Gjyqi special u zhvillua nga 1 marsi 1945 e deri më 13 prill 1945 në kinema “Kosova” në Tiranë. Në të u gjykuan 60 vetë. U dënuan me vdekje 17 persona. U dënuan me burgime 40 persona. U liruan me kusht 3 persona. Vdiqën gjatë vuajtjes së dënimit 11 persona. U ridënuan 4 persona (një vdiq në burg dhe një u pushkatua në vitin 1951). Janë gjetur vetëm 27 praktika hetimore.
Janë përzier në dosje formularë (dosje ndjekjeje nga Sigurimi) 7 praktika.
Komisioni qendror
Me vendimin nr.8, datë 28.5.1944, të Këshillit Nacionalçlirimtar (marrë në kongresin e Përmetit), pranë Kryesisë së saj (KANÇ-it) u formua një komision për “zbulimin dhe vërtetimin e krimeve të luftës dhe kriminelëve të luftës”, në rolin e një njësie eprore qendror të hetimit, i cili do lidhej me organe të tjera në prefektura ose nënprefektura që i konsideronte të varësisë.
Emërimi i anëtarëve të komisionit i lihej në dorë qeverisë dhe konsiderohej pjesë e saj. Pra, në gjyq, qeveria përfaqësonte akuzën.
Sipas “Buletinit të Luftës Nacionalçlirimtare”, datë 16.12.1944, “Komisioni qendror për zbulimin e kriminelëve të luftës dhe armiq të popullit”, kishte këtë përbërje:
-Manol Konomi-ministër i Drejtësisë, kryetar
-Bedri Spahiu-ministër i Asistencës Sociale
-Ali Shtëpani-anëtar i Këshillit të KANÇ-it
-Qiriako Harito-anëtar i Këshillit të KANÇ-it
-Nako Spiru-president i Bashkimit të Rinisë Antifashiste Shqiptare (BRASH)
-Koçi Xoxe -drejtori i Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit (u largua)
-Faik Shehu -anëtar i Këshillit të KANÇ-it (u largua)
-Pjetër Deda (u largua)
-Muharrem Bedini (u largua)
Referuar akuzave të paraqitura, komisioni qendror figuron me emrat e M.Konomit, B.Spahiut, Q.Haritos, N.Spirut dhe A.Shtëpanit. Komisioni paraqiste vetëm akuzën dhe përgjithësisht nuk zhvillonte hetime.
Komisioni Hetimor i Tiranës
-Simo Zhupa-kryetar,
-Delo Balili-anëtar, përfaqësues i ushtrisë
-Selim Stërmasi-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar
-Nikolla Profo-anëtar, përfaqësues i Frontit Nacionalçlirimtar
-Malo Frashëri-anëtar, përfaqësues i Këshillit Nacionalçlirimtar të Qarkut
Por praktika tregon se për raste të veçanta si ajo për të pandehurin Bahri Omari, janë zhvilluar edhe hetime të posaçme nga Josif Pashko dhe Selman Brahimi.
Arrestimet
Pa mbaruar mirë lufta, në tetor 1944, komunistët nisën arrestimet e kundërshtarëve politikë, sipas përcaktimeve të funksioneve dhe bindjeve politike dhe jo të veprave që ata kishin kryer. Kësisoj gjithë ai gjyq i zhurmshëm, nuk vërtetoi asnjë vrasje personi, çka ishte dështimi më i madh i gjithë procesit. Të pandehurit ishin spikatur në këto kategori për funksionet e tyre të mëparshme:
-Ushtarakë, drejtues policie, xhandarmërie.
-Politikanë, deputetë, ministra, prefektë, kryetarë bashkish, etj.
-Të administratës së mesme e të lartë.
-Anëtarë ose simpatizantë të organizatave jokomuniste
Fillimisht të pandehurit e mundshëm ishin izoluar në depon e ujësjellësit të Tiranës. Më 20.11. 1945 u hap burgu i ri në Tiranë. Qarkorët e Partisë Komuniste si shtrigaqë të vërtetë në bazë të listave mbi kundërshtarët e regjimit filluan të bëjnë vrasje, burgosje, arrestime. Shqipëria, një vend i vogël, kurrë nuk kishte pasur kaq nevojë për burgje e vende ku duheshin futur kundërshtarë të regjimit komunist. Ishte e para herë në historinë e vendit që në burg hynte inteligjencia e në pushtet urdhëronte injoranca.
Më 28.12.1944 Komiteti Central i Partisë Komuniste Shqiptare nxori udhëzimin “Për krijimin e komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve për zbulimin e kriminelëve të luftës, komisioneve të asistencës sociale, komisioneve për shqyrtimin e fitimeve të luftës nga tregtarët dhe në lidhje me punën që duhet të bëjnë këto komisione”.
Hetimi nuk pati kurrfarë cilësie. U bë me të shpejtë dhe lidhej kryesisht me funksionin publik të personit. Si “prova” në dosje u vendosën dokumente të zakonshme që përveç cilësisë zyrtare të personit nuk tregonin gjë tjetër që të lidhej me krime lufte, vrasje, dhunime, etj.
Trupa gjykuese
Gjyqi special u krijua me vendimin nr.26, datë 15.12.1944 të Kryesisë së Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar me synim dënimin e “kriminelëve të luftës”, shqiptarë apo të huaj. Kriteri i përzgjedhjes së “kriminelëve të luftës” ishte sipas rregullores mbi gjyqet ushtarake (duke e kuptuar këtë gafë, më pas e quajtën ligji nr.41, datë 14.1.1945, “Mbi organizimin dhe funksionimin e gjykatave ushtarake”). Të pandehurit ishin arrestuar para se të dilte “rregullorja” që më vonë u quajt ligj. Duke qenë se me organizimin merrej Këshilli i Ministrave, me vendimin nr.2, datë 26.1.1945, u caktua gjyqi special sipas kësaj përbërjeje:
-Gjeneral-major Bedri Spahiu - prokuror
-Gjeneral-leitnant Koçi Xoxe – kryetar
-Kolonel Hysni Kapo – anëtar
-Nënkolonel Beqir Balluku – anëtar
-Kapiten II Hajdar Aranitasi – anëtar
-Gaqo Boboshtica (partizan) – anëtar
-Medar Shtylla – anëtar, ministër i Ekonomisë
-Faik Shehu – anëtar, anëtar i KANÇ-it
-Halim Budo– anëtar, gjykatës, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë
-Gaqo Floqi – anëtar, gjykatës
Të tjerët ishin përgjithësisht me arsim fillor. Anëtarët e trupës gjykuese ishin të profesioneve teneqexhi, infermier, hidraulik.
Trupa u ndryshua vetëm njëherë nga Këshilli i Ministrave, me vendimin nr.4, datë 10.3.1945, duke iu shtuar edhe:
-Nënkolonel Bilbil Klosi
-Major Gjon Banushi
-Major Haki Toska
/Kujto.al