Sytki Hoxha, gjakovari që u mbajt 37 vjet në burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë

0
11

Ardhja në Shqipëri i kushtoi shtrenjtë gjakovarit Sytki Hoxha. Atij jo vetëm që nuk iu lejua kthimi në atdhe, por u mbajt në kampe internimi dhe u dënua e u ridënua për të kaluar 30 vite në burg, pa i bërë keq askujt. 

 

Nga Myrteza Bajraktari

 

I lindur në Gjakovë më 15 dhjetor 1927, në një familje me katër vëllezër dhe tri motra, [Sytki Hoxha] pasi mbaron mësimet fillore në vendlindje, nën atmosferën e kohës së stuhishme të Luftës së Dytë Botërore, në moshën 16-vjeçare rrok armët dhe rreshtohet në krah të forcave partizane të zonës së tij dhe vendoset pranë shtabit të përgjithshëm të forcave rajonale në Gri të Tropojës, ndoshta i ndikuar edhe nga rrethi familjar (djali i axhës është Mehmet  Hoxha, një eksponent i lëvizjes dhe kuadër i lartë më pas në  institucionet partiake dhe qeveritare të Jugosllavisë). Pa dyshim nuk mund të thuhet se ai ishte i vetëdijshëm politikisht për këtë veprimtari, edhe pse merr pjesë në fundin e vitit 1943 në Konferencën e Bujanit, ku thjesht është pjesëmarrës.

Mbas lufte, duke mbetur i inkuadruar në ushtri, gradohet toger, por sheh se jeta në ushtri nuk i shkon për shtat dhe largohet prej saj duke pranuar të punojë si sportelist në një hotel në Prishtinë. Por, jashtë vullnetit të tij (pa mundur të kundërshtojë duke ditur pasojat e kësaj), e inkuadrojnë në organet e policisë dhe shërben në Mitrovicë, Vuçiternë, Kaçanik, Kamenicë dhe Prizren. Ndërkohë vazhdon shkollën pa u shkëputur nga puna dhe mbaron gjimnazin. Gjatë kohës që ishte në këtë detyrë, ai vëren shumë gjëra që nuk mund t'i përtypte dhe që binin ndesh me natyrën e tij njerëzore: arrestime përndjekje brutale, punë vullnetare me forcë dhe pa pagesë, marrja e prodhimeve fshatare me detyrim pa kriter dhe më kryesorja, vrasjet e shumta që kryheshin nga regjimi në fuqi. Duke parë se me çfarë mjetesh terrori po silleshin "shokët” e tij të luftës, në shpirtin e tij kishte lindur indinjata, ndjenjat e tij ishin lënduar thellë, mendimet i bluante dhe nuk mund t'i shprehte me kënd. Ai kishte besuar në propagandën komuniste gjatë luftës dhe ishte solidarizuar me ta, me shpresën naive se të gjitha çështjet dhe problemet që kishin munduar shqiptarët deri në atë kohë do të merrnin zgjidhje pas lufte.

Për t'i shpëtuar gjendjes së krijuar dhe për një jetë më të çlirët, pa ngarkesa emocionale apo ideologjike, por thjesht për t'i shpëtuar një realiteti që nuk e pëlqente, Sytkiu në shkurt të vitit 1949 kalon kufirin e Republikës së Shqipërisë dhe kërkon strehim politik. Siç shkruan bashkëvuajtësi i tij Nazmi Berisha: "Për pikëpamjet e tij politike, për të ishte njësoj si të gjendej në Shqipëri, si të gjendej në Hungari, Çekosllovaki. Me këtë dua ta bëj të qartë se Sytkiu në Shqipëri nuk kishte dalë as si nacionalist dhe as si pseudonacionalist, por si në një vend pjesëtar të vendeve të “demokracisë popullore”.

Por edhe në Shqipëri do të zhgënjehej, vrasjet dhe burgosjet ishin edhe këtu në modë. Ai bëhet i vetëdijshëm se partitë komuniste që drejtonin vendet e “demokracisë popullore” ishin kudo njësoj dhe kudo kishin vendosur regjim policor terrori e mungese lirie.

Megjithatë, për arsye ekonomike dhe jo nga pasioni apo angazhimi politik, punon si redaktor në gazetën e emigracionit "Za Slobodu" si dhe shkruan artikuj në shtypin e kohës dhe komente për Radio Tiranën.

Ndërkohë vazhdon edhe fakultetin e gjuhë-letërsisë. Por shpejt do të përfundojë në kampet e internimit për emigracionin si në Llakatund të Vlorës, Seman të Fierit, Çermë të Lushnjes dhe Berat. Mbas vitit 1956, kohë kur Hrushovi vizitoi Beogradin, u çel një rreze shprese për emigrantët që kishin ikur nga Jugosllavia në vendet e demokracive popullore, pasi ata mund të ktheheshin në vendlindje. Por kjo nuk ishte e mundur për emigracionin që gjendej në Shqipëri, pasi regjimi i Tiranës nuk jepte lejen e kthimit. Kështu që Sytkiu, i cili gjendej në kampin e Llakatundit, pa pasur mundësinë e dokumentacionit të rregullt, tenton të kalojë kufirin për t'u kthyer në Kosovë, por kapet.

Ja çfarë shkruan ai vetë për këtë episod dhe për rrjedhojat e dhimbshme që do t'i kthenin rrjedhën e jetës, në disa shënime të tij të hedhura në vitin 1994, ku shpjegon pozicionin e tij pas këtij episodi dhe dënimet që i janë dhënë:

"Duhet të shpjegoj se, në mars të vitit 1957, u nisa të arratisesha në Greqi. Në Maliq të Korçës më kapën, mbasi më kishte denoncuar një emigrant nga Gostivari. Në këtë kapje më torturuan mizorisht në Degën e Brendshme të Korçës, deri sa më binte të fikët dhe ta shihja veten në çezmë për të ardhur në vete. Mbas njëmbëdhjetë ditëve të këtij arrestimi, në burgun e Degës së Brendshme të Tiranës, më vijnë dy ushtarakë të Ministrisë së Brendshme, të cilët ishin tepër të vrazhdë dhe pa kurrfarë ceremonirash më thonë troç: "Ke dy rrugë, njëra është që të lëshosh një deklaratë bashkëpunimi dhe të të lirojmë, dhe tjetra, në qoftë se nuk pranon, do të qëndrosh në burg dhe do të dënohesh. Zgjidh e merr!". Unë pa u menduar shumë, zgjodha të parën duke parë që po më jepej shansi për të provuar edhe njëherë që të shpëtoja prej atyre bishave që nuk e kishin për gjë ta merrnin nderin e tjetrit me ato copa letre.

Të nesërmen e asaj dite, të shoqëruar me dy policë, më shoqëruan në Degën e Brendshme të Vlorës, ku më regjistruan në një libër të madh dhe më dërguan në kampin e emigracionit në Llakatund. Mbas dy muajve, kur nisi të ngrohej koha, në maj të atij viti, u arratisa, po nuk më eci dhe më kapën. Që atëhere mbeta në burg. Dhe në bazë të asaj deklarate dymujore, më dënuan për tradhti dhe denoncim. Që është çështja ime kështu siç thashë, do të lutesha që të hapen dosjet e mia për të verifikuar këtë të vërtetë time.

Shtoj që atë natë kur më nxorën nga burgu, takova shokun tim Shefqet Meçen, të cilit i thashë se kisha qenë në burg dhe më kishin liruar nga burgu me deklaratë. Edhe në kamp të Llakatundit, Haxhi Gjocit nga rrethi i Gjakovës, tek i cili kisha besim, ia thashë haptas se ç'më kishte ndodhur.

Për këta dy muaj të deklaratës, që mund të konsiderohesha spiun jashtë të së vërtetës dhe natyrës sime, askënd nuk kam nxanë në gojë verbalisht dhe as me shkrim. Kërkoj që të shikohet për këto dy thënie në shënimet që do të kenë mbajtur vetë organet e sigurimit të shtetit.

Duke e ditur veten si jam dhe si kam qenë, e pashë të rrugës të shpjegoj aq sa shpjegova.

Gjatë vuajtjes së dënimit në burg, me shkrim i denoncova organet e sigurimit deri në Kuvendin Popullor (të atëhershëm), duke thënë që unë, për vetë natyrën që kam, mund të jem anëtar i një partie politike dhe kurrsesi një spiun i sigurimit të shtetit. Besoj se denoncimi im me shkrim edhe sot e kësaj dite mund të gjendet i ruajtur në arkivat e ish-Kuvendit Popullor.

Gjatë të gjitha viteve të vuajtjes në burg, kurrë më nuk më është afruar njeri nga ata të sigurimit që të më pyesë për ndonjë çështje apo person. Me ta kam qenë I prerë. U përpoqa ta vuaj dënimin me ndershmëri. Dhe kësaj ia arrita. Natyrisht vuajta shumë dhe më kanë torturuar shumë, deri në nxjerrje krahu dhe thyerje koke. Veç kësaj më kanë bërë dhe mjaft seanca elektroshoku për të më shkatërruar fare. Deshti Zoti dola gjallë".

Më pas u dënua me 15 vjet heqje lirie, me akuzën “tradhti ndaj atdheut” dhe “agjitacion e propagandë". Pasi e plotëson këtë dënim, Sytkiu refuzon të dalë nga burgu, duke kërkuar që ta nxirrnin nga burgu duke e përcjellë direkt për në Jugosllavi. E nxjerrin me forcë dhe, të shoqëruar me dy policë, e dërgojnë në kampin e Semanit, kamp ky ku bëhej tri herë në ditë apeli, ishte i rrethuar me tela dhe ruhej nga një postë policie me qen. Në këtë kamp ai gjen rreth 240 emigrantë të kombësive të ndryshme, të cilët pritnin të ktheheshin. Për ushqim e bukë u jepnin nga dyqind lekë të reja. Koha kalonte dhe Sytkiun nuk po e kthenin, edhe pse të tjerët që vinin pas tij i kthenin.

Sytkiu, duke e ditur se organet e Sigurimit po prisnin rastin për ta burgosur përsëri, tenton t'I shfrytëzojë kushtet pak më të mira se të burgut për t'u arratisur. Dhe një ditë, së bashku me Muharrem Bërdynën, ikën. Rrugës, nga errësira, ndahen dhe e humbin njëri-tjetrin. Muharremi dorëzohet dhe e lënë të lirë, ndërsa Sytkiu e vazhdon rrugën, por pa ia dalë mbanë. Pas katërmbëdhjetë ditëve udhëtimi, duke udhëtuar vetëm natën, pa ushqim, arrin të kalojë edhe klonin e kufirit në katundin Zogaj të Shkodrës, por nga ndryshimet kufitare mes Shqpërisë dhe Jugosllavisë, posta jugosllave u kishte mbetur shqiptarëve, e kështu orientohet gabim dhe kapet nga forcat shqiptare.

Edhe pse dihej që Sytkiu qysh në burg kishte kërkuar ta riatdhesonin, edhe pse në kampin e Semanit priste riatdhesimin duke qenë me nënshtetësi jugosllave, edhe pse ai kurrë nuk kishte kërkuar as me gojë dhe as me shkrim që të jetonte në Shqipëri, edhe pse s'kishte kryer asnjë krim kundër shtetit apo kundër ndonjë qytetari të Shqipërisë, - në vend që ta kthenin vetë organet shtetërore shqiptare në Kosovë pranë njerëzve të vet, e fusin përsëri në burg.

Burgimi i dytë, shumë pak kohë mbas të parit, domethënë ai i vitit 1967 me afat dënimi 15 vjet, zgjati për shkak edhe të ridënimit me 11 vjet të tjera, deri më 22 janar 1987.

Pra, mbas shtatë viteve internim, burgoset në vitin 1957 dhe lirohet më 1987, domethënë e mbajnë në burg plot tridhjetë vjet (nga 41 vjet të shpallura në tre akt-dënimet)!

Duhet shënuar se në vendimin e dytë të gjyqit, që atij i komunikohet pas pesë vjetësh që gjendej në burgim, ishte bërë dhe manipulimi tjetër tragjikomik, siç e shkruan dhe shoku i tij i qelisë Nazmi Berisha: "Në hetuesi, që i dukej qesharake, nuk pranon të nënshkruajë asgjë. Në gjyq, të ashtuquajturin gjyq nuk flet dhe e bojkoton atë. Megjithatë e dënojnë më vonë mbasi kalojnë pesë vjet, i vjen një oficer i sigurimit dhe ia komunikon vendimin e gjyqit. Në të shkruhej krejt ndryshe për ndryshe. Simbas këtij vendimi, Sytki Hoxha na dilte: lushnjar që rridhte nga një familje e mesme lushnjare. Pra nuk ishte gjakovar!!! Dhe, për çudinë e tij, i kishin lejuar që të mbante korrespondencë me jashtë: disa t'i quante prindër, disa t'i quante vëllezër, disa t'i quante motra, nipa, mbesa e kështu me radhë...".

Dhe në vitin 1979, kur pritej që të dilte përsëri nga burgu, e dënojnë brenda në burg me akuzën “për agjitacion e propagandë” me 11 vjet.

…Pasi lirohet, në janarin e vitit 1987, ai vendoset në Tiranë, duke pritur përsëri që të kthehet në Kosovë. Por tashmë ishte shteti jugosllav që refuzonte t’i jepte vizë. Këtu shihet edhe korrespondenca me ambasadën jugosllave në Tiranë, me përgjigjet refuzuese të majit dhe të gushtit 1987. Si për ironi, pa dijeninë e vetë Sytkiut, po në fund të atij viti, del në qarkullim në Jugosllavi libri i autores Biljana Bulatoviç, “Procesi i Prizrenit”, në të cilin emri i Sytki Hoxhës implikohej si protagonist i atij procesi të montuar gjyqësor. Ndërkohë që ai priste të kthehej pranë familjes së munguar prej afro 40 vitesh, refuzimi për riatdhesim pasohej nga propaganda jugosllave që i mvishte Sytkiut cilësi dhe protagonizëm që atij as i kishin shkuar ndërmend në kohën kur shtynte ditët nëpër baltërat e kampeve të internimit e më pas burgjeve të Shqipërisë!

I mësuar tashmë me zhgënjime, por me një optimizëm të çlirtë në shpirt se koha e vuajtjeve do të kish mbarim, ai pret vitin 1990 për të shpëtuar një herë e mirë nga mungesa e lirisë. I dëshiruar për të gëzuar jetën larg privimeve dhe vuajtjeve të pafund, ai përsëri nuk kërkon protagonizëm në ndryshimet që po vinin në Shqipëri, por kërkon ajrin e lirisë diku tej në perëndim, atje ku ishte i bindur se njeriu dhe jeta e tij kishte vlerë parësore. Largohet fillimisht në Gjermani dhe më pas në Norvegji, ku vendoset përfundimisht duke bërë jetën e qetë të ëndërruar, mes njerëzish të mirë që e deshën dhe e respektuan si njeri.

Viziton disa herë Shqipërinë për të takuar shokët e tij të “universitetit” siç e quante ai burgun, si dhe për t'u çmallur me të afërmit që vinin nga Kosova për ta takuar në Tiranë, apo edhe i ftuar nga institucionet shtetërore të Tiranës për festimet jubilare të nëntorit. Ndërkohë mban lidhje dhe letërkëmbim me shokët e shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Europës. Në vitin 1996 ai martohet me zonjën Mimoza me të cilën kalon një jetë të qetë dhe të dëshiruar atje në Ërje të Norvegjisë.

Sytki Hoxha ndërroi jetë më 5 qershor 2007, mes dhimbjes së të afërmve, shokëve dhe miqve norvegjezë që edhe sot e kësaj dite e kujtojnë me mall njeriun e ëmbël dhe gazmor, njeriun e etur për dije, kureshtarin për çdo gjë të re, njeriun që dekadat e shumta të kaluara në kalvarin mundimeve trupore e shpirtërore s'ia kishin shuar dot dëshirën për jetën, për njerëzit, për botën pa kufij, s'ia kishin fikur dot buzëqeshjen dhe harenë në shpirt.

 

Shënim: Marrë nga libri “Sytki Hoxha, një jetë e burgosur”, nga Qemal Velija, botim i ISKK, Tiranë 2020.

S'KA KOMENTE