Xhemal Asllani, nga revolta e Zhapokikës te misionet anglo-amerikane kundër diktaturës

0
6

Edhe pas dështimit të revoltës së Zhapokikës, organizatori i saj, nuk hoqi dorë nga shpresa se regjimi komunist do të binte. Në emigrim, u bë pjesë e misioneve të komitetit “Shqipëria e Lirë” të mbështetura nga Anglia dhe më pas SHBA-ja. Hyri disa herë në Shqipëri dhe nuk u kap kurrë nga Sigurimi. Kush ishte njeriu që doli të rrëzonte qeverinë komuniste në vitin 1948 dhe si vazhdoi jeta e tij e pazakontë

 

Pak janë njerëz të veprimit në atë shkallë sa ishte Xhemal Brahim Asllani dhe akoma më pak, aq guximtar dhe ëndërrimtar sa ai. Pritshëm, nuk mund ta sillte ndryshimin për të cilin i fliste çetës në Zhapokikë e fshatrat përreth në vitet 1947-1948 për të rrëzuar qeverinë dhe për të krijuar një qeveri demokratike. Por arriti të hyjë në histori si dikush që kishte synimin e duhur dhe pse nuk mund të bënte më shumë.

Xhemali u lind në vitin 1922 në Luftinjë të Tepelenës ku kreu disa vite të shkollës dhe disa të tjera i kreu në fshatin Çorrush. Familja e martoi kur ishte rreth 19 vjeç dhe rreth 3 vjet më vonë u bë baba për herë të parë.

Gjatë luftës antifashiste, Xhemal Asllani luftoi fillimisht në radhët e partizanëve, kaloi për disa muaj te Balli Kombëtar dhe u kthye sërish te forcat partizane. E vemtja betejë ku mori pjesë me Ballin Kombëtar ishte ajo e korrikut 1944 në Dukaj, e cila pati shumë viktima, por sipas autorit të librit “Revolta në Zhapokikë, 1948”, Xhezo Cana, Xhemali nuk kreu asnjë vrasje në atë betejë.

Organizator i Revoltës së Zhapokikës

Çlirimi e gjeti në repartin e artilerisë në Tiranë dhe më vonë në Berat. Aty zbuloi rastësisht se kërkohej për gjykim për shkak të pjesëmarrjes në radhët e Ballit Kombëtar në Dukaj. Vendosi të fshihej, por familja e bindi të dorëzohej duke e siguruar se do të shpallej i pafajshëm. Ndodhi që më 15 tetor 1945, Gjykata Ushtarake e Gjirokastrës e shpalli kriminel lufte dhe e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Pas 7-8 muajsh, u lirua për shkak të një amnistie.

U kthye pranë familjes, në një klimë ku pakënaqësia ndaj regjimit komunist shtohej çdo ditë, si pasojë e gjendjes ekonomike, kursit të politikës së jashtme që po ndiqte Shqipëria e lidhur me Jugosllavinë dhe arrestimet e pushkatimet e figurave të njohura nacionaliste.

Në këto rrethana, Xhemal Asllani, vendosi të mos pajtohej me gjendjen dhe që në vitin 1947 nisi të angazhohej për të organizuar një revoltë në të gjithë krahinën duke mbledhur rreth 35 vullnetarë të armatosur kundër regjimit. Në mbledhjen e 28 shtatorit 1948 në Zhapokikë, u zgjodh sekretar politik, ndërsa komandant, si më i moshuar dhe më me përvojë, u caktua 59-vjeçari Bajram Kamber Ahmataj. Xhemali i grumbulloi përfundimisht burrat më 30 shtator, me qëllim për t’u përballur me forcat qeveritare të cilat tashmë ishin informuar dhe kishin dalë t’i ndiqnin. Grupi i burrave të armatosur lëvizi nga 1-8 tetor në disa fshatra si Luftinjë, Kamçisht, Levan, Allkomemaj, Plashnik, Gllavë, duke ecur nëpër pyje e male e duke u furnizuar me bukë nga fshatarët e zonës. Në përplasjet me forcat e policisë dhe ndjekjes pati të vrarë nga të dy palët. Pati arrestime të shumta ndër pjesëmarrësit që kapeshin, dorëzoheshin apo të tjerë që konsideroheshin mbështetës të revoltës. Kryengritja u shpartallua. Familjet e pjesëmarrësve u internuan me shpejtësi. Xhemali bashkë me Safet Ahmatajn, vëllanë e komandantit të çetës, lëvizën për dy muaj në malet e zonës, por Ahmataj nuk i rezistoi të ftohtit dhe u shua në malin e Nemërçkës, nën kujdesin e një çobani ku e kish lënë Xhemali, ndërsa Xhemali kaloi kufirin për në Greqi.

Jeta si diversant

Pas ca kohësh në kamp në Greqi, Xhemali shkoi në Itali dhe ra në kontakt me nacionalistët e arratisur që mbështesnin komitetin “Shqipëria e lirë” të drejtuar në atë kohë, nga Mit’had Frashëri e më pas nga Hasan Dosti. Komiteti vendosi ndërhyrjen në Shqipëri fillimisht duke dërguar një grup agjentësh që do të informoheshin për gjendjen dhe do të mbanin kontaktet me antikomunistët që ndodheshin brenda vendit. Për këtë qëllim, rreth 150 veta shkuan për t’u trajnuar në Maltë me mbështetjen e anglezëve. Mes tyre ishte edhe Xhemali.

Për herë të parë, ai erdhi me mision në Shqipëri nga deti, në ditët e para të tetorit 1949, një vit plot nga koha e revoltës. Do të vinte edhe disa herë të tjera. Takonte familjarët, të cilët ishin internuar; mbështetës; banorë të zonës. I pyeste për gjendjen dhe u propagandonte kundër qeverisë. Ishte kthyer si në një mirazh që u shfaqej fshatarëve të gjithë asaj zone, por nuk kapej kurrë nga Sigurimi. Anglezët i mbyllën misionet e tyre në Shqipëri në vitin 1955 dhe më pas, grupet erdhën nën drejtimin e amerikanëve. Xhemali mendohet se ka vazhduar të vijë deri në vitin 1960 apo 1961. Në atë periudhë, ishte vendosur në ShBA, pas 10 vitesh në Londër. Në një nga ardhjet, ai la shtatzënë gruan e tij Sambreten, duke u bërë kështu edhe baba i një vajze, pas dy djemve.

Moskapja e tij, pavarësisht hyrje-daljeve të shpeshta, do sillte zëra, ndoshta të përhapura edhe nga vetë Sigurimi, se ai mund të ishte agjent i dyfishtë. Por në dosjen e tij voluminoze, nuk ka asnjë të dhënë për këtë. Ndërkohë që ka të dhëna sesi ai vazhdoi të ndiqej edhe në SHBA. Të afërmit thonë madje, se atij iu bë edhe një atentat për ta vrarë në shtëpi, në Amerikë. Dokumentet e Sigurimit apo dëshmitë e familjarëve tregojnë për disa nga rastet kur Xhemali e sfidoi policinë, siç ishte ai kur fshihej në një dhomë, ndërsa në dhomën tjetër ishin policët që bënin plane si ta kapnin. Apo një tjetër kur u kap pas barkut të kalit, të cilit i hodhën sipër një batanije dhe e larguan me pretekstin se po largonin një djalë 10-vjeçar nga vendi i rrethuar. Dëshmi ka edhe për integritetin e tij gjatë gjithë misioneve në Shqipëri, ku nuk kreu asnjë krim.

“Në gjithë veprimtarinë e tij, në luftë apo gjatë zbarkimeve të tij në Shqipëri,- shkruan Xhezo Cana, - Xhemal Brahimi nuk kreu asnjë krim, kundër askujt, edhe pse kishte arsye edhe për t'u hakmarrë kundër atyre që ia prishën, ia burgosën dhe internuan familjen. Ai nuk e bëri kurrë këtë, në dosjen e atij voluminoze nuk ka asnjë akuzë të tillë. Ka një rast vërtet interesant në ardhjet e tij të shumta, i cili ia vlen të përmendet. Xhemali ndodhej diku në zonën e Buzit, kur shikon afër Avdi Myftarin nga Maricaj, i cili shpërndante gazetat në fshat. Më 1947, kishte pasur një përplasje ndërmjet tij dhe Avdi Myftarit e Hajri Bektashit nga ana tjetër, në Teqenë e Maricaj. Ishin nxjerrë dhe armët dhe rastësia bëri të mos kishte viktima. Pas gati 15 vjetësh e kishte fare afër njërin prej tyre, mund ta vriste shumë lehtë, por e la të ikte. Pastaj shkroi një letër dhe ia dha të parit që takoi në rrugë dhe i tha: "Jepja Avdi Myftarit". Kur e mori letrën Avdi Myftari, në të shkruhej: "Mund të të kisha vrarë se të kisha fare afër. Por e di që je jetim dhe nuk doja që të të lija dhe fëmijët të tillë. Xhemal Brahimi".

Xhemali, siç mësohet nga letrat që i dërgonte familjes, pati disa probleme shëndetësore me stomakun dhe qëndroi i shtruar në spital për muaj me radhë, si në Angli dhe në SHBA. Në SHBA, u vendos në vitin 1958 dhe qëndroi deri në fund të jetës. Aty u martua përsëri dhe pati edhe tre fëmijë. Ai ndërroi jetë në vitin 1983. Në një takim me të mërguarit politikë në vitin 1981, ku ishte i ftuar, mbajti një fjalim para të pranishmëve ku tha: “U morëm në qafë o fëmijë. Nuk e dinim se regjimi do të zgjaste kaq shumë. Zogu iku duke e lënë të pushtuar Shqipërinë. Unë luftova derisa e çliruam atë. Ne nuk e lamë në baltë Shqipërinë siç e la Zogu. Ne jemi kundër regjimit komunist, nuk jemi kundër Shqipërisë. Për Shqipërinë, na dhemb shpirti”.

Në vitin 2017, iu dha dekorata “Nderi i Kombit” për rolin në Revoltën e Zhapokikës dhe veprimtarinë patriotike.

 

Shënim: Në foton kryesore: Xhemal Asllani, në Maltë. Të gjitha të dhënat dhe fotot e përdorura janë marrë nga libri “Revolta në Zhapokikë, 1948”, nga Xhezo Cana, botim i ISKK.

 

 

 

 

S'KA KOMENTE