"Ujë! Ujë!... Ujë!... Tri herë në ditë nga një sapllake e vogël alumini. Një në fillim të punës, një para orës 12 dhe një para se të ktheheshim në kamp! Me tepër digjeshim zjarr dhe vuanin se sa qetësoheshim. Etja për ne ishte një përbindësh që na gërryente fizikisht dhe shpirtërisht me metodat çnjerëzore që mund të sajonte vetëm qenia më djallëzore e botës, Enveri, kryedjalli i të gjithë djajve të skëterrës së kuqe, ai që e shpërbëri Shqipërinë, ai që në Varibob krijoi tantalet e rinj të shek. XX."
Kampet e punës së detyruar për të burgosurit politikë, sidomos ato të periudhës së viteve '50, kanë qenë përtej çdo imagjinate. Puna e këtyre të burgosurve që trajtoheshin më keq se skllevërit, sidomos në kampet ku thaheshin këneta, shoqërohej me tortura të tmerrshme që mendja, në kushtet e sotme, nuk i rrok dot. Në vitin 1992 deri në vitin 1996, në gazetën Liria, gjejmë shumë dëshmi të të burgosurve të këtyre kampeve, të cilat na i sjellin të gjalla skenat e jetës në këto kampe shfarosjeje. Një nga këto dëshmi është edhe kjo e 1 majit 1992, botuar në gazetën e ditës së premte, ku i burgosuri shënon me inicialin A.Hysa, rrëfimin e tij mbi kampin e Varibobit, të cilin e shoqëron me titullin "Varibob, ferri i vërtetë i diktaturës së kuqe".
Shkrimi:
Çdo i burgosur politik ka për të thënë shumë gjëra për kampet e punës së detyruar. Secili prej nesh ka odisenë e tij, me episode nga më të pabesueshmet. Me poshtë do të flas vetëm për një nga kampet më famëkëqij të viteve 1953, për Varibobin.
Pas hetuesisë, të thuash tetëmujore, në fund të prillit 1953, u dënova me 15 vjet burg për tentativë arratisjeje dhe veprimtari armiqësore. Nga izolimi më ngjitën sipër dhe më bashkuan me të dënuarit e tjerë. Gëzimi im ishte i madh. Tetë muaj në birucë, nën trysninë e dhunës hetimore dhe të asaj që quhet vetmi! Vetëm ata që e kanë vuajtur mund të më kuptojnë. Pas një muaji, në fillim të qershorit, një pjesë të burgosurish na mblodhën në tre a katër kamionë dhe, pasi na lidhën mirë e mirë me litarë, na nisën në drejtim të Jugut, në Mallakastër, ku na priste puna e tejlodhshme që do të na dërrmonte fizikisht e moralisht.
Isha njëzvetepesëvjeçar. Endrrat e mia më të bukura m'i kishin thyer në mënyrat më çnjerëzore, pa pikën e mëshirës. Një e panjohur na priste përpara, një trajtim i përbindshëm, nga i cili vetëm njerëzit e fortë mund të mbijetonin të paprekur e të pastër. Më të vjetrit, në burgun e Tiranës, disi na kishin parapërgatitur për detyrimet tona në kampet e punës. Teorikisht na i kishin thënë të gjitha, por a do të mund ta përballonim dhunën e pamëshirshme të punës fizike, krijim i mendjes djallëzore enveriane?
Pas disa orësh udhëtimi të lodhshëm, arritëm përballë kampit të Varibobit. Na zbritën nga makinat, na bënë apelin dy herë dhe na futën brenda, duke na numëruar si bagëti.
Në krahun e majtë, disa metra larg në thellësi, qëndronte një spirale telash me gjemba, e shtrirë horizontalisht, e lartë sa një njeri që qëndron ulur, pa patur mundësi për të ngritur kokën. Brenda kishin futur një fatkeq për masë disiplinore. Kurrë nuk do ta harroj këtë skenë mesjetare, sajesë e inkuzicionit të kuq, e tiranisë enveriane. Kuptova realitetin që na priste. Prezantimi m'u bë në një mënyrë befasuese. Më vonë do të shihja skena të tjera të llahtarshme, do të isha edhe vetë pre e torturave çnjerëzore, që zor se i beson njeri pa i provuar vetë.
Një çezmë e vetme ndodhej në krahun e djathtë të portës së madhe. Jashtë telave me gjemba vazhdonte me një tub gome, kurse brenda telave, deri tek çezma, uji vinte nëpërmjet një tubi të hekurt. Birucat e bëra me llamarinë, ishin pas kazermave tona, pranë rrethimit të telave me gjemba, të kontrolluara nga dy truproje. Diku, pranë banjove të hapura, ndodhej nje pus i thellë, i cili kishte fare pak ujë.
Të nesërmen herët, pa lindur ende dielli, na nisën për në punë të shoqëruar nga policë të armatosur me shkopinj, si dikur skllevërit e Romës së lashtë. Si të tillë, e dhamë provën e parë. Nisëm punën e detyruar, duke hapur kanale kulluese, vaditëse, në një qershor tepër-tepër të nxehtë dhe në kushte të rënda të ushqyeri, duke u trajtuar fizikisht si kafshë dhe asnjëherë si njerëz. Djersa e nxehtë lagte çdo pjesë të trupit tim të drobitur. O tempora! O mores!
Ujë! Ujë!... Ujë!... Tri herë në ditë nga një sapllake e vogël alumini. Një në fillim të punës, një para orës 12.00 dhe një para se të ktheheshim në kamp! Me tepër digjeshim zjarr dhe vuanin se sa qetësoheshim. Etja për ne ishte një përbindësh që na gërryente fizikisht dhe shpirtërisht me metodat çnjerëzore që mund të sajonte vetëm qenia më djallëzore e botës, Enveri, kryedjalli i të gjithë djajve të skëterrës së kuqe, ai që e shpërbëri Shqipërinë, ai që në Varibob krijoi tantalet e rinj të shek. XX.
Ktheheshim pasdreke nga i ashtuquajturi tetëorësh tepër të lodhur, tepër të sfilitur. Të tufëzuar si bagëti, drejtoheshim nën shkopinjtë e barinjve policë drejt kampit tonë, drejt kazermave tona tepër të mjera, por aq te dëshiruara. Hynim brenda dhe sulmonim në drejtim të se vetmes çezmë, në të djathtë të portës së madhe. Një superdëshirë për të pirë ujë që dikush mund ta realizonte e dikush jo, sepse përtej telave me gjemba, policët, me mospërfilljen me të madhe, hiqnin zorrën e ujit dhe fillonin të laheshin dalëngadalë, pa më të voglën keqardhje.
Ne, tantalet e rinj, të pafaj vështronim si në ëndërr ujin e dëshiruar që binte mbi fytyrat e tyre të gurta dhe nisnim të flisnim përçart, duke mallkuar veten dhe ata, xhelatët tanë! Zgjasnim buzët e thara drejt ujit që rridhte përtej telave me gjemba, por ai ikte. Largohej prej nesh si në një legjendë. Jermia në mendjet tona bënte punën e vet. Mallkuar tirani! Mallkuar murtaja e kuqe...
Ktheheshim prapa te pusi gati pa ujë, për të cilin kam folur me sipër. Pa vonuar, hidhnim në pus peshqirët e lidhur me litarë, të cilët pasi lageshin në atë pak ujë, i ngrinim lart e i shtrydhnim në një gavetë, vetëm për të lagur sadopak buzën e shkrumbosur.
Këto ishin vetëm disa fragmente të asaj drame të madhe e tragjike, mbushur me dhimbje që, tashti, duke i kujtuar, duam t'u themi brezave: Ja cila ishte diktatura e kuqe që përjetoi ky popull për gjysmëshekulli.
A.HYSA
ish-i burgosur politik