Të zhdukurit pa varr të komunizmit: Ndani përvojën tuaj

0
462

Fondacioni “Kujto” dëshiron të flasë me të afërmit e personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, të cilët duan të ndajnë me ne përvojën e tyre në kërkimin e eshtrave dhe përpjekjet për t’u dhënë atyre një varr.

Tre dekada pas rënies së regjimit komunist, Shqipëria numëron ende mijëra persona të ekzekutuar dhe të zhdukur, të cilët nuk kanë ende një varr. Ata i bashkonte fati i të qenit “armiq të regjimit”; disa u ekzekutuan me ose pa gjyq dhe të tjerët vdiqën nëpër kampet e internimit apo burgjet ku po vuanin dënimet.

Historitë dhe eshtrat e tyre u lanë në harresë për dekada nga institucionet shtetërore dhe ndonëse Këshilli i Ministrave mori angazhim për gjetjet e tyre në vitin 2017, kërkimet mbetën në vendnumëro dhe madje u penguan nga burokracitë institucionale.

Fondacioni “Kujto” fton përmes kësaj thirrje familjarët e viktimave të komunizmit ose miqtë e tyre që të ndajnë me ne përpjekjet shumëvjeçare për gjetjen e eshtrave, në mënyrë që të kemi mundësi që të kujtojmë jetën e tyre dhe të investigojmë më tej mbi arsyet e dështimit të kërkimeve nga institucionet shqiptare.

Faktet kryesore që duam të dimë janë:

  • Rrethanat e vdekjes gjatë regjimit komunist
  • Rezultatet e kërkimeve tuaja private për gjetjen e eshtrave
  • Reagimin e institucioneve shtetërore gjatë kërkimeve tuaja

Gjithë sa duhet të bëni për të marrë pjesë është të plotësoni pyetësorin e mëposhtëm. Ju mund të na kontaktoni gjithashtu në adresën e emailit: al.kujto@gmail.com ose në rrjetet tona sociale; FB: kujto.al.KrimeteKomunizmit/ ose në Instagram: kujto.al/

S'KA KOMENTE