së Maliqit. Kampi funksionoi kur ishin mbyllur kampet e Vloçishtit dhe Orman Pojanit. Kampi kishte më shumë baraka se të tjerat dhe funksionoi në një kohë relativisht të shkurtër. Ai gjendej fare pranë fshatit Nizhavec dhe harta e këtij kampi është përshkruar në një dokument të CIA-s, me siguri e treguar nga ndonjë ish i burgosur, por aty cilësohet “kampi i Maliqit”.

Kampi kishte veçanti se ishte jo larg kufirit dhe në rast arratisjeje, mund të mbërrije shpejt në kufi. Sipas komunikatës nr.205, datë 14.7.1951 të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 10.7.1951 ishin arratisur nga ky kamp të dënuarit: Ylvi Feim Prodani, Musledin Glina, Ferit Abedini. Komunikata thotë gabimisht “kampi i internimit”.

 

Dy nga personat ishin dënuar në një proces:

-Ylvi Feim Prodani, lindur në vitin 1934 në Ersekë (16 vjeç), banues në Korçë, arrestuar më 20.3.1950.

-Musledin Ibrahim Glina, lindur në vitin 1933 në Korçë (17 vjeç), banues po aty, arrestuar më 20.3.1950.

Musledin Glina

Me ta ishin dënuar edhe: Hasan Mit’hat Koka (18 vjeç), Namik Zenel Hysenbegasi (19 vjeç), Tanush Zenel Frashëri (17 vjeç), Dhimosen Dhori Misrasi (19 vjeç), Vilian Mehdi Hysenbegasi (16 vjeç).

U akuzuan në bazë të neneve 2 e 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946 dhe nenit 3 të dekretligjit nr.741, datë 17.11.1949 se kishin pasur qëllim “diskreditimin e policisë dhe pushtetit popullor”, duke organizuar një “grup kundërshtar” që bënte mbledhje, agjitonte, hidhte parulla e dëmtonte pasurinë socialiste, “nënvlerësonte forcat e kampit demokratik përpara forcave imperialiste”, ndante trakte në Pogradec e Korçë, etj.

Gjykata Ushtarake Korçë, e drejtuar nga kapiten I Loni Dimoshi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten I Faik Minarolli, me vendimin nr.109, datë 6.9.1950, i deklaroi fajtorë dhe i dënoi:

-Namik Hysenbegasi, me 20 vjet privim lirie e punë të detyruar. Iu kthye në 15 vjet.

-Tanush Frashëri, me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Ylvi Prodani, me 12 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Vilian Hysenbegasi, me 11 vjet privim lirie e punë të detyruar. Iu kthye në 10 vjet.

-Musledin Glina, me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Hasan Koka, me 10 vjet privim lirie e punë të detyruar.

-Dhimosen Misrasi, me 7 vjet privim lirie e punë të detyruar.

U përjashtuan nga konfiskimi i pasurisë sepse nuk posedonin. Të gjithëve iu hiqeshin të drejtat zgjedhore për 3 vjet (pasi të mbaronin dënimin).

Gjykata e Lartë Ushtarake me vendimin nr.357, datë 14.12.1950, la në fuqi apo ndryshoi vitet e vuajtjes së dënimit, të cilat pasqyrohen më sipër.

I arratisuri i tretë Ferit Abedin Kapollari, lindur në fshatin Çërravë të Pogradecit, ishte 21 vjeç kur u arrestua më 20.3.1949. Ai u përfshi në një proces tjetër ku ishin të pandehur edhe: Demir Masar Kapo, Shaziman Myslim Arifi, Nebi Hasan Besholli, Haki Arif Yzollari, Sejat Izet Ibi, të gjithë moshave 20-21 vjeç. Të gjithë u akuzuan në bazë të neneve 2, 3 (7, 10), e 8 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, për aktivitet kundërshtar dhe tendencë arratisje në Jugosllavi. Gjykata Ushtarake Korçë, e drejtuar nga kapiten I Loni Dimoshi, me pjesëmarrjen e prokurorit kapiten I Faik Minarolli, me vendimin nr.28, datë 18.3.1950, e deklaroi fajtor Feritin dhe e dënoi me 9 vjet privim lirie e punë të detyruar. Të tjerët morën dënime nga 5-15 vjet privim lirie. U la në fuqi me vendimin nr.250, datë 23.10.1950 të Gjykatës së Lartë Ushtarake.

Protagonistët e kësaj ngjarjeje të rrallë, pasi përfunduan arratisjen mundën të largohen anë vendin e lirisë pas disa vitesh. Të paktën për dy prej tyre informacioni ishte deri vonë.

-Musledin Glina vdiq në SHBA më 9.12.2018.

-Ylvi Prodani, i cili ndryshoi emrin në Ilmi, vdiq në vitin 2022 në SHBA. Fotoja kryesore është e tij.

Për Ferit Kapollarin nuk janë mundur të grumbullohen të dhëna.

 

S'KA KOMENTE