Demonstrata për rrëzimin e bustit të Stalinit, ku i riu me origjinë austriake që u rrah dhe u dëmtua barbarisht, në mënyrë të pakthyeshme nga sigurimi i Shtetit
Në ditët e sotme do të ishte mbase një nga djemtë më të lakmuar të pjacës... Me Prejardhje austriake, i edukuar, dashurues i gjuhëve të huaja, futbollist i talentuar, i pashëm, inteligjent, kurajoz, idealist i lindur dhe i trashëguar. Ka qenë një nga organizatorët e demonstratës së parë antikomuniste në Shkodër në janarin e ftohtë të vitit 1990, atëherë kur sistemi diktatorial i Enver Hoxhës, ishte ende shumë i fortë dhe hijet e frikës flinin në krevat bashkë me të gjithë ne. Nuk jeton më Rini Monajka.
Kush i qëndroi në këmbë diktaturës që uli në gjunjë dy milionë shqiptarë duhet të ketë qenë hero. Heronjtë nderohen. Për më tepër kush ngriti kokën dhe pa drejt e në sy dorën që e vrau, duhet të ketë patur një zemër ndryshe nga e jona, dhe mendjen e ndritur, ndryshe nga errësira që ka mbërthyer sot mendjet e të gjithëve ne. Monajka me shokë ishin organizuar me ganxha dhe litarë sepse në një demonstratë shkodranësh, të qytetit dhe rrethinave, do të hiqnin bustin e Stalinit atë janar. Kishin përgatitur dhe një orator. Nuk ia dolën dot. Informacioni ishte përhapur siç dimë ta bëjmë ne mirë, dhe në Shkodër kishin zbarkuar agjentët e sigurimit nga e gjith shqiperia . Përbindshmëria e grahmave të fundit. Ka patur shumë arrestime atë ditë, ka patur shumë tortura çnjerëzore në ditët në vijim dhe vendime burgimesh. Monajka vetë u rrah dhe u dëmtua barbarisht, në mënyrë të pakthyeshme. Nuk e di a gjallon më ajo qënie që e bëri thuajse të vdekur.
Rini Monajka u dërgua në dy burgje, përfshirë Burrelin. U lirua në vitin 1991, por fizikisht dhe mendërisht ishte transformuar komplet . Më saktë, deformuar. Vdiq në Austri në 1997. Pranë nuk kishte asnjeri. Për kujtimin e zbehtë të tij flitet dhe shkruhet vetëm nga shokët e vet. Me copëza zemre. Siç dinë ta bëjnë vetëm shokët. Marre nga Libri “CIZME TE VERDHA”, autore Arlinda Çausholli.